Presidenti Trump: Po shqyrtoj largimin nga NATO!
Sipas fjalëve të tij, Presidenti i SHBA-së Trump po shqyrton tërheqjen e SHBA nga NATO. Arsyeja që jepet është mungesa e mbështetjes nga aleatët për ndërhyrjen ushtarake të SHBA kundër Iranit.
Gazeta britanike “Daily Telegraph” raporton se, kur u pyet nëse po e rishqyrtonte anëtarësinë e SHBA në NATO, Donald Trump u përgjigj : “Oh, po, do të thoja se është fjala për më shumë se thjesht një vajtje mendjeje.”
Sipas Presidentit të SHBA-së, ai ka pasur prej kohësh dyshime për besueshmërinë e aleancës.
“Gjithmonë e kam ditur se është tigër letre, dhe, rastësisht, edhe Putini e di këtë”, tha Trumpi, duke iu referuar Presidentit rus Vladimir Putin.
Marrëdhëniet duhet të rishikohen
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, kishte shprehur ndjenja të ngjashme në lidhje me luftën e Iranit në një intervistë me Fox News. “Prandaj, mendoj se për fat të keq, nuk ka dyshim se sapo të mbarojë ky konflikt, do të na duhet ta rivlerësojmë këtë marrëdhënie”, deklaroi Rubio.
“Do të na duhet ta rishqyrtojmë vlerën e NATO-s dhe kësaj aleance për vendin tonë”. Në fund të fundit, ky është vendimi i Presidentit. “Dhe ai do të duhet ta bëjë këtë”, tha Rubio.
Qeveria amerikane ka kritikuar për javë të tëra atë që e sheh si mungesë mbështetjeje nga partnerët e NATO-s në luftën kundër Iranit. Kjo përfshin, ndër të tjera, përdorimin e bazave dhe ndihmën në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, e cila është me rëndësi të madhe për ekonominë globale.
Një shtyllë themelore e aleancës mbrojtëse është detyrimi i ndihmës së ndërsjellë midis aleatëve në rast të një sulmi, sipas Nenit 5. Lufta kundër Iranit e iniciuar nga SHBA-të dhe Izraeli nuk mbulohet nga kjo dispozitë.
Shtetet e BE po mbajnë distancë
Kohët e fundit, disa vende evropiane kanë kufizuar përdorimin e bazave në territorin e tyre nga ushtria amerikane. Të martën doli në pah edhe se qeveria italiane i kishte mohuar ushtrisë amerikane përdorimin e një baze ajrore në Siçili për një mision luftarak në luftën e Iranit.
Sipas burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes në Romë, një kërkesë nga ushtria amerikane që disa avionë luftarakë të uleshin në bazën Sigonella, të vendosur pranë Katanias, është refuzuar. Të hënën, Spanja mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë që kryenin misione kundër Iranit. Britanikët i autorizuan me vonesë forcat e armatosura amerikane të përdorin bazat e tyre dhe vetëm për qëllime mbrojtëse.
Starmeri kundërshton
Kur u pyet për deklaratat e Trump-it, kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi NATO-n si “aleancën ushtarake më efektive” që bota ka parë ndonjëherë. Starmeri theksoi se, në vendimet e tij, ai gjithmonë vepron në interesin më të mirë të Britanisë së Madhe.
“Pavarësisht se sa zhurmë bëhet,” tha Starmer-i, dhe shtoi, “Kjo është arsyeja pse e kam bërë shumë të qartë se kjo nuk është lufta jonë.” Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur vlerësime të ngjashme me ato të Starmer-it.
KOHA JONË SONDAZH

