Policia, luftë kapsollave: Bizneset dhe qytetarët ti dorëzojnë vet ose burg
Festa e ndërrimit të viteve do të jetë më pak e zhurmshme se herët e tjera, por me e sigurt për jetën e qytetarëve. Policia e Shtetit ka marrë urdhër që të ndalojë tregtimin dhe përdorimin e fishekzjarrëve dhe kapsollave të rrezikshme. Nisma e re e Policisë së Shtetit vjen pas incidentit të dy javëve më parë, ku gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re, një efektive e policisë, Ina Nuka, humbi gishtin e njerëz dorë si pasojë e plasjes së një kasolle nga protestuesit. Fillimisht u dyshuar se kapsolla ishte prodhim i veçantë me qëllim dëmtimin e forcave të rendit. Pas verifikimeve të Policisë së Shtetit rezultoi se kapsolla dhe fishekzjarrë të tillë të rrezikshëm ndodhen në gjithë tregjet e vendit. Pajisje të tilla me lëndë shpërthyese të rrezikshme mund të blihen nga fëmijët dhe të miturit pa asnjë kontroll dhe verifikim paraprak.
Për këtë qëllim, gjithë strukturat e policisë kanë marrë urdhër ndalimin e shitjes dhe përdorimit të këtyre mjeteve tejet të rrezikshme. Një masë e tillë edhe pse mund të ketë efekt te tregtarët gjatë festave të fundvitit është e domosdoshme për të shpëtuar plagosjen dhe lëndimin e qytetarëve gjatë festimeve. Pothuaj çdo vit, gjatë festave të fundvitit ka një numër të madh qytetarësh që plagosen dhe lëndohen seriozisht si pasojë e fishekzjarrëve me rrezikshmëri të lartë.
Sot, Zv/ Drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Tiranës Dhimitraq Ziu iu bëri apel bizneseve që të dorëzojnë kapsollat dhe të mos i nxjerrin më në shitje. Pavarësisht se bizneset kanë shpenzuar mijëra euro për ti blerë kapsollat dhe fishekzjarrët, Dhimitraq Ziu thotë se ato janë rrezik për fëmijët. “Do të vijojnë kontrollet në territor, në treg, në njësitë tregtare dhe nëse do të konstatojmë çdo qytetar që e mban apo përdor lëndën piroteknike ai do të ndëshkohet pranë strukturave të policisë. Iu bëj thirrje të gjitha bizneseve që tregtojnë këto kategori lëndësh piroteknike ti dorëzojnë pranë komisariateve”, deklaroi Dhimitraq Ziu.
Prej disa ditësh Aksioni i Policisë është duke u zhvilluar pa ndonjë bazë ligjore, pasi ligji nuk e ndalon tregtimin e fishekzjarrëve dhe kapsollave. Por Ziu thekson se ato mjete që kanë përmbajtje eksplozivi nuk duhet të shiten. “Ne jemi në fazën e vlerësimit nga prokuroria, pasi kemi referuar materialet në prokuroi për vlerësim dhe kampionët e këtyre produkteve i kemi dërguar në laborator dhe presim përgjigje nëse janë artizanale apo të fabrikuara. Ju e parë vetë në tubim që kolegia ime, sot nuk do të ishte nëse ajo do të shpërthente në qafë. Në momentin që këto futen në dogana do të vlerësohen, do të merren kampionë, do të dërgohen në laboratorë” përfundoi ai.
Zv/ drejtori për rendin e sigurinë në Tiranë thekson se aksioni për bllokimin e kapsollave do të vijojë përgjatë gjithë muajit dhjetor. Testimet e Ministrisë së Brendshme me fishekzjarrët tregojnë se një pjesë e prodhimeve që hyjnë në shqipëri kanë më shumë lëndë plasëse, eksploziv, sesa normat e lejueshme.
Për aksionin e policisë mund të ketë ankesa nga tregtarët, por fakti është se me një nismë të tillë shpëtohen fëmijë nga plagosja, si dhe qytetarët e tjerë të paktën nuk rrezikojnë të dëmtohen nga persona të papërgjegjshëm gjatë festimeve.
Video/Mnistria e Bredshme sqaron dëmet që shkaktojnë kaspllat që tregtohen në Shqipëri
https://www.facebook.com/punetebrendshme.gov.al/videos/194220881458667/