Debate në Komision/Balla: Dëshmo! Berisha: S’ke autoritet të më pyesësh
Kreu i Komisionit hetimor për CEZ, Taulant Balla ka kërkuar që në seancë deputeti Sali Berisha të merret me Polici nëse nuk vjen me dëshirë. Berisha nuk është paraqitur në Komision dhe Balla ka kërkuar ndihmën e policisë.
Policia ka shkuar sot paradite në banesën e ish-kryeministrit, por nuk e kishte gjetur në shtëpi. Në një letër që Policia i ka dërguar Taulant Ballës, sipas tyre, ata kanë trokitur por nuk e kishte hapur njeri derën.
Mbledhja e Komisionit ka nisur rreth orës 15:30 ditën e sotme. Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur me dëshirën e tij në Komision.
Por sherri ka nisur që në minutat e para. Kreu i Komisionit Taulant Balla ka kërkuar nga Berisha që të betohej për vërtetësinë e deklaratave të tij.
Berisha ka akuzuar Ballën se është mashtrues dhe nuk mund ta marrë në pyetje një person që është dënuar për shpifje. “Nuk ka autoritet të marrësh betimin tim“,- tha Berisha.
Ish-kryeministri tha se Taulant Balla mashtron për të shpëtuar Ramën nga dënimi me së paku 35 vjet burg.
“Shpif e shpif nuk ka të sosur. Ky është një shpifës ordier që s’ka respekt as për vetën e tij. Mashtron pesë herë para kamerave kur tha që nuk është dënuar. Mashtron edhe tani duke lexuar trillime, për të shpëtuar Edvin Kristaq Ramën nga së paku 35 vjet burg, për vjedhjen skandaloze që u ka bërë shqiptarëve për të ndarë me CEZ 625 milionë euro. Ky që flet është vetëm shpifësi ordiner që ka fytyrën e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
DEBATET NE KOMISION – Berisha: Mender shpifës, ti je fytyra e Ramës. Balla: Të falenderoj për këtë!
Berisha: Zgjodha të respektoj parlamentin. Por një njeri i dënuar më vendim të formës së prerë, si shpifës i ndryrë, dhe nuk pranon të paguajë 10 mln lekë për atë që ka bërë, s’mund të vijë këtu. Je dy herë kriminel, se pari për shpifjen dhe pastaj për mospagesën.
Balla: Zoti dëshmitar nuk pranoni të përgjigjeni…
Berisha: Zbatoni atë që ka vendosur gjykata. Duhet hapje seance me një ndjesë të shumëfishtë publike, për mashtrimin e madh që i bërë publikut shqiptar.
Balla: Zoti dëshmitar mos u mundoni ta prishni edhe këtë seancë. Ju lutem emër mbiemër për efekt procesverbali.
Berisha: Nuk mund t’i jap asnjë të dhënë një shpifësi ordiner.
Balla: Gjeneralitet nuk i jepni dot? Interpretimi i dhënë nga kryetari i Kuvendit është shumë mirë hartuar. Duhet t’ju bëj me dije se Kuvendi ka një praktike të konsoliduar për këtë çështje. Një komision tjetër parlamentar i ngritur në 2006, ku hetohej në atë kohë prokurori i përgjithshëm Dhori Sollaku. Në atë kohë kërkoi përjashtimin e zotit Patozi, i cili kishte 4 gjyqe të humbura ndaj Sollaktu për shpifje. Dhe Kuvendi në atë kohë sqaroi se ky konflikt interesi nuk ka të bëjë me çështje të tilla parlamentare. Kur ka vakum të tillë, tejkalohet kjo çështje.
Berisha: Kjo është një shpifje e radhës e juaja. Në çdo fjalë që ti nxjerr, është vetë shpifje. Ti je këtu fytyra e Ramës, flet si ai.
Balla: Ju falënderoj për këtë që thatë.
Berisha: Rama kërkon të shpëtojë përmes teje nga 35 vite burg që e presin, sipas penalistëve më të shquar për vjedhjen me CEZ.
Balla: Unë kam fytyrën që më kanë bërë prindërit të mi.
Bode: Po kërkoni të tërhiqni vëmendjen dhe të devijoni hetimin në një komision tjetër paralel. Dhe ju sot nuk jeni duke bërë pyetje normale, por që nuk përputhen nga ligji. Pyesni dëshmitarin a keni dijeni për investim të keq. Vetëm ligji i privatizimit parashikon sesi procedohet. Vlerën e humbjeve në rrjet sipas tij e përcakton një audit i parashikuar nga të dyja palët. Pyetjet tuaja, janë antiligjore, nuk burojnë nga ligji, janë diskriminuese, tërësisht politike, për të fshehur ato miliarda që keni vjedhur.
Balla: Çojeni edhe këtë në Kushtetuese.
Berisha: Shpifësi po kavardiset në shpifjet e tij. Kërkon të shpëtosh kryehajdutin Edi Rama nga dënimi për vjedhjen e bërë me vlerë 634 mln euro, fatura të certifikuara një mbi një nga kompani ndërkombëtare. Por nuk shpëtoni dot. Aq sa shpëtove ti nga shpifjet, dhe morë atë që meritoje, aq do shpëtojë dhe ai, që do kalbet për 35 vjet sipas penalistëve më të mirë.
Balla: Nuk e kuptova…
Berisha: Asgjë nuk kupton ti.
Balla: Harroni atë mbledhjen e Qeverisë ku ministri juaj i Financave ju tha po veproni gabim.
Ristani: Në cilën mbledhje është thënë kjo që sapo deklaruat. Ku është në procesverbal ma gjeni.
Balla: Ky ministri i Financave e ka patur gabim këtë që e ka thënë apo e ka të dëgjuar?
Bode: Ju po keqinterpretoni ato që lexoni aty.
Berisha: Në datën 9.6.2015 me vendim 1914, mendershpifësi është dënuar për shpifje. Ti ke fyer gjithë shqiptarët, ke përdorur kamerat për të mashtruar. Nuk mund të gënjejë një njeri kurrë 5 herë rresht para shqiptarëve. Kërkon të barazojë moralin e tij me moralin tuaj.
Balla: Për këtë 21 mld nuk ke gjë për të thënë… Se kjo që po thoni ju nuk ka lidhje me pyetjen.
Ristani: Menderkryetar, se ta gjeti tamam. Ta vuri festen sipas kokës.
Balla: Kur e thua ti Ristan ka edhe më shumë kuptim. Zoti dëshmitar, këshilli i ministrave ka marrë disa kompetenca që nuk ia jepte ligji. A keni dijeni për këtë VKM?
Berisha: Shpifësi është i lindur, çfarëdo që t’i bësh. Për të gjtihë këtë problem ka një vendim përfundimtar të Gjykatës së Lartë që ka rrëzuar gjithçka si një shpifje e ulët e kësaj qeverie. Ky mur shpifjesh ngrihet vetëm për të shpëtuar Ramën, i cili bashkë me të tjerët, me paratë që vodhi te CEZ-i, ngriti sarajet e Surrelit. Ti je shpifës, mos fol më.
Bode: Jeni duke shpifur lidhur me vendimin. E bëni nga padija, apo e bëni sepse jeni i interesuar për të shtrembëruar gjithçka s’e di, por po keqinformoni publikun shqiptar. Ai vendim është aneks i ligjit dhe sot ka fuqi ligjore. Auditi ndërkombëtar përcakton borxhin e keq dhe humbjet në rrjet, ju manipuloni dhe gënjeni, dhe kjo nuk është serioze për këtë komision.
Berisha: Ai nuk nxihet me asgjë.
Balla: Zoti Bode a ka mundësi të zbatoni rregulloren. A doni të thirreni ju në seancë dëgjimore, në rregull, por nuk mund të përgjigjeni ju për Berishën.
Bode: Po gënjeni. A është favorizuar përfitimi i padrejtë i ofertuesve.
Berisha: I mori Rama paratë për të ndërtuar sarajet, e tani kërkon t’i mbulojë me shpifës si ti. 35 vite në burg do rrijë për këtë vjedhje.
Balla: A mendoni z.dëshmitar se ka qenë shkelje ligjore që keni emërtuar një këshilltare tuajën të merren me këtë çështje?
Berisha: Je shpifës i dënuar me vendim të formës së prerë.
Balla: Më duket se shpifës jeni ju me çdo gjë që po thoni në këtë seancë. Po mbani përgjegjësi për çdo gjë që thoni.
Berisha: Shpifës i ndyrë.
DEBATET GJATË MBLEDHJES E KALUAR PËR MUNGESËN E BERISHËS
Që në nisje të seancës së kaluar ka pasur debate mes përfaqësuesit te PD-së Arben Ristani dhe Ballës. Ristani i ka thënë Ballës se është në konflikt interesi dhe se nuk mund ta drejtojë ai komisionin, ndërsa i kërkoi dorëheqjen. Menjëherë është kundërpërgjigjur Balla, i cili iu përgjigj se gjyqet janë me familjen e Sali Berishës dhe nuk kanë lidhje me punën e komisionit hetimor për CEZ.
Ristani: Zoti Berisha do të vij në seancë, pasi të largohet konflikti i interesit.
Balla: Në Shqipëri gjykata ka re shkallë; Gjykata e Shkallës së Parë, e Apelit. Ke qenë në burg apo jo?
Ristani: Jo s’kam qenë.
Balla: Ke qenë në burg. Si s’paske qenë në burg.
Ristani: Je mashtrues dhe shpifës.
Balla: Ik shlye burgun, se ke një vendim. Kjo është një lojë e ulët që do të shmangi dëshmitarin Sali Berisha të vij në këtë komision për të dhënë dëshmi. Ky Komision Hetimor si çdo komision thjesht thërret dëshmitar dhe jo të pandehur. Është hera e parë që ngrihet një alibi nga ana e një dëshmitari për të dëshmuar. Ai duhet të kishte ardhur sot këtu. Sipas nenin 16 pika 4, dëshmitari do merret me forcë dhe do vij në këtë Komision.
Bode: Ky komision është përdorur nga ana juaj për të nxjerr inate personale me Berishën. Kjo është diçka e faktuar. Racionaliteti i qëndrimeve të tua e kalon qëndrimin e njeriut normal. Ju keni tejkaluar me qëndrimet tuaja. Gjykata ju ka dënuar pasi keni shpifur për familjen e Zotit Berisha.
Balla: Z. Berisha do jepni ndonjë përgjigje për çështjet për të cilat jeni thirrur?
Berisha: Ti je mender shpifës
Prononcimi i zotit Berisha jashtë sallës Komisionit Hetimor Parlamentar për CEZ:
Po në këtë vend ju deklarova se ai që kryeson komisionin është një shpifës ordiner, i dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës, nenin e shpifjes së ndyrë, me 10 mln lekë dëmtim. Dhe është konflikt interesi. Të paktën 5 herë brenda në sallë tha se nuk jam dënuar asnjëherë, duke dëshmuar se i urdhëruar nga Edi Rama është i aftë të pështyjë, të nxijë, të denigrojë veten, si një njeri që nuk është rritur në këtë tokë, që nuk ka familje, që nuk ka miq, nuk ka nder, dinjitet, nuk ka asgjë. Kjo u faktua.
Nëse shërbimet e Kuvendit do vendosnin që pavarësisht nga përcaktimi i ligjit të Kodit të Procedurës Penale, i cili është i qartë për përjashtmin e konfliktit të interesit, në rast se ato do të vendosnin në këtë mënyrë, ose cilido të jetë vendimi i tyreunë do e miratoj. Sot në orën 2 e ca, kryetari i Parlamentit ka larë duart në mënyrë, për mendimin tim të padrejtë, dhe ka thënë këtë vendim ta marrë komisionit. Në komision këta kishin shumicën, dhe unë bëra një vendim, thashë të vij, dhe çdo fjale të tij t’ia përplas akuzat shpifës dhe i pafytyrë. Çdo njeri publik, që del para shqiptarëve dhe thotë 5 herë që s’jam i dënuar, tregon që nuk ka një nanogram dinjiteti njerëzor. Duhet t’u kërkonte falje qytetarëve. Ai nuk e bëri këtë gjë, ndaj edhe siç e dëgjuat në çdo pyetje pati një përgjigje standarde.
Nga ana tjetër dua të falënderoj komisionin që më dha mundësinë për të bërë një ekspoze të gjerë të vjedhjeve të Ramës. Ma dha mundësinë të kem një audiencë të madhe për aferat korruptive të tij, të kësaj Qeverie, për CEZ, për ARMOn, çka përbënte për mua një detyrim, të shprehja para shqiptarëve mendimet e mia.
Ndjeva keqardhje në fund se nuk u lejuan gazetarët të bëjnë pyetje. Mendoj se në këto seanca nuk ka absolutisht asnjë humbje, përkundrazi, duhet të mundësohen pyetjet e gazetarëve të cilët të ndjekin me orë të tëra. Por siç e dini, Ramën e ka kapur tmerri nga portalet dhe mediat. Imagjinonin një njeri me fiksime që kishte në krah kancelaren e Gjermanisë dhe thoshte mediat e portalet. Nuk e kishte mendjen tek kancelarja, por tek mediat e portalet, sigurisht përveç Bollinos se atë e ka si baltën pas vetes..
Nëse dëshmia juaj nuk do pranohet meqë nuk bëtë betimin çfarë dio vendosni?
Sa zgjati sot? 4 orë? Absolutisht edhe 4 të tjera..
Erdhi policia t’ju merrte me forcë? A u trembët nga kjo?
Absolutisht jo. Është një mashtrim i radhës. Seç ka bërë saje Qorri me çunat e krimit është tjetër gjë. Unë kam komunikuar sot me nënkryetarin e komisionit, i cili më tha se zoti Meta ia kaloi komisionit. Këta vendosën në krye një mendër shpifës. Unë nuk kam qenë në shtëpi, kam qenë në zyrë. A kanë shkuar në shtëpinë time, unë nuk e di. Nuk kam qenë aty. Unë kam ardhur në komision nga zyra.
Mos lejimin e gazetarëve që të bëjnë pyetje në komisione e ka rregullorja të cilën e keni bërë ju. Duhet të propozoni ndryshime të rregullores për këtë?
Ky është një komision ndryshe. Është një komision hetimor, një komision pyetjesh. Komisionet e zakonshme janë tjetër gjë. Një rregullore që e pengon këtë nuk ka. Çfarë nuk pengohet me ligj, pranohet.