Presidenti Ilir Meta dekoron senatorin italian: Casini, mik i provuar i Shqipërisë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi në një ceremoni të veçantë senatorit italian, Pier Ferdinando Casini, Dekoratën “Nënë Tereza”.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, ish-Kryeministri, Sali Berisha, deputetë, përfaqësues të trupi diplomatik dhe të institucioneve të tjera.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Meta vlerësoi personalitetin e spikatur të Casini si politikan që mishëron vlerat më të larta të parlamentarizmit, dialogut dhe demokracisë.
“Senatori Casini ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe për mbështetjen e iniciativave të ndryshme parlamentare italiane në dobi të forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. Po kështu ai ka qenë një avokat i vazhdueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin tonë”, – tha Presidenti i Republikës.
Më tej, Presidenti Meta theksoi se Senatori Casini është një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane, që ka ndikuar dukshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Si President i Dhomës së Deputetëve, por edhe si Kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit italian, Senatori Casini ka ndihmuar për forcimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe krijimin e një atmosfere të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy parlamenteve. Një kontribut tjetër i vyer ka qenë mbështetja që zoti Casini i ka dhënë ndërtimit të Qendrës Spitalore Universitare dhe Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, që sot është ndër më të vlerësuarat në vendin tonë dhe ku studiojnë shumë studentë italianë”, – shtoi Presidenti Meta.
Duke u ndalur te viti mbarë kombëtar i të Skënderbeut, Presidenti Meta theksoi se intensifikimi i kontakteve dhe ngjarjeve politike, historike dhe kulturore me Italinë është i veçantë, sepse të veçanta dhe jetike ishin për Skënderbeun aleancat e tij përtej Adriatikut në periudhën më të lavdishme të popullit dhe kombit tonë.
“Këto lidhje kaq të forta vazhduan edhe më pas përmes arbëreshëve tanë, të cilët përtej Adriatikut gjetën mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme, jo vetëm për të jetuar të lirë, por mbi të gjitha për të ruajtur traditat e tyre, gjuhën dhe kulturën e tyre, ritet e tyre fetare dhe figurën e lavdishme të Skënderbeut për disa shekuj dhe për ta risjellë në Shqipëri në prag të Rilindjes kombëtare, e cila do të sillte pavarësinë e Shqipërisë. Po kështu, pas viteve 90’ Italia mirëpriti dhjetëra mijëra emigrantë të dëshpëruar, ndërsa sot atje janë të mirë-integruar mbi 500 mijë shqiptarë të cilët japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona”, – u shpreh Presidenti Meta, teksa shtoi se shqiptarët kanë treguar aftësitë dhe talentin e tyre kudo në punë, sipërmarrje, sport, kulturë.
“Mjafton të përmendim edhe fituesin e fundit të “Sanremos”, Ermal Metën, për të kuptuar se sa të forta, të ndërlidhura, të pandashme e të natyrshme janë marrëdhëniet shqiptaro-italiane sot”, – tha Presidenti i Republikës.
Pier Ferdinando Casinit i akordohet Dekorata “Nënë Tereza” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të personalitetit të tij të spikatur, si politikan që mishëron vlerat më të larta të parlamentarizmit, dialogut dhe demokracisë; një urë lidhëse e miqësisë së përhershme italo-shqiptare, përvoja dhe vizioni i të cilit kontribuuan për forcimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe mbështetës i vendosur i integrimit euroatlantik të Shqipërisë”.
https://www.facebook.com/kohajone/videos/814898602033012/
Fjala e plotë e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit:
Është kënaqësi e nder të kemi në mesin tonë një politikan të shquar italian e evropian, një mik të provuar të Shqipërisë: të nderuarin Senator Pier Ferdinando Casini.
Ceremonia e sotme organizohet për nder të tij, për t’i shprehur mirënjohjen e sinqertë këtij politikani të shquar italian dhe evropian, i cili ka mbështetur fuqishëm zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj euroatlantik, për tre dekada. Mirënjohja jonë është veçanërisht e thellë për këtë politikan të moderuar simbol i dialogut, shembull i tolerancës e civilizimit dhe përfaqësues europianist i bindur në vlerat e lirisë, drejtësisë e solidaritetit.
Senatori Casini është një prej personaliteteve më të shquara të politikës italiane, që ka ndikuar dukshëm e vazhdimisht në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ai njihet në Itali e jashtë saj si një politikan i qendrës, europianist dhe atlantist, me një karrierë të shkëlqyer politike prej afro katër dekadash. Duke ardhur si politikan i shkollës së Alcide De Gasperit dhe Demokracisë Kristiane nga Republika e Pare Italiane deri në ditët e sotme, z. Casini përfaqëson një nga politikanët evropianë me më shumë përvojë.
Ai ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe për mbështetjen e iniciativave të ndryshme parlamentare italiane në dobi të forcimit të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai ka qenë mbështetës aktiv i angazhimit të Italisë në të gjitha operacionet humanitare në Shqipëri.
Po kështu ai ka qenë një avokat i vazhdueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Gjithmonë ka qen një mbështetës i palëkundur të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit.
Si President i Dhomës së Deputetëve, por edhe si Kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit italian, Senatori Casini ka ndihmuar për forcimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe krijimin e një atmosfere të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy parlamenteve.
Një kontribut tjetër i vyer ka qenë mbështetja që zoti Casini i ka dhënë ndërtimit të Qendrës Spitalore Universitare dhe Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, që sot është ndër më të vlerësuarat në vendin tonë dhe ku studiojnë shumë studentë italianë.
Italia është partner i pazëvendësueshëm strategjik për Shqipërinë. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë të veçanta, shtrihen në shekuj, janë shumëplanëshe e jashtëzakonisht njerëzore. Dimensioni politik dhe ekonomik i tyre janë në rritje të vazhdueshme. Italia është partneri kryesor e i pazëvendësueshëm, tradicional e natyral ekonomiko-tregtar.
Mjafton të theksojmë se gjysma e eksporteve tona shkojnë drejt Italisë për të kuptuar sa jetike janë këto raporte. Ndaj një Itali e fortë, e qëndrueshme dhe e begatë është e rëndësishme për një Shqipëri më të zhvilluar dhe të begatë.
Përveç vlerave institucionale dhe politike, Senatori Casini përfaqëson edhe në planin njerëzor disa nga vlerat më të spikatura pozitive të popullit dhe kombit italian, të cilat jam i bindur se bashkojnë në këtë ceremoni edhe shumë personalitete të shquara të politikës sonë nga e djathta apo e majta që kanë pasur kënaqësinë të bashkëpunojnë me të.
Në këtë vit të Skënderbeut, intensifikimi i kontakteve dhe ngjarjeve politike, historike dhe kulturore me Italinë është i veçantë. Sepse të veçanta dhe jetike ishin për Skënderbeun aleancat e tij përtej Adriatikut në periudhën më të lavdishme të popullit dhe kombit tonë.
Këto lidhje kaq të forta vazhduan edhe më pas përmes arbëreshëve tanë, të cilët përtej Adriatikut gjetën mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme, jo vetëm për të jetuar të lirë, por mbi të gjitha për të ruajtur traditat e tyre, gjuhën dhe kulturën e tyre, ritet e tyre fetare dhe figurën e lavdishme të Skënderbeut për disa shekuj dhe për ta risjellë në Shqipëri në prag të Rilindjes kombëtare, e cila do të sillte pavarësinë e Shqipërisë.
Po kështu, pas viteve 90’ Italia mirëpriti dhjetëra mijëra emigrantë të dëshpëruar, ndërsa sot atje janë të mirë-integruar mbi 500 mijë shqiptarë të cilët japin një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Tashmë shqiptarët kanë treguar aftësitë dhe talentin e tyre kudo në punë, sipërmarrje, sport, kulturë.
Mjafton të përmendim edhe fituesin e fundit të “Sanremos”, Ermal Metën, për të kuptuar se sa të forta, të ndërlidhura, të pandashme e të natyrshme janë marrëdhëniet shqiptaro-italiane sot.
Ndaj dhe nëpërmjet ceremonisë së sotme dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për Italinë e në mënyrë të veçantë për Senatorin Casini, e përkushtimin e tij personal për forcimin e miqësisë italo-shqiptare, duke i akorduar dekoratën e lartë që mban emrin e shenjtores “Nënë Tereza”.
Jemi të bindur se Senatori Casini edhe në të ardhmen do të vazhdojë të kontribuojë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe miqësinë e pandashme të dy vendeve tona.
Fjala e plotë e Senatorit Italian, Pier Fernando Casini:
Dua të falënderoj mbi të gjithë Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta për këtë nderim të madh që më ka bërë. Thjesht përmendja e emrit të shenjtores Nënë Terezës më emocionon, duke pasur parasysh faktin se kam pasur nderin ta takoj personalisht në qytetin tim të Bolonjës, kur isha deputet në moshë shumë më të re.
Dua të falënderoj kolegët dhe miqtë që kam këtu – të më falni nëse nuk do të mund t’i përmendja të gjithë – por dua të them se është një shenjë e raporteve njerëzore që kemi krijuar ndër vite. Megjithatë, nuk mund të mos përmend rastin kur ish-Presidenti Berisha më ftoi disa vite më parë në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës. Ishin kohë shumë të ndryshme për Shqipërinë dhe që prej asaj kohe vendi ka bërë një rrugë të gjatë dhe tani ka vend për t’u ndjerë krenar nga të gjithë partitë, si ato të mazhorancës ashtu edhe ato të opozitës.
Presidenti Meta më ka akorduar këtë dekoratë, por kam bindjen se në të vërtetë ky nuk është një nderim thjesht për mua personalisht, por për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Ai ka risjellë në vëmendje disa etapa të miqësisë tonë, ndërsa unë do të doja të thoja vetëm diçka lidhur me të ardhmen. Është bërë shumë, por mbetet ende shumë për të bërë. Ne duam një Shqipëri evropiane, 100% pjesë e Evropës, sepse jemi të bindur se vendi juaj është faktor thelbësor i stabilitetit të Ballkanit dhe të Evropës.
Ju e dini se Italia sot po përjeton një krizë politike dhe institucionale komplekse, por unë mund të them diçka me siguri, se kushdo që do të drejtojë Italinë në qeverinë e ardhshme do të jetë koherent me traditën tonë më të mirë në politikën e jashtme.
Edhe partitë e reja që i afrohen qeverisë së vendit do të jenë, ashtu siç kemi qenë edhe ne, mbështetës dhe ambasadorë të Shqipërisë në Evropë. Dhe më gëzon fakti teksa shoh pikat e programit, që kolegët e lëvizjes së re “Pesë yjet” kanë prezantuar, konfirmimin e asaj çka po them, që flitet për vazhdimësi në impenjimet e politikës evropiane. Sidoqoftë, z. President, ne nuk jemi në pension, jemi në Parlament dhe do të vazhdojmë të kujdesemi që kjo të jetë një impenjim i përbashkëta i të gjitha partive evropiane. Rroftë Italia, por mbi të gjitha rroftë Shqipëria!