Petrit Vasili: Kjo qeveri duhet rrëzuar se është armike e qytetarëve
Nga Jonida Halili.
Petrit Vasili është kryetar i grupit parlamentar të LSI, i cili përherë ka mbajtur qëndrim të prerë në raport me kryeministrin Rama. Edhe kur PD-ja luhatej mes sulmit dhe pazarit me Edi Ramën, ai insistonte se “ky kryeministër duhet rrëzuar me çdo kusht”. Dhe e argumentonte, sipas tij, se Edi Rama është edhe ministër për çdo dikaster, edhe kryeministër. Edhe drejtor, edhe mik i të inkriminuarve.
Kjo është aksiomë e Petrit Vasilit dhe natyrisht e LSI, ku ai drejton grupin parlamentar. Me sa duket prej disa javësh PD-ja dhe Lulzim Basha u bindën se nuk ka asnjë shans që kryeministri dhe qeveria të ndryshojnë kurs, që të luftojnë krimin dhe korrupsionin, pasi edhe nëse Policia e Shtetit ka filluar përmirësimin e imazhit nga koha e kanabisit të ish-ministrit Sajmir Tahiri, prapë ndeshet me deputetë të PS-së të cilët janë të përzier në krimin e organizuar. Deputetë të tillë janë sjellë nga PS me firmën e Edi Ramës.
Përveç këtyre, qeveria nuk po rrit pensionet, nuk po shton mirëqënien. Përkundrazi. Taksat dhe tarifat vetëm rriten. Punë nuk ka. Qeveria nuk ndryshon mënyrën e qeverisjes, nuk bën autokritikë, nuk jep shpresë.
Ndaj Petrit Vasilit, sa më shumë kalojnë ditët, i jepet të drejtë për kryeministrin, të cilin e quan “fatkeqsi” për kombin.
Në një prononcim për “Koha Jone” në lidhje me protestën e 26 majit, numri një i grupit parlamentar të LSI tha se duhet me çdo kusht e mjet demokratik ta rrëzojmë këtë qeveri korrupsioni, mafie dhe që vetëm tregon arrogancë. Petrit Vasili theksoi se dhjetra mijë anëtarë dhe simpatizantë të LSI do vijnë për të rrëzuar kryeministrin Rama me gjithë qeverinë e tij korruptive.
Ndërsa Flamur Noka, deputet i PD-së shkroi sot në Facebook se demokratët duhet të shtunën me datë 26 maj të jenë bashkë me gjithë opozitarët për të larguar qeverinë e Edi Ramës.
Me sa duket e shtuna, datë 26 maji, do jetë finalja e rrëzimit të kryeministrit.