Presidenca: Nuk ka pasur asnjë komunikim nga ministria e jashtme për votën në OKB
Presidenca ka reaguar sot lidhur me disa lajme në media për çështjen e votës së Shqipërisë kundër SHBA në OKB. Në një sqarim zyrtar, Presidenca deklaron se mes përfaqësuesve të këtij institucioni dhe Ministrisë së Jashtme nuk ka pasur asnjë komunikim institucional për mënyrën sesi do të votonte Shqipëria në OKB.
Presidenca thekson se i vetmi komunikim zyrtar mes institucionit të kreut të shtetit dhe Ministrisë së Jashtme është bërë dy orë pasi ishte kryer votimi në OKB.
Ndërkohë, kreu i shtetit është njohur me votën e Shqipërisë në OKB vetëm me anë të mediave, pasi ishte kryer votimi, dhe jo sipas ligjit duke u informuar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme.
Reagimi i plotë i Presidencës:
Sot, rreth orës 12:00, portali “Lapsi.al”, ka publikuar një artikull me titull “Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump”.
Duke patur të qartë prapavijën qëllimkeqe dhe dizinformuese të këtij lajmi, jo të rastësishëm, Zyra e Shtypit e Presidentit sqaron edhe njëherë se:
Nuk ka patur asnjë informim dhe konsultim paraparak nga MEPJ dhe zyrtarë të saj në drejtim të kabinetit të Presidentit të Republikës për votimin në OKB.
Vetëm disa minuta para votimit, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, z.Arben Cici i ka telefonuar me iniciativën e tij për shkak të sensibilitetit të çështjes, Drejtorit të Përgjithshëm Politik në MEPJ, z.Ferit Hoxha për t’u njohur me vendimin për mënyrën e votimit të Shqipërisë në OKB, nga i cili ka marrë përgjigje që “Nuk ka ende një vendim por po vazhdojmë konsultimet”, por jo me kabinetin e Presidentit.
Pak minuta më vonë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z, Ilir Meta është njohur me qëndrimin e Shqipërisë në OKB vetëm përmes mediave online, ashtu si gjithë qytetarët e vendit.
Për informacion më të saktë njoftojmë se Drejtori i Kabinetit në Presidencë, z. Arben Cici ka marrë një njoftim me SMS nga Drejtori i Përgjithshëm Politik në MEPJ, z. Ferit Hoxha, vetëm në orën 18:24, rreth dy orë e gjysëm pas votimit, me një “Pro” rezolutës”.
Nuk ekziston asnjë komunikim tjetër i mëparshëm midis Kabinetit të Presidentit me MEPJ dhe shërbimin diplomatik.
U detyruam të bëjmë këtë sqarim të detyruar, për shkak të rëndësisë të veçantë të kësaj çështjeje dhe transparencës ndaj opinionit publik, këtij keqinformimi tërësisht të qëllimtë, jo profesional dhe manipulues për opionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë.