Pordha e madhe grisi brekët e Shukriut, Rilindjes e Shoqerisë

Nga Anila Basha.

Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Që nga mbërtheckat e Ylli Pangos, te brekët e Shukriut, në gjithë historinë e abuzimit seksual të zyrtarëve të shtetit, detajet e vogla me plot kuptim do të mbeten në mend. Dhe në rastin e Shukriut të shkretë, brekët e grisura.

Sepse vetëm pak orë pasi ngjarja u ekspozua nga Ylli Rakipi tek “Të paekspozuarit”, të gjithë njerëzit, dhe gjithë komentet, u përqëndruan jo te fenomeni, por te brekët e grisura të Shukriut.

Nuk ka rëndësi të analizojmë personazhin. Fenomeni i shukrizimit, ulëritës brenda administrates, nxjerr në pah nevojën e madhe emergjente për të parë brenda shoqërisë. Po pse arriti Shukriu, nga askushi- të kthehet në “dikush”, madje për t’u trajtuar si fenomen?

Shukri Xhelili, kur e zgjodhën si kandidat për kryetar bashkie në Peshkopi, ishte një personazh i nderuar i komunitetit ku jetonte. Madje, një nga kriteret e përzgjedhjes, ishte fakti se nuk ishte larguar nga zona, rrinte me banorët, fliste me ta, familje me reputacion, i arsimuar…Kur u përzgjodh nga strukturat e PS, që nga fshatari më i thjeshtë i zonës e deri tek doktorët e spitalit, flisnin fjalë të mira. Kështu, u konsiderua arritje e madhe që për herë të parë në atë zonë, PS “zgjodhi njeriun”.

Atëherë, çfarë ndodhi për dy vjet? E pra, këtu merr jetë shprehja e popullit “pordha madhe gris brekët e veta”. Dy vitet në karrigen e kryetarit, ndryshuan edhe Shukriun, dhe jo vetëm si njeri, e kthyen në fenomen. Mënyra sesi karrigia ndryshon personazhet, është fenomeni më ulëritës, që sot po kthehet në normë në shoqërinë shqiptare. Këtë e evidentojmë ditë pas dite, në çdo zyrë shteti, kur përballemi me arrogancën e pushtetit.

Një plak i urtë dibran, gjatë kohës se fushatave të dikurshme elektorale më pat thënë: po të ishte e mirë karrigia, njerëzit e vinin majë kokës, jo poshtë bythës….

Dhe karrigia deformoi Rilindjen. Pse jo, i grisi brekët. Arroganca e shfaqur në zyrat e shtetit apo jashtë saj, e deformuar katërcipërisht nga modeli që dhunshëm e me pompozitet duan të përcjellin politikbërësit, që rast pas rasti nuk shoqërohet me elementët e meritokracisë, por me njohjet e miqësitë, paaftësinë e servilizmin, mungesën e vizionit dhe përfitimit të momentit, është shenja ulëritëse e degradimit, pavarësisht deklaratave ulëritëse apo strukturave që ngrihen për t’i gjetur punë personazheve të paaftë, dhe jo për të vendosur në karrigen e duhur, njeriun e duhur.

Më shumë sesa Shukriu dhe brekët e grisura të Shukriut, duhet të shqetësohemi për zyrtarët e ARRSH që nga përfitimi i momentit në një pikë karburanti, me veprimin dhe mosveprimin e tyre, morën jetën e dy fëmijëve të vegjël; duhet të shqetësohemi më shumë nga videot që publikojmë çdo ditë nga gjimnazet e qyteteve në rrethe të ndryshme, ku vajzat e vogla shqyejnë flokët për një të dashur; duhet të shqetësohemi nga deklarata e Mimoza Hafizit pse një mësuese e ndershme u hoq nga puna vetëm se ndoqi një aktivitet të kundërshtarit; ashtu sikurse duhet të shqetësohemi për arrogancën te inspektori, tatimori, doganieri, punonjësi social, roja i një ministrie, inspektori i kontrollit të hidrokarbureve, ai i cilësisë së ushqimit apo edhe inspektori i prishjes së ndërtimeve pa leje; duhet të shqetësohemi nga mënyra sesi na dhunojnë përditë jetën duke ndjekur me orë të tëra debatet degjeneruese e shteruese në Kuvend, duke na dhënë një teatër tragji-komik me të cilat formësojnë antivlerën. Shukriu me brekët e tij të grisura më duket se është epilogu i një shoqërie që po shkon përtej degjenerimit formal.

Dhe këtu kthejmë sytë te ajo që po ndodh brenda nesh. Një spot për të mbështetur lëvizjen LGBT me dy vajza e një fëmijë, ku fëmija u thotë mami të dyjave, është sot po ashtu një nga gjërat më të debatuara në shoqërinë tonë ku sikurse e proklamojmë po ne, me të madhe, vlerat e forta të familjes prevalojnë mbi interesat e çastit dhe të momentit të një grupimi fare të vogël që kërkojë të ndërhyjë dhunshëm në shoqëri.

Ndryshimi kushtetues pasohet me kërkesën e këtij grupimi për të hyrë dhunshëm në një shoqëri ende tradicionale, që do kohë të emancipohet, për të gjitha shkaqet dhe argumentet që i shohim për ditë. Por këtu, më vjen të shtroj pyetjen: kush janë gjykuesit: Shukriu, apo shukrinjtë e tjerë të shoqërisë shqiptare? Kush janë predukuesit e familjes: këta që sapo shofin një femër, flasim me përçmim për gratë që kanë në shtëpi? Tregojnë poshtë e përpjetë sesi ia dredhin bashkëshorteve, sa herë shkojnë me dashnore, ku i çojnë dashnoret, çfarë u blejnë, si u imponojnë seks; si e përçmojnë familjen?

Në këtë fazë, gjykimi të turbullohet, të kërkohet të japësh një mendim dhe mbetesh i dyzuar, ashtu sikurse jam e bindur se nga ana e vendimmarrësve, e gjitha do të kalojë në heshtje, me parimin alla-Maliq që “çudia më e madhe tre ditë zgjat”.

Por në fakt nuk duhet të jetë kështu, dhe kjo është detyrë e të gjithëve, le të mos ua kërkojmë parlamentarëve që nuk janë etaloni i përcjelljes së meritokracisë, besueshmërisë, devotshmërisë në kryerjen e detyrave. Kjo duhet të fillojë nga mësuesit për fëmijët në bankat e shkollës, nga profesorët e pedagogët e Universiteteve, nga librat që mungojnë tek fëmijët e brezit “iphone” e mandej, nga kriteret aspak profesionale të punësimit në administratë, qoftë shtetërore, qoftë edhe private.

Ndaj është ulëritëse dhe alarmante të themi që përpara se të merremi me brekët e grisura të Shukriut, le të merremi me brekët e grisura të shoqërisë. Sepse sa më shumë të zgjatet kjo agoni shoqërore, brekët e grisura të Shukriut, në fund të ditës, do të jenë vetëm një subjekt qesharak bisedash kafenesh e zyrash shteti.

SHKARKO APP