Po vijnë guerilasit !

Ngjarjet më të rëndësishme të javës së fundit në politikë nuk kanë pasur të bëjnë më ide apo me projekte, por me aksione, madje, paksa të dhunshme. Parlamenti nisi me fyerje dhe akuza me “libër shtëpie” në komisionet, ku diskutohet buxheti dhe përfundoi me kacafytje dhe grushte në seancë. Një organizatë politike të rinjsh, që mbron disa ide tashmë të harruara të së majtës ekstreme dhe komunizmit, të premten kryen aksionin e radhës guerilas duke hedhur salcë mbi kokën e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Forma e zgjedhur për protestë ka hapur mjaft debate. Një pjesë e shoqërisë dhe jo vetëm ata që janë në parti me ministren Nikolla, me të drejtë e dënuan aktin. Megjithatë, është e frikshme pjesa tjetër e shoqërisë, e cila e duartrokiti gjestin, madje i dha kurajë studentes dhe shokëve të saj për të vijuar përsëri me këtë formë proteste. Pra jo me reagime të shoqërisë civile me greva apo protesta si në botën moderne, por si njësitet guerile. Godit dhe ik!

Çështja është se duke mbështetur akte të tilla, nesër do të justifikohet edhe ndonjë sulm më i dhunshëm se kaq. Do bëhet si normë dhe hajde e shkule më, ashtu sikurse hashashin që nëse lejohet edhe vitin e ardhshëm, atëherë jemi kthyer në një Kolumbi ballkanike. E përsëris se shoqëria duhet të reagojë ndryshe, edhe nëse ka demonstrata të dhunshme përballë së keqes qeveritare. Por jo si “guerilas”. Në një farë mënyre me mbështetjen dhe duartrokitjen ndaj akteve të tilla po u japin licencë të tjerëve për të shkuar më tej me format e protestës.

Nën këtë frymëzim dje Partia Demokratike hodhi dronin në ceremoninë e hapjes së bunkerit të ish-komunizmit, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama. Në krahasim me gjestin e studentes, droni i djeshëm kishte elementë vetëm estetikë. Megjithatë, kjo tregon se PD-ja po harxhon energji duke imituar gjeste parapolitike të modelit “guerilas”. Këtë strategji e përforcoi edhe më tej ish-Kryeministri Sali Berisha që mori përsipër të bëjë avokatin e çdo forme reagimi ndaj maxhorancës së sotme. Jo vetëm e justifikoi sulmin e studentes ndaj ministres, por shkoi dhe më tej duke kërkuar mosbindje civile ndaj institucioneve, si dhe duke sugjeruar mjete të tjera më të forta proteste. Berisha para se të mbështesë këto guerilas do të bënte mirë që të ngrinte PD-në në protesta e demonstrata kundra qeverisë. Nuk bëhet rrëzimi i qeverisë vetëm duke folur tre orë në Parlament. Duhet përballje, por jo si njësitet guerilase kubaneze.

Në shumë vende të tjera, përfshirë edhe rajonin ka organizata politike me pikëpamje ekstreme, që si formë reagimi kanë dhunën dhe mosbindjen ndaj institucioneve. Ndryshimi është se ide të tilla që përfaqësohen nga të rinj me prirje anarkiste, pjesa e shëndoshë e shoqërisë mundohet t’i frenojë. Më e pakta të mos i inkurajojë. E kundërta po ndodh në Shqipëri. Sjelljen e një pjese thuajse inekzistente të shoqërisë, që mendon se protestat dhe elementët e dhunës guerilas janë të dobishme po e inkurajon një forcë kryesore politike në vend, pra PD.

Çudia është se të rinjtë e kësaj organizate politike që kanë marrë përsipër autorësinë e kësaj revolte nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. Madje, politikisht janë të kundërt, pasi përfaqësojnë idetë ekstremisht të majta kundër të cilave u themelua vetë Partia Demokratike. Natyrisht që, mbetet një e drejtë e tyre të manifestojnë idetë, por jo të kalojnë në veprime anarkiste dhe guerilas të tipit kubanez.

Ngjarjet e fundit duket se janë fillimi i një forme reagimi që do të shpeshtohet me afrimin e fushatës elektorale. Problemi është se të rinjtë që hedhin vezë dhe salcë “part time” ndaj ministrave nuk votohen. Përveçse bëhen yje të televizioneve dhe rrjeteve sociale për disa ditë, nuk kanë se çfarë humbasin politikisht edhe nëse qëllojnë gjithë kabinetin qeveritar. Ndërsa PD-ja është një forcë politike ku në qershor do të shkojë në provim para shqiptarëve.

Selia blu do të mirëpritej nëse u prin shqiptarëve, siç thotë, se janë përballë një qeverie të drogës. Të jetë në ballë me protesta të mëdha përballë Ramës, por jo duke përkrahur metodat që thamë më sipër, format guerilas komuniste. Pasi nuk i dihet që nesër, dikush nga PS, të financojë një guerilase tjetër që t’i hedhë bojë blu mbi kokë Lulzim Bashës. Por nuk është e drejtë, aspak qytetare.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për opozitë të fortë, që krijon besim. Ka nevojë për oponencë të shoqërisë civile. Por jo anarki.

Qamil Xhani

SHKARKO APP