Presidenti Ilir Meta: Integrimi më i sigurtë është përmes arsimimit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Diskriminit Racor, takoi sot një grup studentësh të nivelit Bachelor dhe Master të komunitetit Rom dhe Egjiptian sëbashku me përfaqësues të stafit të shoqatës “Roma Versitas Albania”.
Gjatë takimit Presidenti Meta tha se “sot është dita për të qenë më të përgjegjshëm dhe më humanë, për të pasur një shoqëri më të bashkuar për sfidat që na presin. Është detyrë e të gjithëve ne, të promovojmë tolerancën, gjithëpërfshirjen dhe respektin ndaj çdo njeriu pavarësisht komunitetit që i përket. Vendi ka nevojë për një shoqëri të drejtë, pa asnjë lloj paragjykimi etnik, fetar e kulturor, sepse çdo njeri ka të drejtën për barazi dhe jodiskriminim si gurë themeli të të drejtave të njeriut”.
Presidenti Meta theksoi se “e ardhmja e vendit varet nga rinia e familjeve të thjeshta të shoqërisë që kanë aspirata të mëdha. Integrimi më i sigurtë është ai përmes arsimimit. Ndaj për mua është kënaqësi të shikoj midis jush inxhinierë, mjekë, infermierë, psikologë, arkitektë apo ekonomistë të ardhshëm të vendit. Jam i sigurtë se do të bëheni lider dhe shembulli i duhur për t’u ndjekur nga qindra e mijëra të rinj të komuniteteve tuaja. Investimi më i madh për shoqërinë është shkollimi dhe edukimi i duhur i rinisë”, – tha Kreu i Shtetit.
Gjatë bashkëbisedimit, studentët e nivelit Bachelor dhe Master të komunitetit Rom dhe Egjiptian, e njohën Presidentin me problematikat e tyre dhe falenderuan për angazhimin e tij për të qenë përherë në mbështetje të rinisë.