Përleshje dhe grushte në seancë. Turma tenton të hyjë në Parlament

Sherr, grushte dhe përplasje në Kuvend. Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e kryeprokurorit ka nisur me tensione.

Pas fjalës së kreut të PD ka pasur konfrontime mes deputetëve të PD dhe Gardës së Republikës. Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar fjalën në Kuvend, por nuk është lejuar nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Garda ka ndaluar Berishën të marrë fjalën. Në këtë moment në sallë kanë nisur tensionet. Deputetët e PD janë konfrontuar me punonjësit e Gardës.

Më pas kreu i Kuvendit i ka dhënë fjalën Sali Berishës, i cili e cilësoi këtë seancë si “shpallje lufte”. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kërkuan heqjen nga rendi i ditës së procedurës për zgjedhjen e Kryeprokurorit. PS e hodhi në votim këtë kërkesë dhe e rrëzoi duke vijuar me procedurën e votimit. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se nuk ka asnjë shkelje ligjore për kryeprokurorin. Ai tha se Kuvendi po zbaton ligjin.

Pas kësaj deklaratave, Ruci ka kërkuar vijimin me rendin e ditës. Ndërkohë që deputetët e opozitës kanë lënë vendet e tyre dhe kanë bllokuar foltoren duke nisur një përplasej fizike me punonjësit e Gardës së Republikës.

VIDEO/SHERRI NE KUVEND

https://www.facebook.com/kohajone/videos/753727314816808/

Basha: Tërhiquni ose do përballeni me popullin

Lulzim Basha ka paralajmëruar mazhorancën nga salla e parlamentit. Ai ka kërkuar që ajo të tërhiqet nga zgjedhja e kryeprokurorit të ri, ndryshe, sipas tij, ata do të përballen me pasojat.

“Sot është një nga ditët më dramatike në këtë parlament, një nga ditët më të vështira për qytetarët shqiptarë. Kjo është një seancë antikushtetuese! Sot në mënyrë tinzare ju po bëheni gati për një grusht të mirëfilltë shteti. Perëndimi, Europa, SHBA-ja, e kanë sanksionuar qartë ndarjen e pushteteve si themel i demokracisë: ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia janë të ndarë nga njëri-tjetri.

Ia ndalon kryeministrit, një force të vetme politike emërimin e kryeprokurorit. Ju jeni paralajmeruar të hiqni duart larg pushtetit të drejtësisë, jeni paralajmeruar të mos vazhdoni më pengimin e hetimeve për Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, inceneratorëve. Ju jeni të vendour të shkelni Kushtetutën për të mbrojtur veten tuaj. Ky është çasti i fundit ku në emër të Kushtetutës ju paralajmërojmë të tërhiqeni! Ky është urdhri i popullit, bindjuni atij ose përndryshe do të përballeni me pasoja”, tha Basha.

https://www.facebook.com/kohajone/videos/753725571483649/

PS s’heq ‘Kryeprokurorin’ nga rendi i ditës. Basha: Edhe Hitleri nuk sillej kështu

Tre krerët e grupeve parlamentare opozitare, të PD, LSI dhe të PR, kërkuan që në nisje të seancës që të hiqej nga rendi i ditës çështja e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

“Opozita brenda dhe qytetarët jashtë nuk kanë asnjë rrugë tjetër veçse të qëndrojnë me të gjitha forcat për mbrojtjen e Kushtetutës,” tha kreu i PD, Lulzim Basha. Kurse kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kërkoi që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës.

Ajo tha se Shqipëria po kthehet në vendin e drogës, duke theksuar se të rinjtë gjithmonë e më shumë po e konsumojnë kokainën, teksa theksoi se këtë gjë e bën edhe kryeministri. “Shko në Bruksel sot për kafe e mos hajde më,” i tha Kryemadhi.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi e hodhi këtë kërkesë për votim, duke e rrëzuar pretendimin që çështja e Kryeprokurorit të hiqet nga rendi i ditës. “Edhe Adolf Hitleri u kujdes më shumë se ju kur shkatërroi pluralizmin në Gjermani. Kush mendoni se jeni ju, që të ngrini kartonat për të ndryshuar vullnetin e shqiptarëve, që e përfaqëson vetëm Kushtetuta e Shqipërisë. Ju doni ta merrni mezor, epo dijeni se gardianët e Kushtetutës, qytetarët e Shqipërisë kanë të drejtë të marrin në dorë fatin e tyre,” tha kreu i PD, Lulzim Basha.

Berisha: Dhëmbë për dhëmbë me kryehorrin që kërkon të bëhet Kryeprokuror

Pas tensioneve të fillimit, seanca ka nisur sërish. Ish-kryeministri Sali Berisha mori fjalën në Kuvend, ndërsa akuzoi Edi Ramën për uzurpim të institucioneve.

“Një deputeti i jepet fjala, një kyehorr, një fundërinë që do të bëhet prokuror fut gardën për të ndërprerë të drejtën e fjalës që e mora në përputhje me procedurën. Ky horr shpall luftë në parlament dhe të jetë i bindur që do ti qëndrojmë dhëmbë për dhëmë  kryepsiit të Shqipërisë, kryehorrit të Shqipërisë atij që kërkon të bëhet edhe kryeprokuror i Shqipërisë”,- tha Berisha.

Monika Kryemadhi: Edi Rama të ik

Pak para nisjes së protestës së opozitës, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat bëri thirrje për të larguar kryeministrin Edi Rama dhe atë që ajo e cilësoi si qeveri e krimit.

Kryemadhi tha se protesta është shenjë e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj keqqeverisjes dhe varfërisë ku i ka futur kryeministri Edi Rama.

“Me që sot Edi Rama është në Bruksel për kafe me Mogerinin, le të iki dhe të mos kthehet më”,- deklaroi Monika Kryemadhi.

“Të iki të pijë kafe informale me Mogherinin e të mos kthehet më. Nuk  do të lejoja kurrë atë që Edi Rama u bën fëmijëve të shqiptarë. Ai nuk ndjen përgjegjësi për fëmijët e tij dhe jo të  të tjerëve. Fëmijët e qytetarëve po drogohen në shkolla si rezultat i këtij institucioni kriminal që është lidhur tërësisht më krimin dhe drogën”, ka thënë Kryemadhi.

ORA 10:05/ Nis seanca e Kuvendit

Në orën 10:05 ka nisur seanca e Kuvendit, për zgjedhjen e kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi se procedura do të vijoj normalisht.

VIDEO/DEKLARATA E KRYEMADHIT PARA PROTESTES

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/1470936719685732/

ORA 09:30 -Burime nga PD: Rama, Arta Marku Prokurorja e re e Përgjithshme e Përkohshme

Edi Rama i ka dhënë fund dilemave për emrin që do të zëvëndësojë Adriatik Llallën. Arta Marku do të jetë Prokurorja e re e Përgjithshme e Përkohshme, e konfirmuar nga socialistët, që duket se do të dalin me vetëm një kandidaturë në votim. Vendimi iu është njoftuar deputetëve të PS-së nga Rama që në fillim të mbledhjes së grupit parlamentar, ka mbajtur një fjalë të shkurtër para tyre. Në momentet e fundit të mbledhjes, deputetët e PS janë vënë në rresht të hedhin firmat e nevojshme për propozimin e Ramës për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme.

ORA 09:00- Protesta, PD mbledh grupin parlamentar

Pak para seancës për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm, Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar. Një ditë më parë Lulzim Basha mblodhi tryezën e aleatëve në përkrahje të protestës së sotme. “Mbledhja e tryezës se aleatëve të PD në përkrahje të protestës kundër puçit kushtetues. Interesi i Ramës është të mbyllë dosjen e Saimir Tahirit dhe të dosjeve të tjera të krimit. Rama ka një qellim, të emërojë një prokuror politik për të mbrojtur pushtetin e tij të inkriminuar. Nëse nesër Edi Rama çon në fund puçin kushtetues, e bën me kosto të madhe, asgjëson reformën në drejtësi dhe bashkëjetesën demokratike”, deklaroi Basha mbrëmjen e të dielës.

ORA 08:20 – Polica rrethon Parlamentin

Një kordon me policë është krijuar përreth parlamentit nga Policia sot, në pritje të fillimit të protestës së opozitës kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Situata është në qetë. Policia qendron e rreshtuar ndërkohë që punonjës së PD-së janë duke ndërtuar një podium përpara tyre prej nga ku do të flasin krerët e PD, LSI dhe partive të tjera opozitare.

 

SHKARKO APP