Plagosja e kryebashkiakut/ VOA: Mundet edhe çështje parash! PD: Pazare droge!

Nga VOA/

Kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu mbetën sot të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate në mjediset e zyrës së drejtuesit lokal të qytetit. Mjeti shpërthyes mësohet të jetë hedhur nga Gëzim Saraçi, ish shoferi i zotit Tushe. Kryebashkiaku dhe sekretarja e tij u dërguan menjëherë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Mjekët deklaruan se zoti Tushe ka patur dëmtime të lehta, vetëm në kraharor, ndërsa zonja Qalliu, ka pësuar dëmtime të kockave në fytyrë, por është jashtë rrezikut për jetën.
Motivet janë ende të paqarta.

Një nga pistat e hetimit është ajo e pushimit të Saraçit nga puna, ndonëse e ndodhur më shumë se dy vjet më parë, por nuk përjashtohen dhe shkaqe që nuk lidhen me marrëdhënie thjesht institucionale.

Sipas asaj që kanë treguar dëshmitarë okularë, referuar mediave lokale, të dy kanë qenë duke debatuar përpara Bashkisë për çështje parash, ndërsa janë ngjitur me pas drejt zyrës së kryebashkiakut.
Policia njoftoi se ka nisur kontrolle të shumta në zonë, përfshirë njësitë e forcave speciale, për kapjen e Saraçit.

Sipas Partisë Demokratike ngjarja e sotme e ka burimin te “prishja e pazareve mes kryebashkiakut dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni. Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij”, theksoi opozita në një deklaratë për ngjarjen./ Zëri Amerikës/

Ndërsa TCH shkruan: “Top Channel ka mësuar se si kanë rrjedhur ngjarjet. Në orën 8 e 15 minuta në ambjentet e bashkisë së Lushnjes ka hyrë ish shoferi i kryebashkiakut. Për shkak të njohjes dhe miqësisë që ai ka patur me kryebashkiakun nuk është ndaluar nga rojet dhe as nga sekretarja të cilës i ka thënë që mos lejojë të hyjë askush në zyrën e Tushes për sa kohë është ai
Pas disa minutash në zyrën e kryebashkiakut dëgjohen zëra të fortë ndërsa kishte nisur një konflikt verbal. Sekretarja Erisa Qalliu ka hapur derën e zyrës për të parë çfarë po ndodhte ndërsa Gëzim Saraçi, ka hequr siguresën e granatës dhe e ka hedhur atë.
Për pasojë nga shpërthimi, sekretarja është dëmtuar më shumë, ndërsa kryebashkiaku është më lehtë. Të dy janë dërguar në spitalin Ushtarak, por pas kurimit të parë Tushe ka dalë prej andej ndërsa sekretarja po trajtohet
Por përse ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë e paprecedentë. Nga burime brenda bashkisë thuhet se konflikti ka lindur në vitin 2017 kur kryebashkiaku e largoi nga puna ish shoferin e tij pasi thuhet se kishte marrë sinjalizime për shfrytëzim të pozitës së tij nga ana e shoferit përballë bizneseve.
Megjithatë ish shoferi vijonte të ishte në borderotë e bashkisë së Lushnjes. Sipas dëshmive thuhet se ish shoferi vazhdimisht përplasej me kryebashkiakun duke e shantazhuar me ekzistencën e videove që kërcënonte se do t’i bënte publike.
Por nga rrjedhja e ngjarjeve tregon se Tushe ka refuzuar që të bëhet viktimë e shantazhit duke sjellë edhe reagimin ekstrem të ish shoferit të tij. Ndërkohë policia ka marrë të gjitha provat, përfshi edhe pamjet e kamerave të sigurisë në bashkinë e Lushnjes si dhe ka marrë në pyetje punonjësit.
Ndërkohë që po shikohet edhe dosja penale e personit në kërkim. Ai mendohet se ka një të kaluar problematike gjatë kohës kur ka jetuar në Itali. Sipas Partisë Demokratike autori i ngjarjes është një trafikant droge dhe prostitucioni i cili ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes./tch/

SHKARKO APP