Presidenti Ilir Meta: Shqipëria, model i paqes dhe harmonisë fetare
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me temë: “Indeksi i Paqes 2018. Ç’mësojmë nga analiza e tij?”, aktivitet i organizuar nga Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC).
Në këtë takim u prezantua Raporti për Paqen Globale, publikim i Institutit të Ekonomisë dhe Paqes. Relatori kryesor, themeluesi i Institutit të Ekonomisë dhe Paqes, Steve Killelea, dy herë kandidat për çmimin Nobel për Paqen.
Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë në aktivitet së bashku me Koordinatorin e Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë, Brian J. Williams. Presidenti Ilir Meta: OKB lindi si mekanizëm për ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në botë.
Në fjalën e tij, Presidenti Meta u shpreh se bota sot po përballet me sfida të mëdha të cilat duhet të trajtohen sipas parimeve të OKB. “Parimet e OKB janë detyrim për më shumë besim mes kombeve në luftën e përbashkët për dinjitetin njerëzor, vlerat e të drejtat themelore të tij, për barazinë e respektin reciprok. Ne duhet të analizojmë ndryshimet e mëdha botërore dhe transformimet e shoqërive tona, për të kontribuar në forcimin e paqes botërore, paqes ekonomike, politike, sociale, etnike e fetare. Rreziqet e sfidat që kemi përballë janë të shumta e të shumëllojshme e paqja në botë mbetet shumë e brishtë”,- tha Presidenti Meta.
Kreu i shtetit shtoi se të gjithë faktorët dhe aktorët duhet të punojnë për paqen, pasi nuk mjafton vetëm të flasësh për të. “Nuk mjafton vetëm të flitet mbi paqen. Duhet të besohet në të dhe të luftohet për të. Paqja nuk është e përjetshme vetiu. Ajo nuk është një dhuratë që gëzon imunitet e paprekshmëri. Ajo fitohet me gjak, mund e sakrifica e ndoshta, po kaq vështirësi kërkohen për ta ruajtur atë.Meta: Inkurajoj vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Lajm i mire për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon arritja e marrëveshjes për emrin e ri të Maqedonisë”,- tha Presidenti.
Një element që prodhon tensione dhe konflikte janë dhe ekstremizmat fetare. Kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria është modeli i harmonisë fetare dhe kjo është një vlerë që duhet ruajtur.
“Paqja dhe fuqizimi ekonomik i një vendi shkojnë me një hap. Besimet fetare kontribuojnë në ndërtimin e paqes duke ndikuar në klimën morale-politike, përmes forcimit të frymës së bashkëpunimit mes komuniteteve. Aktorët fetare janë një forcë e madhe për drejtësi sociale për shoqëri në paqe. Asnjë fe e madhe nuk predikon pjesëmarrje dhe nuk është burim i konfliktit, por një forcë në krijimin e paqes. Bashkësitë fetare mund të ndërmjetësojnë në situatat e konfliktit dhe të shërbejnë si një lidhje komunikimi jo vetëm për të ulur tensionet por edhe të ndërgjegjësojnë ndjekësit e tyre për karakterin e vërtetë të konfliktit. Shqipëria mbetet model i paqes, bashkëjetesës dhe harmonisë mes komuniteteve fetare. Kjo vlerë historike dhe kombëtare të ruhet të forcohet më tej dhe mbetet larg influencave dhe tendencave të huaja për to dhe për populli tonë”,- tha ndër të tjera Presidentit Meta.