Plas në PS-në e Kukësit, Taulant Balla shkrin asamblenë. Asambleja sulmon Ballën
Socialistët e Kukësit kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Kryesisë së Partisë Socialiste për zgjedhje të reja dhe shkarkimin e gjithë drejtuesve aktualë të kësaj dege. Në një deklaratë për mediat, Asambleja e PS-së në Kukës thotë se “Shqipëria nuk është më në monizëm ku të zgjedhurit me votë shkarkohen me vendim politike”. Sherri në PS-në e Kukësit ka nisur pas ndryshimeve të të deleguarve të selisë rozë. Drejtuesit qendror të PS-së vendosën që të delegojnë në Kukës, Safet Gjicin duke e zëvendësuar me ish-ministren dhe deputeten Mimi Kodheli. Ky vendim solli pakënaqësi dhe reagime të ashpra ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla. Për të shmangur rebelimin e mëtejshëm, dje Kryesia e PS vendosi që në këtë degë të PS të shkrijë strukturat aktuale; asamblenë, organizatat dhe të zgjedhë drejtues të rinj. Por ky vendim cilësohet nga socialistët e Kukësit si një qëndrim personal i Taulant Ballës dhe jo PS dhe Kryesisë së saj. Në deklaratën e ashpër të socialistëve të Kukësit thonë se nuk mund të kenë dënime kolektive gjithë socialistët dhe drejtuesit e kësaj dege të PS. Socialistët e Kukësit akuzojnë Ballën se po sillet njëlloj sikur do të krijojë një parti të re. Ndërsa shprehin pakënaqësi për faktin e informohen mbi vendimet dhe ndëshkimet e partisë nga mediat dhe jo në rrugë zyrtare. “Nëse ti z. Balla kërkon të formosh një parti të re mund të krijosh dhe një Asamble të re, por me këto veprime jo vetëm PS-janë Kukes është në krizë, por e gjithë Partia Socialiste e Shqipërisë do të shkojë në krizë. Presim zgjidhje të problemeve tona dhe jo anashkalime dhe ndëshkime të panevojshme të cilat i marrim vesh në media dhe jo zyrtarisht”,– thuhet në njoftimin e PS-së së Kukësit.
I pyetur nga “Koha Jone” për këto zhvillime në PS-në e Kukësit, Taulant Balla nuk pranoi të përgjigjej.
Socialistët kërkuan që Mimi Kodheli të vazhdonte të ishte delegate e kësaj zone, pasi sipas tyre ajo është deputete që i përfaqëson. Ndërsa emërimin e Safet Gjicit e kanë cilësuar si të papranueshëm. Socialistë kanë hedhur akuza dhe për interesa ekonomike me lëvizjet e fundit në drejtimin e degëve të PS-së. Këto akuza kanë bërë që PS të vendos shkrirjen e strukturave në PS-në e Kukësit për të zgjedhur njerëz që i pranojnë më lehtë delegatët e rinj. Deklarata e fortë e socialistëve të Kukësit sulmon Taulant Ballën, por në fakt i drejtohet edhe kreut të PS-së Edi Rama i cili ka lejuar që situata në PS-në e Kukësit të shkojë deri në konflikte ta hapura.
Ndërkohë që burime nga selia rozë tregojnë se nuk është asambleja, por disa persona të shkarkuar nga drejtimi i PS-së në Kukës.
Deklarata e Asamblesë së PS në Kukës:
Nisur nga prononcimi në media i z. Taulant Balla për situatën në Kukës dhe vendimet e Kryesisë se PSSH-së për Kukësin bëjmë këtë deklarate per publikun.
Prisnim zgjidhje të problemeve tona nga Kryesia, por prapë mendojmë se ato deklarime nuk janë vendime të Kryesisë por të z. Taulant pasi:
Zgjedhjet në PS Kukës kane përfunduar para tre muajsh dhe janë konstituuar.
Nuk ka mundësi te shkarkohet nje asamble dhe te behet nje e re vetem per z. Safet Gjici dhe z. Balla
Pasi kohe e Monizmit ka përfunduar .
Nuk pranojmë ndëshkime te pa argumentuara dhe me telefon pasi Partia Socialiste si institucion funksionon nëpërmjet Statutit dhe ekziston në përbërje të tij një komision për garancitë statuore.
Në Asamblenë e PS Kukës janë të gjithë të zgjedhur me votë të lire dhe me një proces të rregullt në zbatim te statutit te PS dhe deklarimi juaj për të zgjedhurit e Asamblesë Kukës “ të pashkollë” nuk qëndron.
Nëse ti z. Balla kërkon të formosh një parti të re mund të krijosh dhe një Asamble të re, por me këto veprime jo vetëm PS-janë Kukes është në krizë, por e gjithë Partia Socialiste e Shqipërisë do të shkojë në krizë.
Presim zgjidhje të problemeve tona dhe jo anashkalime dhe ndëshkime të panevojshme të cilat i marrim vesh në media dhe jo zyrtarisht.
Ja deklarata e Taulant Ballës pas mbledhjes së Kryesisë (dje):
Një ndër pikat e rendit të ditës ishte pikërisht një analizë e ecurisë së deritanishme të procesit të ristrukturimit të partisë në bashkinë Kukës. Dua t’ju informoj që kryesia, pasi u njoh me rezultatet e auditit të kryer nga Sekretariati Ekzekutiv i partisë, mori vendimin që në Kukës të gjithë procesin e deritanishëm do ta nisim nga fillimi, me qëllim që nga sot e deri në maj në të gjitha nivelet e partisë, nga niveli i Organizatës Socialiste në atë të Këshillave Socialistë të njësive administrative, të bëjmë një proces të ri për të krijuar një asamble të re socialiste në Kukës sipas disa parimeve, sepse u vërejtën disa problematika që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, me nivelin e atyre që plotësojnë nivelet e Arsimit të Lartë në drejtimin e njësive administrative, pra Këshillave Socialistë apo Organizatave Socialiste, me qëllim që partia më e madhe e të gjithë shqiptarëve të jetë e strukturuar ashtu siç duhet edhe në një qark apo një bashki ku, duhet t’ju them që, në rezultatet e Partisë Socialiste në bashkinë Kukës, në zgjedhjet e 2017 ka qenë një rezultat shumë i mirë. Për personat që ju i referoheni, Kryesia e partisë ka marrë disa masa disiplinore të cilat lidhen edhe me respektimin e plotë të prerogativave të statutit të partisë.