Policia: Tubimi i PD është i paligjshëm. Kush bllokon rrugët do burgoset

Përveç mosdakordësisë politike, përplasja PD-PS tashmë është edhe ligjore. Demokratët kanë deklaruar se nesër do të zhvillojnë një tubim duke bllokuar të gjitha rrugët e vendit. Mitingu është shenjë proteste e PD për plotësimin e kushteve për qeveri teknike dhe zgjedhje me standarde.

Por Policia e Shtetit e ka cilësuar këtë miting si të paligjshëm. Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike Altin Qato, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëveqë  të shmangin bllokimin e rrugëve.

Ai apeloi ndaj qytetarëve që të mos bëhen preh e thirrjeve që synojnë kaos dhe destabilitet. Qato tha se nuk është dhënë asnjë leje për tubimin që do të mbajë nesër opozita e vendit. Më tej, ai paralajmëroi se Policia e Shtetit do të hetojë çdo rast që synon t’i bashkohet manifestimeve të paligjshme.

Sipas ligjit zhvillimi i protestave të paligjshme dënohet me gjobë dhe 3 vjet burg.

Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm për Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato:

Zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cënim të rëndë të rendit publik. Asnjë shkak ligjor dhe asnjë motiv tjetër me interes publik nuk e justifikon zhvillimin e kësaj proteste në këtë mënyrë. Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë. Policia e Shtetit është plotësisht e ndërgjegjshme për detyrimin që ka për të siguruar mbarëvajtjen e çdo proteste paqësore, e cila nuk cënon interesat publike, por ajo nuk do të tolerojë aspak, këdo që me veprimet e tij shkel ligjin në lidhje me tubimet dhe manifestimet. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm. Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve, do të përballen me ligjin. Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe çdo automjet që i vihet në dispozicion një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’i paraqesë organit të Prokurorisë kallzimin penal përkatës. Organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre manifestimeve të paligjshme duhet të kuptojnë dhe të kenë përgjegjshmëri politike dhe qytetare për pasojat që mundet të vijnë. Do të jenë ata përgjegjësit ligjorë për çdo pasojë të ardhur si rrjedhojë e prishjes së rendit publik dhe/ose destabilizimit të tij”, u shpreh Qato.

Altin Qato

 Ai tha se policia është e detyruar të hartojë planin e masave për të siguruar qetësinë publike për çdo qytetar. “Edhe në rast se do të jetë e paligjshme do të marrë të gjitha masat”, tha Qato.

PD: Policët që pengojë protestën, do filmohen dhe do mbajnë përgjegjësi penale

Menjëherë, pas thirrjeve të Policisë së Shtetit që qytetarët t’i shmangen protestës së PD-së për të bllokuar rrugët, pasi do të shkaktohej kaos dhe destabilitet, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike.

DEKLARATA E PD:

Me urdhër të Edi Ramës, krerët e policisë që nuk luftojnë krimin, trafikantët, banditët, por bëhen palë me ta, kërcënuan sot qytetarët e lirë të vendit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur popullin të shprehet.

 Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, i bëjnë të qartë sot kupolës së policisë të heqin dorë nga keqpërdorimi politik dhe të mos pranojnë të dalin kundër popullit për interesat e Edi Ramës.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar i bën të ditur publikisht çdo punonjësi dhe funksionari të policisë, se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm.

 Do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit, dhe nesër do të përgjigjet deri më një, cdo drejtues, shef apo punonjës policie që do tentojë të cënojë të drejtën sovrane të qytetarëve për të protestuar paqësisht.

 Protesta nesër do të jetë paqësore, por e vendosur dhe e pathyeshme.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kanë 65 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha veprimet kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë europiane që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike.

 Protesta e Opozitës së Bashkuar dhe qytetarëve do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojë qëndresën qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.  I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen masivisht nesër mes orës 11 dhe 12 paradite në këtë protestë kundër krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare, për të ndalur krimin, për të ndalur pushtetin e lidhur me krimin dhe për të siguruar të drejtën themelore të qytetarëve në demokraci, të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

VIDEO:

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/1950291568590538/

Lexoni edhe:

Përplasja mes Policisë dhe PD. Reagon ashpër Rama

Basha: Nesër bllokojmë 1 orë trafikun

Meta: LSI nuk vendos interesat e ngushta përpara interesit të vendit

E hëna për PD, prova e zjarrit

PD: Policia të mos guxojë të prekë protestuesit

Rama: Nuk ka shtyrje të zgjedhjeve

SHKARKO APP