Petrit Vasili: LSI i bashkohet protestës së artistëve për Teatrin
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i bashkohet protestës së artistëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Vasili u shpreh se është detyrë e çdo qytetari që të rreshtohet në krah të artistëve për të mbrojtur vlerat historike dhe kulturore të kombit.
Vasili tha se projekti i qeverisë për ndërtimin e një teatri të ri duke shembur atë ekzistuesin nuk është zhvillim, por grabitje. Ai tha se projekti që i jep tokën shtetërore një privati me procedurë të veçantë e të përshpejtuar është një shkelje flagrante ligjore që duhet të shqetësojë qytetarët dhe ndërkombëtarët. “Në Shqipëri nuk sundon më shteti ligjor, por sundon anti-ligji i cili është ulur këmbëkryq në Kryeministri. Në krye të paligjshmërisë është kryeministri i vendit. Ky ligj është një njollë e zezë për Shqipërinë. Me këtë ligj qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se çdo gjë mund t’u rrëmbehet”,– tha Vasili.
Në emër të LSI-së, Vasili u shpreh se çështja e Tetarit Kombëtar nuk është debat vetëm për një godinë, por për gjithë sistemin. Ai shtoi se me anë të këtij projekti, Edi Rama dhe qeveria po godasin gjithë shqiptarët. “Projektligji skandaloz është një kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Jo vetëm po vidhet prona, jo vetëm po shkatërrohet identiteti, por edhe po denigrohet dhe poshtërohet një komunitet i respektuar siç janë artistët”,- deklaroi Petrit Vasili.
Për të gjitha këto arsye, Vasili tha se LSI në seancën e Kuvendit do të kundërshtojë fort kalimin e këtij ligji. Ai gjithashtu u shpreh se LSI solidarizohet me gjithë artistët që kanë dalë në mbrojtje të pronës publike dhe vlerave historike të Teatrit Kombëtar.
“Ne do të kundërshtojmë miratimin e këtij ligji në Kuvend, njëherazi solidarizohemi me protestën e artistëve, e cila jep një mesazh të madh për gjithë Shqipërinë. Ne do ta mbështesim këtë protestë si forcë politike, por edhe si qytetarë që duam jo vetëm artin, por edhe ligjin”,- tha Petrit Vasili.
Të enjten, mazhoranca e PS pritet të votojë ligjin e kundërshtuar nga artistët dhe opozita. Ndërkohë, artistët dhe qytetarët kanë bërë thirrje për një protestë të madhe para Kuvendit, në kohën që do të hidhet për votim ky projektligj.
https://www.facebook.com/petritvasil/videos/1889549441344879/
Deklarata e plotë për mediat e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar:
Grupi Parlamentar i LSI-së mori në shqyrtim momentet politike më të rëndësishme që kanë karakterizuar jetën politike të vendit në ditët e fundit. Dhe sigurisht shqyrtoi dhe vendimmarrjen e tij politike lidhur me seancën e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për fat të keq në seancën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë, seancë e cila zhvillohet menjëherë pas një dështimi të jashtëzakonshëm siç qe ai i moshapjes së negociatave për antarësi në BE. Në vend që të kishte një reflektim të thellë për mënyrat arrogante, korruptive të një qeverisjeje të kriminalizuar, kemi një akt tjetër shembullor të një pacipësie pafund, që lidhet me grabitjen në mes të ditës së pronës shtetërore dhe të dhunimit të të gjithë bushtit kulturor shqiptar.
Është pikërisht ligji për Teatrin, ligj i cili, po informojmë paraprakisht opinionin publik që Grupi Parlamentar i LSI-së do ta votojë tërësisht kundër dhe ky është një vendim unanim i grupit dhe shumë i motivuar, pasi lidhur me këtë ligj e vetmja gjë që mund të thuhet fare thjesht, është që në Shqipëri nuk mbizotron dhe nuk sundon shteti i së drejtës. Shteti që ecën dhe qeveris me ligje por sundon tërësisht antiligji i cili është ulur këmbëkryq në kryeministrinë e vendit dhe udhëhiqet nga një inspirues dhe promovues i paligjshmërisë, në rresht të parë e në vijë të parë që është pikërisht kryeministri i vendit. Ky ligj besoj, është një ditë e zezë për Shqipërinë, për qytetarët shqiptarë të cilët kuptojnë që çdo gjë mund tu rrëmbehet, mund tu rrëmbehet prona publike që na përket të gjithëve së bashku, mund tu destrukturohet dhe goditet në themel kultura. Mund të përçmohen dhe të poshtërohen me të gjitha mjetet që pushteti disponon, artistë dhe artiste të ndërruar të cilëve karrierën nuk ua ka ndërtuar politika por talenti i tyre. Dhe ku sistemi i poshtërimit dhe grabitjes publike të kthehet në një sistem unik që të qeverisë totalisht vendin. Pikërisht për këto arsye të mëdha, pasi prona publike, trajtohet tamam si një plaçkë tregu, në funksion të oligarkëve dhe interesat nga më të egra dhe më të pista financiare, pikërisht dhe për këtë arsye vendimi ynë është pikërisht kundër këtij ligji i cili do të shpaloset dhe në sallën e parlamentit nga të gjithë anëtarët e Grupit Parlamentar të LSI. Njëherazi ne solidarizohemi plotësisht me protestën e vazhdueshme, shumë të motivuar, shumë të drejtë, protestë e cila është mesazh i madh për të gjithë Shqipërinë i artistëve çdo ditë te teatri Kombëtar. E kemi mbështetur, do ta mbështesim këtë protestë dhe si njerëz të politikës dhe si përfaqësues të LSI. Por në rradhë të parë do ta mbështesim si qytetarë të mirë të Shqipërisë të cilët e duan artin por duan edhe ligjin. Në këtë rast shkelja, dhunimi, nëpërkëmbja e ligjit dhe shkelja, nëpërkëmbja e identitetit kulturor dhe në vend të dhënies së një kontributi të madh për artin dhe kulturës, jepet pikërisht e kundërta.
Stabilizohet një inkuizicion i ri ku injoranca bën festë në raport me dijen, në raport me artin, në raport me kulturën, në anën e shtetformimit dhe jo të shtetzhbërjes, siç po synon të bëjë me çdo kusht kryeministri i vendit. Njëherazi Grupi Parlamentar rimori në shqyrtim mbas tallovisë së jashtëzakonshme qeveritare, mbas mos hapjes së negociatave, ku një palaçollëk i pafund qeveritar është përpjekur të shpjegojë dështimin për sukses, ndëshkimin e rreptë të Europës për vlerësim e të tjera turpe si këto. Qëndrimi ynë është shumë i thjesht dhe i qartë, dështimi nuk mund të shitet në asnjë rast për sukses. Po, qeveria e kryeministrit Rama, pasi ajo e personalizoi procesin, nuk preferoi kurrë të ketë dialog me opozitën, pasi preferoi vetëm zgjedhjet e njëanshme. E mbështetur pse jo, edhe nga ndokush tjetër, jo shqiptar në Tiranë, preferuan të ecnin në këtë rrugë, të absurditetit dhe të arrogancës së vetë, dhe morën ndëshkimin e rradhës. Është fare e qartë dhe duam ta bëjmë të qartë edhe njëherë në mënyrë publike, që nuk ka pasur dhe nuk ka hapje të negociatave. Këshilli Europian ka vendosur qartë që në verën e vitit që vjen, të rihapet dhe të diskutohet nëse do mund të vendoset për hapjen ose jo të negociatave. Normalisht, Shqipëria ka marrë një shuplakë akoma më të rëndë, sigurisht për shqiptarët të pamerituar, pasi zgjedhjet e lira, rivendosja e organeve të larta të sistemit gjyqësor janë imperative. Është theksuar pandëshkueshmëria e të korruptuarëve dhe të inkriminuarëve kriminal të mëdhenj të shtetit me një sistem të thellë të fortë mbrojtje politike, i cili i mbron ata nga arrestimi, pasi të tërë banditët mbrojnë njëri-tjetrin në këtë rast. Dhe të tëra këto kushte, njëri më poshtërues se tjetri, të cilat nuk kanë qenë më parë, nuk kanë qenë as në rekomandimin historik të vitit 2016, pasi ai ka qenë rekomandim historik, pasi qe i pari në historinë e Shqipërisë si i tillë, ndonëse pastaj qeveritë i shpërdoruan të gjitha shanset që dha Europa, dhe në vend të pesë kushteve, u shndërruan në 13, dhe të përkthyera në nënkushte të tjera janë edhe shumë e më shumë më tepër se sa kaq. Pikërisht për këto arsye të mëdha, mendimi politik dhe vendimi politik i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim është që të ketë një reflektim të fortë për të kuptuar arsyet dhe për të hyrë në themel të arsyeve të dështimit. Ne e kemi identifikuar shkakun. Shkaku kryesor ka qenë dhe mbetet personalizimi, arroganca dhe destruktizmi i jashtëzakonshëm i një kryeministri, edhe të inkriminuar por edhe të papërgjegjshëm njëherazi, të cilat kanë futur vendin në një qorrsokak të jashtëzakonshëm dhe përsa i takon aspiratës së integrimit e kanë futur në rrugën e saj më të errët se kurrë më parë. Pikërisht për këtë arsye, zgjidhja politike mbetet një zgjidhje e vetme, pasi dhe politika e shtrembër, arrogante, korruptive dhe e inkriminuar e qeverisë, ka krijuar këtë qorrsokak të madh për shqiptarët, të cilëve rruga e mbyllur e integrimit u krijon të vetmin alternativë rrugën tjetër, më tragjiken, largimin dhe braktisjen e Shqipërisë. Ne jemi të gjithë së bashku si opozitë, të motivuar si asnjëherë më parë, që ti themi jo, ti kundërvihemi si asnjëherë më parë, dhe duke e identifikuar qartë se cili është problemi dhe përqendrimi politik i yni do të jetë pikërisht në një betejë të përditshme me këtë arrogancë dhe papërgjegjshmëri qeveritare, e cila rrëmben pronën publike, rrëmben pronën private, rrëmben të drejtat e njeriut, e cila lë mjaft të mitur në burgje dhe në paraburgim të pagjykuar, pra që praktikisht e ka futur Shqipërinë në një autokraci të denjë për vendet e Afrikës.