Presidenti i Filipinëve Duterte, Obamës: “Bir bushtre!”.Anullohet takimi zyrtar

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barack Obama, anuloi takimin e planifikuar me presidentin e Filipineve Rodrigo Duterte, pasi që udhëheqësi i Filipineve përdori një gjuhë vulgare duke ju referuar presidentit Obama në një takim me gazetarë.

Presidenti Obama më herët tha se kishte planifikuar një takim me presidentin Duterte në Laos, për të ngritur edhe çështjen e mbi 2 mijë vrasjeve të paligjshme të kontrabandistëve dhe përdoruesve të drogës në Filipine që kur Duterte mori postin në muajin qershor.

Nga ana e tij Duterte mbrojti mbështetjen e tij për vrasjet, duke theksuar se ai po ndjek vullnetin e atyre që e kanë zgjedhur.

Më pas, para se të largohej nga Manila për në kryeqytetin e Laosit, Vientiane, ai i tërhoqi vërejtjen presidentit Obama: “duhet të keni respekt dhe jo vetëm të hidhni pyetje”, tha ai duke përdorur një frazë në gjuhën Tagalog që do të thotë “bir bushtre”.

Presidenti Obama fillimisht ngriti supet rreth komenteve të presidentit Duterte, duke theksuar se “qartazi Duterte është një djalë i gjallë.” Por, ai gjithashtu tha se takimi i planifikuar varet nëse Duterte është përgatitur për “bisedime konstruktive e të frytshme”.

Disa orë më vonë zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Ned Price, tha se takimi i së martës me Duterten është anuluar dhe presidenti Obama në vend të tij do të takojë presidentin e Koresë së Jugut Park Geun-hye.

Presidenti i Filipineve, shprehu keqardhje të martën që komentet e tij më një gjuhë vulgare dolën si sulm personal ndaj presidentit amerikan Barack Obama.

“Qëllimi ynë kryesor është një politike e jashtme e pavarur, që nxitë marrëdhënie të ngushta me të gjitha kombet, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara me të cilat kemi partneritet të gjatë e të qëndrueshëm”, thuhet në një deklaratë të tij.

Duterte, që bëri fushatë për postin e presidentit me zotimin se do t’u jap fund veprimtarive të paligjshme me narkotikë në vendin e tij, alarmoi një varg organizatash humanitare me zhvillimet vdekjeprurëse të muajve të fundit.

SHKARKO APP