Presidenti: Dekorimi i atentatorit të Hajdarit, provokim i panevojshëm

Zëdhënësi i Presidentit,  Tedi Blushi i pyetur sot nga mediat lidhur me vendimin për shpalljen “Qytetari Nderi” i Hasit, të Gafur Mazrekut, i cili plagosi me armë brenda ambienteve të Parlamentit, Liderin e Dhjetorit dhe Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari u shpreh se: “Çdo akt që evokon konfliktet ekstreme dhe dhunën kriminale duhet dënuar dhe evituar në jetën publike. Ky vendim është një provokim i panevojshëm, në tejkalim të vlerave e moralit të shoqërisë sonë dhe perspektivës të saj të qartë europiane. Dekorimi i personave të dënuar me vendim gjykate për plagosje me armë, nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike“.

Ditën e sotme, me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrrekun “Qytetar Nderi” të Hasit, me motivacionin “Personalitet Intelektual, në kontributin e pashoq në Pushtetin Vendor”.

Gafurr Mazrreku njihet deputet i Partisë Socialiste që në vitin 1997 qëlloi në ambientet e Kuvendit, në drejtim të deputetit  demokrat, Azem Hajdari, duke e plagosur atë. Ai u dënua me 8 vjet burg për plagosjen e Azem Hajdarit. Titulli “Qytetar Ndrei” u votua nga këshilltarët e PS në Has. Votimi kundërshtohet nga këshilltarët e djathtë. Miftar Dauti, kryetar i këshilltarëve të djathtë, tha: “Vendimi është i jashtëligjshëm pasi është marrë pa prezencën e këshilltarëve të djathtë. Ne kërkuam 5 minuta pushim për konsultime, ndërkohë që këshilltarët e majtë e kanë miratuar propozimin e administratës së bashkisë. I bëj thirrje prefektit që të mos e miratojë këtë vendim”.

Pak orë para se të merrej vendimi, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama e ka quajtur një turp propozimin e këshilltarëve të majtë, duke u shprehur se ky propozim nuk duhej të kishte ardhur asnjëherë. Burimet tregojnë se Rama ka bërë të paditurin, duke pyetur: “Ç’janë këta këshilltarë që bëjnë këto propozime pa pyetur dhe ne nuk dimë gjë”.

Në lidhje me këtë vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit reagoi edhe Partia Demokratike në Tiranë, nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri: “Në një akt të pashembullt dhe kriminal, Edvin Kristaq Rama shpalli sot Qytetar Nderi të Hasit atentatorin e Liderit të Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari. Vendimi i përfaqësuesve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Hasit u mor 3 ditë pasi Partia Demokratike i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë të ndalojë vendimmarrjen kriminale të këshilltarëve, të cilët janë plotësisht nën kontrollin e tij. Prandaj, Edvin Kristaq Rama nuk fshihet dot sot dhe as mund të lajë duart si Pilati! Partia Demokratike e konsideron atë vetë, autorin e vendimit kriminal që nderoi me titullin më të lartë atentatorin e Tribunit të Demokracisë Azem Hajdari, që bashkë më studentët dhe qytetarët e Tiranës, rrëzuan regjimin e etërve të këtyre që drejtojnë sot vendin”.

SHKARKO APP