Meta, njeriu i konsensusit PS-PD
Pas një sherri disa mujor mes PS e PD për Reformën në Drejtësi dhe pas një spirale tejet të rrezikshme parmbrëmë mes selisë rozë dhe asaj blu, dje paradite filloi seanca parlamentare nën një klimë tensioni, e cila nëse nuk do ta menaxhonte dhe të këmbëngulte për konsensus kreu i parlamentit Ilir Meta, me siguri që tani do të kishim mandate deputetësh të PD-së të djegur në sallën e kuvendit dhe një fillimrevolte të turmave demokrate kundrejt qeverisë Rama. Këtë radhë nëse demokratët do të dilnin nëpër sheshe nuk dihej fati i kryeministrit Rama dhe i stabilitetit politik.
Ishte Ilir Meta që publikisht ka deklaruar për gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit dhe konsensusit mes PS e PD. Dhe siç e tha, e realizoi. Dikush mund të thotë hamëndje nga më të ndryshmet se pse e bëri Meta presionin ndaj politikës dhe të huajve vetëm për konsensus. Mund të thonë ç’të duan, porse e verteta mbetet fakt publik. Nëse nuk do të insistotne Meta, pa asnjë diskutim, do të kishim një mosvotim ose me e shumta një votim me 94 vota, por me vota të blera nga ministrat e Ramës dhe rezultati do të ishte një reformë që nuk do të zbatohej në praktikë. Dhe rrëmujë politike drejt një destabiliteti ku zor se njeri ia dinte fundin.
Tashmë janë publike thirrjet e Edi Ramës se i ka votat, ku i ikte konsensusit pasi donte me hile që të dilte vetë si proamerikanë e proeuropianë, kurse PD-ja dhe lidershipi i saj si një antiamerikanë. Deri diku ia arriti ta realizojë.
Edhe ambasadori amerikan bëri presion, oferta, zhvilloi takime, biseda, u lodh përditë derisa ditët e fundit filloi edhe protestat para selisë së Kuvendit kundër atyre që nuk e votojnë reformën (nënkupto PD-në). Në fund u bëri thirrje që të votojnë në mënyrë individuale duke gjetur tre deputetë nga PD të cilët dje e nxorën kokën nga selia blu që të votonin pa vendim politik. Por roli i ambasadorit Lu duhet mirëkuptuar pasi kishte detyrim për të vendosur një drejtësi të munguar, edhe me pak dhunë.
Ndërsa ambasadoresha e BE Vlahutin u akuzua se po kurdiste, në bashkëpunim me kryeministrin Rama, që ta shtynte sa më shumë në greminë Lulzim Bashën dhe të dilte para Brukselit që vetëm Edi Rama është për drejtësi dhe luftë ndaj së keqes, por e pengojnë !
Deklarata e ditës së dielë në mesditë e Ilir Metës ku kërcënoi fort, sidomos kryeministrin Rama me rrëzim qeverie i tronditi kancelaritë, pasi menduan se mirë Reforma po ikën, porse po ikën edhe Rama.
Miqtë e Ramës u vunë në lëvizje. Tensioni kapi selinë rozë të cilët filluan të mendojnë tashmë për numrin 71 që të mos binte qeveria e jo më për numrin 94 për reformën.
Ilir Meta duke qenë i regjur me politikën bëri tre vizita në SHBA. Takoi, sqaroi ato që duheshin sqaruar se duhet konsensus dhe premtoi se 20 votat e LSI do jenë pro reformës dhe e mbajti premtimin.
Insistimi i tij për gjetjen e rrugëve të konsensusit bëri takimet Rama-Meta-Basha, por duket se kryeministri nuk e donte marrëveshjen me votat e PD-së. Dje Meta nuk e futi në votim fare që paradite reformën ndonëse dikush para tij në sallën e kuvendit donte të fillonte votimi mënjëherë, edhe pa PD-në, dhe të dështonte për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Skema ishte përfekte djallëzore nga kryeministri: Nëse nuk votohej Reforma akuzonte Bashën dhe Metën. Nëse e votonte me 94 vota përçante opozitën me blerje votash. Dhe vetë dilte amerikan 24 karatsh !
Meta e dinte lojën e Kryeministrit ndaj foli me një gjuhë të egër në sallën e Kuvendit, por qetësoi Lu dhe Vlahutin se votat e LSI janë për SHBA dhe BE. E mbylli me lezet seancën për të vazhduar në negociata të stërgjata ku ishin ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin, Basha dhe drejtues të PS-së.
Në fund ia arriti konsensusit. Dhe bëri mirë.
Merita mbetet tek Meta që punoi dhe insistoi për konsensus. Natyrisht që pjesë e kësaj merite mbeten pa asnjë diskutim Lu -Vlahutin e Basha. Edhe Rama.