“Përgjuesi” Hajdarmataj dhe Ilir Beqaj

Nga Qamil XHANI.

Realisht zhurma që po bëhet këto ditë për përgjimin e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj nga ish-kreu i Fondit të Kujdesit Shëndetësor të Tropojës, Çlirim Hajdarmataj u shfry mbrëmë tek emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut.

Vetë “përgjuesi” Hajdarmataj në linjë direkte nga SHBA, ku ndodhet momentalisht, e diskretitoi aktin e tij për përgjimit. Ish-drejtori ishte kontradiktor në ato çka thoshte, duke treguar se përgjimi ishte një hakmarrje për moszgjedhjen e tij në forumet e Partisë Socialiste në Tropojë. Saktësojmë se ministri Beqaj është caktuar nga selia rozë si i deleguar i Kryesisë në Tropojë për koordinimin e strukturave partiake. Ndaj duket hapur se përgjimi i bërë është si presion ndaj ministrit. Pra e thënë troç se “po me hoqe nga puna si drejtor atëherë unë do të diskretitoj me përgjimin”, përgjim i cili realisht është bërë në mënyrë të pabesë. Por ai ka bërë edhe një të mirë publike. Ka treguar me audioregjistrim, siç e dimë të gjithë, se si bëhen emërimet në administratën publike, në disa raste. Për të qenë të saktë pas asaj që tha mbrëmë nga SHBA Hajdarmataj, tregon se ka mundësi që ish-drejtori e ka bërë me qëllim që ta përdorë politikisht shkarkimin. Pra që të bëjë zhurmë në Shqipëri dhe ta përdorë për të marrë strehim politik në SHBA. Kjo krijon dyshime, pasi i pyetur nga Fevziu nëse do të qëndroni në SHBA (pra strehim) ai u shmang përgjigjes. Ndërkohë që ish-drejtori pohoi se ka marrë vizë turistike për në Amerikë. Nëse do të thoshte prerë se do të respektojë afatin e vizës amerikane dhe do të kthehet për tu ballafaquar me ministrin Beqja, atëherë do të krijonte besueshmëri në sinqeritetin e tij, ndonëse në thelb ai u vetëdiskretitua me daljen e tij tek Fevziu. Hajdarmataj tha se po e mendoj qëndrimin ne SHBA. Po si do të qëndrojë në SHBA nëse afati i vizës mbaron? Apo duke e përdorur videon e transmetuar për strehim politik? Nga ana tjetër, edhe koha kur ish-drejtori vendosi të publikoi materialin ngre pikëpyetje të tjera. Biseda ishte regjistruar më parë, ndërkohë që autori pranoi publikimin vetëm pasi kishte marrë vizën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra gjithçka duket e bërë me paramendim. Nëse ai do të kishte qëndruar në Shqipëri dhe ta transmetonte atëhere do ishte një mënyrë për ta besuar në sinqeritetin e tij naiv partiak. Por pasi ka ikur e ka dërguar audion e regjistrimit.

Nga shpjegimi i ish-drejtorit të shkarkuar thuhet se gjithçka e ka bërë si inat ndaj ministrit si i deleguar partiak. I pyetur disa herë, edhe me nënqeshje nga Fevziu, ai insistonte tek punët e PS-së ndërkohë që ishte emëruar si militantë partie, ndonëse me letra në rregull, formalisht.

Natyrisht që shkarkimi i tij lë shije jo të mirë ligjore, ndonëse disa vende në administratë janë publike, pra që ndahen mes partive politike sipas një marrëveshje publike. Por prapë përzgjedhja, edhe në këto raste, duhet të bëhet në raport me ligjin.

Saimir Kodra drejtues i emisionit STOP ka bërë mirë si profesionist që e ka transmetuar videon e Hajdarmataj për ministrin Beqaj, sepse ka prekur një të keqe të madhe se si bëhen emërimet në administratën shtetërore. E bëri efektin duke mbledhur administratën të jetë e kujdesshme dhe të zbatojë ligjin. Ndërsa Blendi Fevziu duke e vazhduar më tej çështjen “Beqja”, pa dashje, me linjën direkte të Hajdarmataj nga SHBA e diskretitoi përgjuesin. Edhe paneli që ishte ftuar nga Fevziu mbeti gojëhapur nga ajo çka thoshte përgjuesi nga SHBA. Ish-drejtori pyetej nëse e kishte paguar një nëpunës të administratës në shkelje me ligjin dhe në vend të përgjigjes ai përmendte se Ilir Beqaj nuk ka respektuar statutin e Partisë Socialiste.

Më mirë të mos dilte ish-drejtori live mbrëmë, sepse do ta linte varur në qafën e Ministrit Beqja “bombën” që hodhi në publik.

Nga mbrëmë “bomba” ka mbetur tek këmbët e përgjuesit.

SHKARKO APP