Petrit Vasili: PS groposi parlamentarizmin
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar për seancën e sotme në Kuvend dhe mos dhënien e fjalës opozitës. Vasili shprehet se Edi Rama ka urdhëruar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi që t’i heq të drejtën e fjalës opozitës.
Duke e cilësuar këtë si një shkelje kushtetuese, Vasili thotë se sot vendi nuk ka më kryetar parlamenti dhe as rregullore të Kuvendit. Heqjen e të drejtës së fjalës, Vasili e cilëson si shkeljen më të rëndë të parlamentit pluralist.
“Të drejtën për tu tërhequr nga diskutimet e ka vetëm çdo deputet individualisht apo kryetari i grupit parlamentar në emër të të gjithë grupit dhe askush tjetër. Kjo nuk ndodhi dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët ditën për diell. Pra banditët e maxhorancës të mbështetur nga Ruçi i grabiten opozitës të drejtën e patjetërsueshme të fjalës, të garantuar me rregullore e kushtetutë. Kjo është ngjarja më e rëndë e të gjithë parlamentit pluralist”,- shprehet Petrit Vasili.
Reagimi i plotë i kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili:
“Ruçi groposi parlamentin, rregulloren e kuvendit dhe veten, ndërsa Edi Rama qesh me të.
Kryetari i parlamentit groposi sot gjithçka në parlament. Ai hodhi për votim dhe votoi mbylljen e diskutimeve me kërkesë të maxhorancës dhe vetëm me votat e saj, pa pasur asnjë kërkesë apo dakordësi nga opozita, që ajo të tërhiqej nga diskutimet.
Të drejtën për tu tërhequr nga diskutimet e ka vetëm çdo deputet individualisht apo kryetari i grupit parlamentar në emër të të gjithë grupit dhe askush tjetër. Kjo nuk ndodhi dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët ditën për diell.
Pra banditët e maxhorancës të mbështetur nga Ruçi i grabiten opozitës të drejtën e patjetërsueshme të fjalës, të garantuar me rregullore e kushtetutë.
Kjo është ngjarja më e rëndë e të gjithë parlamentit pluralist.
Ruçi me vullnet të plotë dhe si mashë e verbër e kryeministrit halabak, e mori vetë përsipër një vendim të tillë dhe varrosi integritetin juridik të drejtimit të parlamentit dhe të tijin personal.
Tash e tutje parlamenti nuk ka as kryetar parlamenti dhe as rregullore.
Çdo belbëzitje e kryetarit të parlamentit për gjoja respektimin e rregullores dhe etikes është as më shumë dhe as më pak se sa një faqe turpi më shumë drejt një mbylljeje të përlyer dhe pa asnjë dinjitet e karrierës se tij të gjatë politike, që Edi Rama ja doli t’ja ndyje në mënyrë të pakthyeshme”.