Po prishen shtëpitë që krimi të ndërtojë pallate
Projekti i Unazës së Re, nisur nga faktet që po denoncon opozita dhe media, mund të cilësohet si afera me më shumë korruptive dhe me shkelje të hapura ligjore se sa çdo projekt tjetër në Shqipëri. Pas historisë skandaloze të 18 milionë euro që iu dhanë me dokumente të fallsifikuara një recepsionisti 26-vjeçar, Lulzim Basha deklaroi dje një abuzim flagrant. Në protestën e zhvilluar dje në mbrëmje me banorët e Unazës së Re, të cilëve u shkatërrohen banesat nga projekti i ri dhe qeveria nuk u jep dëmshpërblim të plotë, kreu i PD-së deklaroi se qeveria ka parashikuar që në vendin ku ndodhen shtëpitë e tyre, do të ndërtojë palate shumëkatshe dhe ristorante luksi. Sipas kreut të PD-së, projekti për ndërtimin e një zone me apartamente shumëkatëshe është miratuar nga kryeministri Edi Rama dhe institucionet që ka në varësi. Dhe gjithçka e ka bërë kryeministri personalisht, ndërsa ministrat dhe kryetari i bashkisë kanë qenë të detyruar ta miratojnë. Kështu thonë në selinë blu, pasi e do zonën për bosët e krimit të organizuar.
Por veç shembjes së 370 banesave dhe ndërtimit të apartamenteve, tjetër skandal sipas opozitës janë dhe emrat e personave që janë pas këtij projekti. Lulzim Basha tha se sot (e mërkurë) nga selia e PD do të dalin dokumentet që mbështesin pretendimet e tyre, ndërsa dje publikoi vetëm emrin e biznesmenit që ka marrë projektin e pallateve. “Partia Demokratike do të publikojë një pjesë tjetër po kaq të errët të kësaj afere korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhë dhe vazhdon të përpiqet të vjedhë këtu mbi 40 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, por së bashku me figurat e krimit të organizuar, mbi rrënojat e shtëpive që do të prishë do të ndërtojë pallate shumëkatëshe. Para qytetarëve do të shpaloset me dokumente zyrtare se si u ndryshuan Planin urbanistik për ti dhënë leje një krimineli të dënuar me 21 vjet burg për trafik droge, një personi i cili njihet si mik, si bashkëpunëtor i kupolës socialiste Edmond Bego”,- deklaroi kreu i Partisë Demokratike.
Emri i biznesmenit Edmond Bego ishte në qendër të debatit politik në Shqipëri, dy muaj më parë, për shkak të së kaluarës së tij dhe lidhjeve me numrin dy të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Bego, sot një biznesmenët e shumtë që kanë marrë tendera nga qeveria, rezulton se është dënuar në Itali disa vite më parë për trafik droge. Ndërkohë në akuzat e Partisë Demokratike, theksohet dhe fakti se pas vitit 1997, Bego ka qenë dhe pjesë e bandës famëkeqe të Lushnjës. Po sipas denoncimeve të mëparshme të PD, Bego për shkak të lidhjeve me Taulant Ballën, ka përfituar 13 miliardë lekë tendera publike në Librazhd dhe Elbasan, si dhe 10 milionë euro për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Publikimin e këtyre denoncimeve, zyrtarë të PS dhe Taulant Balla e kanë justifikuar me argumentin se Bego e ka kryer dënimin dhe në ndonjë rast ka marrë dhe tendera gjatë qeverisjes së PD.
Në rastin e Unazës se Re, nëse akuzat e PD janë me prova konkrete, kemi të bëjmë më shumë se një skandal. Së pari, një ish të dënuari për vepra të rënda, sipas ligjeve, i ndalohet që të përfitojë nga tenderat publik të qeverisë. Skandali i dytë dhe që është më i rëndë lidhet me qëndrimin e qeverisë. Te Unaza e Re rreth 1000 banorë, gra dhe fëmijë, po nxirren në rrugë pa u dhënë asnjë lekë dëmshpërblim, duke u justifikuar se shteti nuk ka para. Qeveria thotë se atyre po u shemben shtëpitë për shkak të një projekti ku përfitojnë gjithë qytetarët e Tiranës. Në fakt, akuzat që bën Lulzim Basha tregojnë se shtëpitë nuk shemben për projektin, por për t’u hapur rrugën ndërtimit të pallateve nga të cilat përfiton vetëm një person. Kjo jo vetëm është e jashtëligjshme, por vë në dyshim të fortë dhe moralin e qeverisë që po shemb shtëpitë për interesa të biznesit dhe jo të komunitetit.
Akuzat e djeshme të Lulzim Bashës, si dhe skandali i 18 milionë eurove me letra të falsifikuara nga kompania “amerikane” janë të mjaftueshme për të kuptuar se ky projekt është vjedhja më e madhe e qeverisë “Rama” vetëm në 2.2 kilometra katrorë. Por edhe pse skandalet vijojnë të dalin çdo ditë për këtë rrugë, Prokuroria e Përgjithshme as formalisht nuk ka hetuar zyrtarët e përfshirë në këtë aferë.
Megjithatë letrat aty janë dhe një ditë burgu i pret!
Alban Marku