Po vjen acar, akull dhe stuhi bore. Edhe në Tiranë shanse për borë

Përgatituni për javë të re supër të ftohtë. Akull dhe borë. Një masë e ajrit shumë të ftohtë do të zhvendoset nga Siberia drejt Rusisë duke u zgjeruar përtej Uraleve gjatë fundjavës.

Sipas Institutit të Gjeoshkencës nesër në shumicën e qarqeve priten reshje mesatare, ndërsa në Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë intensive. Ndërkohë në lartësinë mbi 300 metër mbi nivelin e detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Përgjatë fillimit të javës tjetër reshje dëbore mund të shfaqen edhe në zonat e ulëta fushore dhe ato bregdetare, duke mos përjashtuar Tiranën.  Shanset janë që kryeqyteti të jetë nën pushtetin e borës. Por, mundësi më e lartë është për qarqet Shkodër dhe Lezhë.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se lumenjtë në të gjithë territorin do të kenë tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve përgjatë ditëve në vazhdim. Rritja më e ndjeshme do të vërehet në lumenjtë jugorë përgjatë datave 26 dhe 27 Shkurt.

TEMPERATURAT

në bregdet: 7 / 10

në vendet e ulëta: 1 / 7

në vendet malore: -7 / 5 °C.

Të dhënat e para për afrimin e stuhisë nga Rusia:

Verilindja e vendit është pushtuar nga moti i keq dhe reshjet e borës, ndërsa temperaturat zbritën deri në -4 gradë celsius.

Nga Fushë Dukagjini deri në Reps, reshjet e dëborës të shoqëruara me erëra të forta penguan qarkullimin normal të makinave në Rrugën e Kombit.

Probleme ka edhe në akset e tjera rrugore, që lidhin Kukësin me Peshkopinë, Hasin edhe Tropojën. Në disa zona të Bushtricës edhe Kalisit pati probleme edhe me energjinë elektrike.

Qarku i Dibrës dhe i Kukësit janë qarqet ku situata me reshjet e borës paraqitet më problematike. Këtë informacion e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes, që gjithashtu njofton se grupi i vlerësimit të Qendrës së Bashkuar Operacionale dhe përfaqësues të drejtorisë operacionale janë në krye të detyrës.

“Nga raportimet dhe vlerësimet, më problematike situata paraqitet në Qarkun Dibër dhe Qarkun Kukës”- njofton ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë mësohet se mjetet dhe forcat janë në gatishmëri dhe po vijon koordinimi me strukturat e emergjencës në pushtetin vendor.

Europa nën pushtetin e borës 

 

SHKARKO APP