Presidenti i Parlamentit Europian: Kampe refugjatësh në Shqipëri

Për herë të parë një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka deklaruar se është e mundshme që kampet e refugjatëve të ngrihen në Shqipëri. Bëhet fjalë për presidentin e Parlamentit Evropian, italianin Antonio Tajani, i cili e ka bërë këtë deklaratë një ditë përpara mini-samitit për refugjatët, i kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Ne kemi nevojë për kampe jashtë BE”, ka thënë Tajani sot për “Funke Medien Gruppe”, duke shtuar “se e përfytyron si të mundshme, që qendra të tilla të ngrihen në Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut. Tani nuk bëhet fjalë për zgjidhje të veçuara kombëtare ne kemi nevojë për një strategji europiane”.

Deklarata e zyrtarit të lartë të BE, rrëzon gjithë argumentet e qeverisë shqiptare gjatë javës së fundit. Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të qeverisë kanë deklaruar se “as u është kërkuar dhe as po negociohet për kampe refugjatësh”. Ndërkohë që Presidenti i PE, që pas Komisionit Europian, është autoriteti më i rëndësishëm vendimmarrës thotë hapur dhe troç se Shqipëria mund të jetë vendi ku do ngrihen kampe refugjatësh.

E gjitha kjo konfirmon tezat se çështja e kampeve po diskutohet në mënyrë të fshehtë nga qeveria shqiptare me vendet e Bashkimit Europian.

Presidenti i PE ka përmendur Libinë, Tunizinë, Marokun dhe Nigerinë si shtete të mundshme ku mund të ngrihen gjithashtu kampe për refugjatët. Tajani ka theksuar se problemi i refugjatëve nuk është çështje vetëm e Gjermanisë dhe ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje në nivel të BE-së, sepse nëse shtetet anëtare veprojnë të veçuara, atëherë kjo mund të sjellë edhe shkatërrimin e unionit.

SHKARKO APP