Zv/kryeministrja Mesi sulmon drejtorin e Emergjencave Premçi
Përmbytjet e javëve të fundit në Shkodër kanë shfaqur në publik dhe përplasjen e ashpër brenda institucioneve të mazhorancës. Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi dhe zëvendëskryeministrja, Senida Mesi kanë kundërshtuar njeri-tjetrin lidhur me situatën alarmante që është në këtë qark, si pasojë e përmbytjeve.
Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi ka bërë thirrje që në mbledhjet e Komisionit të Emergjencave në Shkodër të jetë edhe prokurori i rrethit. Ai deklaroi se Prokuroria duhet të hetojë punimet që janë kryer në disa rrugë të kësaj zone. Sipas tij, cilësia e dobët e punimeve kryesisht në rrugën e Velipojës ka sjellë dhe situatën alarmante të përmbytjeve.
Prençi deklaroi se rrezikohen që argjinaturat të çahen për shkak të nivelit të lartë të ujit dhe se ato duhet të monitoroheshin 24 orë. “Është e pafalshme që të ndërtohet një rrugë si ajo e Velipojës pa marrë parasysh përmbytjet e vitit 2010. Punimet duhet të ndalen urgjentisht dhe prokuroria të nisë një hetim për punimet në rrugën e Velipojës. Punimet të fillojnë pasi prokuroria të përfundojë hetimet për rrugën e Velipojës. Investimi në rrugën e re të Velipojës është skandaloz. Të thirret në këtë tryeze edhe Benet Beci.”,- tha Prençi.
Drejtori i Emergjencave deklaroi se në disa zona të prekura në Shkodër duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Por edhe pse përfaqësuesi i qeverisë për emergjenca e cilëson situatën si alarmante, i njëjti vlerësim nuk është bërë nga ana e Qeverisë. Konkretisht Zëvendëskryeministrja, Senida Mesi deklaroi sot se nuk është nevoja që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Ajo ka sulmuar direkt dhe drejtorin e institucionit qeveritar Shemsi Premçi.
“Nuk dua te merrem me deklarata emotive. Gjendja po vlerësohet, inxhinierët e firmave janë në terren. Nëse rruga ka problematika ato do rishihen dhe do zgjidhen. Situata është e tillë që po e menaxhojmë. Te gjitha strukturat janë në terren. KESH ka akorduar 10 mln lekë të reja për këto banore si ndihme për nevojat që kanë”,– tha zv/kryeministrja, Mesi.
Në replikat e institucioneve bie në sy jo shqetësimi për banorët, por halli i sherreve mes qeveritarëve. Premçi sulmoi publikisht kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, i cili drejton institucionin që është përgjegjës për ndërtimin e rrugëve ku kanë ndodhur përmbytjet. Në vend të marrjes së masave për përmbytjet, qeveria dhe konkretisht zv/kryeministrja nuk merret me banorët, por me drejtorin e emergjencave civile.
Përmbytja në Shkodër veç problemeve të zakonshme me emergjencat po nxjerr dhe themelet dhe problemet reale të qeverisjes. Por pyetur në zyrat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit në lidhje me çfarë ka thënë Shemsi Premçi, thonë se rruga e Velipojës nuk ka asnjë lidhje me përmbytjet në Shkodër.
Nuk dihet nëse do ti qëndrojë akuzës së tij drejtori i Emergjencave, Premçi apo ka marrë ndonjë kërcënim nga kryeministrit dhe do ta ndryshojë qëndrimin e tij shprehur live në media.
DEKLARATA E SHEMSI PRENCIT