Përplasja po vjen me nxitim. Kryeministri hedh benzinë zjarrit opozitar

Të gjitha zhvillimet e muajve të fundit, në politikë, ngjajnë si shkreptimat e para të stuhisë që pritet të mbërrijë para zyrës së Edi Ramës. Akuzat, skandalet dhe së fundi paditë janë elementë që vetëm sa i largojnë palët nga normaliteti dhe përcaktojnë përplasjen si e vetmja zgjidhje për të normalizuar situatën.

Tensioni më i fundit dhe që tregon sesa larg kanë shkuar palët ishte ajo që ndodhi dje në Bruksel, në takimin e Komisionin e Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE. Ky nivel takimesh në Parlamentin e BE shërben për të bindur eurodeputetët për arritjet që ka bërë Shqipëria. Zakonisht, pozita dhe opozita megjithë sherret që kanë në Tiranë, kur janë paraqitur në Bruksel janë munduar të jenë pak më qytetarë dhe një pjesë të retorikës sulmuese politike e kanë lënë në shtëpi, në Shqipëri. Por dje u pa një nga shfaqet më të shëmtuara të parlamentarizmit shqiptar, pavarësisht se i kujt është faji. Opozitarët kërkuan që në krye të delegacionit të mos jetë Taulant Balla. Sipas tyre, një deputet që dyshohet si i lidhur me krimin dhe gjithë skandalet e fundit në vend nuk mund të flasë për integrimin. Ndërsa socialistët u hodhën në mbrojtje duke deklaruar se në mesin e deputetëve të opozitës në PE kishte mashtrues që ishin paditur për shpifje. Se cila është e vërteta në këto, publiku ende nuk e ka krejt të qartë, por sherri mes opozitës dhe qeverisë i ka shokuar dhe vetë eurodeputetët. Teksa PD dhe PS sulmuan me gjuhën e Babales njëra-tjetrën në Bruksel është e kotë të flitet më për integrim dhe çelje negociatash.

Qeveria po tregohet e dhunshme, a thua se gjithçka e ka bërë mire, ndërkohë skandalet nuk ndalojnë në anën e mazhorancës. Kryeministri në vend që të gjejë ura komunikimi zyrtar dhe me dashamirësi, po i hedh “benzinë” zjarrit opozitar. Ndaj dje e çuan sherrin edhe në zyrat e BE në Bruksel, duke lemerisur edhe parlamentarët europianë.

Në Tiranë ka kohë që kacafytja e deklaratave publike ka helmuar normalitetin politik. Ato që opozita i quan skandale qeveritare si dosja “Tahiri”, “Xhisiela”, “Babalja” dhe abuzimet e tjera, qeveria po u përgjigjet me provokime të tjera. Një seri padish për shpifje ndaj deputetëve të opozitës, ende pa vendosur gjykata se çfarë janë të vërtetë këto dosje, më shumë se vendosin në vend nderin e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, krijojnë idenë e një qeverie që ka vënë në rresht Prokurorinë. Po bëhen gati 10 padi për shpifje ndaj deputetëve të opozitës dhe dy gazetarëve. Pas çdo deklarate të opozitës ka një proces gjyqësor nga ana e qeverisë. Nëse kryeministri vijon të këmbëngulë në këtë pikë, shumë shpejt do të kemi gjithë deputetët e opozitës në bankën e të akuzuarve. Mes deklaratave të PD mund të ketë edhe shpifje, por një kryeministër që dënon gjithë opozitën, pas ca kohësh mund të duket si Prokuror i sektorit të agjitacion propagandës dhe jo si lideri i mazhorancës që është votuar të qeverisë.

Natyrisht që këtu ka edhe luftë nervash, por si rregull kur je në pushtet duhet ti kontroll nervat dhe arrogancën.

Kjo luftë padish dhe akuzash vjen në momentin më të keq për vendin, kur institucionet e drejtësisë janë në kolaps, bile drejtësia ka vdekur. Gjykatat që janë institucionet që do përcaktonin fajtorin sot ose janë shkrirë si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, ose ata pak gjyqtarë që kanë ngelur janë qytetarët më të shantazhueshëm të Shqipërisë. U detyrua Presidenti i Republikës të deklaroi se pa gjykatë kushtetuese realisht nuk ka as Kushtetutë. Dhe pa Kushtetutë funksionale nuk ka drejtësi në vend. Pa drejtësi nuk ka liri, nuk ka ligj që zbatohet dhe nuk ka asnjeri që e kontrollon pushtetin.

Me Vettingun në dorë qeveria, edhe pa ndërhyrë fare, mund të fitojë të gjitha proceset, jo vetëm ndaj opozitës. Ndërkohë institucionet e drejtësisë së re që po ngrihen, që tani janë vënë nën akuzë si të njëanshme nga opozita. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, bashkë me qeverinë, shumicën e bashkive, prokurorinë dhe gjithë institucionet e tjera, të cilat kryeministri i ka kapur, atëhere kapja e drejtësisë do të shënonte dhe marrjen e gjithë pushteteve në një dorë të vetme. Dhe në këtë pikë, kur opozitës ia ke marrë të gjitha pushtet kontrolluese dhe e dënon se përse flet, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të dalë në rrugë. Dhe qëndrimet e gjithë opozitës drejt kësaj linje shkojnë. Për koalicionin opozitar reforma në drejtësi ka dështuar dhe në qeveri “kemi një bandë që po fsheh krimet”.

Me apo pa dashje Edi Rama po i shërben acarimit të opozitës. Tani duket se përplasja është vetëm çështje kohe. Nuk do të jetë përplasje e cila kalon me një deklaratë policie pas djegieve.

Po shkohet me shumë se sa kjo.

Qamil Xhani

SHKARKO APP