Presidenti i Serbisë, Vuçiç në OKB: Serbia dhe Shqipëria kanë sot marrëdhëniet më miqësore ndër gjithë shekujt

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se vendi i tij mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ndërsa kritikoi vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas fjalimit të presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyy, presidenti serb tha se konflikti në Ukrainë nuk është i pari pas Luftës së Dytë Botërore në truallin e Evropës.

“Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve – cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush”, tha ai, duke e cilësuar agresion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Presidenti serb tha se vendi i tij “me durim dhe vullnet të mirë është vënë në kërkim të një kompromisi për Kosovën” në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha presidenti serb.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, por të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe janë pajtuar që si pjesë e këtij procesi, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Presidenti serb tha se Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata “të ndyra” që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale si dhe për faktin që Serbia “vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse askujt nuk mund t’i sjellë rezultate”.

Serbia është i vetmi vend evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën në të ardhmen si miq dhe partnerë që kanë një vizion të përbashkët për anëtarësim në një Evropë të bashkuar, duke përmendur si shembull siç tha, faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik”.

SHKARKO APP