Petrit Vasili: Rama po dëmton pozitën e Shqipërisë në NATO

Petrit Vasili, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka akuzuar Edi Ramën se ka mashtruar kur ka thënë se buxheti i mbrojtjes do të jetë 2%. Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së, Vasili tha se “Edi Rama gënjeu për buxhetin e Mbrojtjes, kur tha 2%. Buxheti i Mbrojtjes është vetëm 1.2%. Kryeministri ka lajthitur, 1.2 e quan 2. 2% i shpenzimeve për mbrojtjen do të arrihet në vitin 2024”, tha Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI-së ju referua deklaratave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, në të cilat thuhet se Shqipëria ende nuk ka arritur nivelin e kërkuar nga vendet anëtare të NATO-s për dhënien e fondeve 2 përqind për mbrojtjen.

Teksa përmendi këto shifra, kreu i deputetëve të LSI-së bëri dy akuza të ashpra ndaj kryeministrit. Ai tha se gënjeshtrat para Budestagut gjerman janë një shfaqe e shëmtuar e mungesës së seriozitetit nga ana e qeverisë.

Por ajo çfarë është më e rëndësishme lidhet me qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj NATO-s. Vasli tha se Edi Rama po dëmton euroatlantizmin e Shqipërisë dhe pozitën tonë në NATO. Dhënia e 2 përqind të buxhetit të shtetit për mbrojtjen është një detyrim i vendeve anetare të NATO, por së fundi dhe një kërkesë e Presidentit të SHBA, Donald Trum.

“Dua këtu t’ju kujtoj, për të hedhur dritë mbi strategjinë e errët për të dëmtuar euroatlantizmin shqiptar, që Presidenti i SHBA-ve, Trump, dy herë rradhazi, kur i drejtohej Kongresit në 1 Mars 2017 thoshte: Partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare, dhe tani bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar ta bëjnë pikërisht këtë. Po përsëri Presidenti Trump thotë në 25 Maj 2017, kur inagurohej selia e re e NATO-s. “Këto shqetësime të thella janë të njëjta arsye përse kam qenë i drejtpërdrejtë me Sekretarin Stoltenberg, duke thënë se anëtarët e NATO-s, duhet të kontribuojnë më në fund për përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare”,- tha kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili.

Deklarata e plotë për media e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Jam sot përpara jush, jo vetëm me një shqetësim të lartë politik, por me indinjatë të thellë lidhur me rolin shumë negativ të kryeministrit të vendit të z.Edi Rama lidhur me çështjet e mbrojtjes së vendit, të ushtrisë së Shqipërisë dhe të raportit të Shqipërisë me NATO-n. Absolutisht në mënyrë të padiskutueshme, raporti dhe orientimi euroatlantik i Shqipërisë është një orientim i pandryshueshëm dhe një nga arritjet më madhore të politikës shqiptare. Por njëkohësisht dhe një investim madhor për sigurinë e vendit dhe për raportin e tij ndërkombëtar.

Prania jonë në NATO është e lidhur me kushte të domosdoshme dhe të pakapërcyeshme, të cilat ne kemi detyrim ti zbatojmë për të qenë pjesë e kësaj aleance, dhe njëherazi pse jo përfitues të mbështetjes së saj shumë të rëndësishme dhe shumë të fuqishme botërore. Konkretisht, Edi Rama në Gjermani, pak ditë më parë në datën 26 prill 2018, i pyetur nga mediat gjermane lidhur me NATO-n, i pyetur saktësisht po në lidhje me shpenzimin e 2% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe për ndërtimin e një ushtrie europiane, është pyetja, Edi Rama kryeministri i Shqipërisë përgjigjet: Ne tashmë shpenzojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO.

Kjo është përgjigja e Edi Ramës. Po ua përsëris, Edi Rama thotë: ne tashmë prodhojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO. Pyetja ime është: Kjo përgjigje, ky mashtrim shumë i rëndë publik është vazhdimi i strategjisë anti-euroatlantike të Edi Ramës, apo në rastin më të mirë është një dalje nga kontrolli i sistemit psiqik dhe i manisë për tu kthyer në një gënjeshtar global, që e bën të deklarojë?!

Publiku i gjerë do të pyesë përse i bëj këto deklarime kaq të rënda? Jo më larg se sa 10 ditë më parë, në 16 prill, pra 10 ditë përpara se Edi Rama të deklarojë, në takimin nëpërmjet Olta Xhaçkës, Ministres së Mbrotjes së Shqipërisë dhe Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mattis, Mattis deklaron: Të gjithë tregojnë se Shqipëria është e përgatitur për të luajtur një rol në Ballkanin Perëndimor, siç tregon dhe angazhimi juaj, – i thotë zonjës Xhaçka, për të shtuar buxhetin e Mbrojtjes në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2024, pra nuk e thotë që e ke realizuar, por i thotë deri në vitin 2024. Çfarë thotë Ministrja e Mbrojtjes, dhe sa është buxheti i mbrojtjes, ai buxhet në të cilin është futur spitali i Traumës, helikopterët dhe çfarë nuk kanë futur.

Materiali është marrë, as më shumë e as më pak, nga webi i Ministrisë së Mbrojtjes,  nuk është material i opozitës. Dhe thuhet: projektbuxheti- në momentin kur paraqitej projektbuxheti i vitit 2018, pra ky buxhet që kemi në fuqi, ka një rritje të ndjeshme me vitin e kaluar, duke arritur në vlerën 1.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas Ministres Xhaçka. 1.2%!! Tani unë e di që kryeministri i Shqipërisë shkollën e dini, si e ka, e ka me probleme, 1.2-shin e lexon për 2-sh, do të thotë që shikon atë dyshin në fund dhe thotë e kemi 2%. 1.2% thotë Ministrja e tij. Dhe çfarë thoshte gjithashtu Ministrja po ku prezantonte projektbuxhetin: Shqipëria ka marrë një angazhim në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që buxheti i Mbrojtjes deri në vitin 2024 të arrijë në vlerën 2%. Këtë e thotë Ministrja e Mbrojtjes. Ndërkohë që kryeministri, po ja u kujtoj prapë, të mos e harroni asnjëherë, thotë Edi Rama: Ne tashmë shpenzojmë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Nato. Ministrja e tij thotë 1.2% dhe kemi marrë përsipër në Samitin e Uellsit ta çojmë në 2% në vitin 2024 dhe njëkohësisht kemi dakordësuar me Ministrinë e Financave një plan për rritjen e buxhetit të Mbrojtjes deri në vitin 2024. Dua këtu t’ju kujtoj, për të hedhur dritë mbi strategjinë e errët për të dëmtuar euroatlantizmin shqiptar, që Presidenti i SHBA-ve, Trump, dy herë rradhazi, kur i drejtohej Kongresit në 1 Mars 2017 thoshte: Partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare, dhe tani bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar ta bëjnë pikërisht këtë. Po përsëri Presidenti Trump thotë në 25 Maj 2017, kur inagurohej selia e re e NATO-s. “Këto shqetësime të thella janë të njëjta arsye përse kam qenë i drejtpërdrejtë me Sekretarin Stoltenberg, duke thënë se anëtarët e NATO-s, duhet të kontribuojnë më në fund për përmbushjen e detyrimeve të tyre financiare”.

Pra nëpërmjet një individi që drejton Shqipërinë, që për një aleancë strategjike të jashtëzakonshme për nga rëndësia e saj siç është NATO, deklaron pa ju dridhur syri fare, se ne tashmë shpenzojmë 2% të buxhetit për NATO-n, kjo e dhënë për NTV-në gjermane, ja ku është e zbardhur, 2%, Ministrja e tij pranon që shpenzojmë 1.2% dhe Sekretari I Shtetit të SHBA-ve për Mbrojtjen thotë që 2% do të arrihet vetëm në vitin 2024, po të kishte një minimum respekti, jo për shqiptarët, por për veten e tij, i zënë në flagrancë, në këtë mashtrim të tillë publik, ku strategjia e errët dhe padija bëhen bashkë, më e pakta duhet të kishte dhënë dorëheqjen pa ja kërkuar kërrkush, vetëm duke e konstatuar vetë. Por pozicioni i gënjeshtarit global është një lajm i zi për shqiptarët, por edhe për kryeministrin vetë, i cili ka marrë përsipër të hyjë në këtë rrugë të errët, për të nxjerrë Shqipërinë nga shinat e integrimit euroatlantik. Pasi me drogë dhe trafiqe pengoi dhe po pengon rëndë integrimin europian, se ato po na pengojnë për tu hapur negociatat.

Nga ana tjetër, gënjen partnerët tanë, deri përtej oqeanit, Presidentin Trump, Sekretarin e Shtetit të Mbrojtjes, publikun gjerman, publikun e gjerë europian, që me deklaratat e tij thotë i kemi 2%, dhe me gjithë këto deklarime të rënda, shqiptarët duhet të kuptojnë më së fundi qartë, se kush është kryeministri i rrezikshëm i tyre, qoftë në pikëpamje të moralit, qoftë në pikëpamje të politikës që bën, qoftë në pikëpamje të padijes së tij ekstreme.

SHKARKO APP