Presidenti Ilir Meta vizitë nga Skrapari, në Përmet e në Gjirokastër

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta po zhvillon një tur vizitash në qytetet e jugut të vendit.

Pardje ishte në Skrapar, ku hapi sezonin turistik e me pas “notoi” në kanionet e mrekullueshme të zonës.

Më pas në një vizitë në qytetin e Përmetit. Presidenti Meta duke vënë në pah veçoritë specifike dhe vlerat qytetare të Përmetit dhe përfaqësuesve të tij më të shquar, çmoi sportistin dhe trajnerin e spikatur përmetar Ethem Kaso me Titullin “Mjeshtër i Madh” me këtë motivacion: “Në vlerësim të përkushtimit dhe karrierës së gjatë e të suksesshme si mësues e trajner i basketbollit për femra në qytetin e Përmetit, si dhe për përgatitjen cilësore të disa brezave të basketbollisteve në nivel kombëtar”.

 

Në foto: Presidenti duke dekoruar sportistin dhe trajnerin e spikatur përmetar Ethem Kaso me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Dhe sot në qytetin e Gjirokastrës, ku u prit në sheshin “Çerçizi” nga kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, autoritetet vendoret, deputetë dhe qindra banorë. Presidenti Meta i akordoi titullin “Mjeshtër i madh” doktorit të shquar të Gjirokastrës, Vasil Laboviti.

“Kam kënaqësinë, nderin e privilegjin të vlerësoj sot këtë figurë të shquar, humanist e personalitet të spikatur e të dashur për Gjirokastrën. Me një humanizëm të madh e me profesionalizëm të jashtëzakoshëm, Doktor Laboviti ngeli në memorien e bashkëqytetarëve të vet. Nderojmë sot me mirënjohje e admirim figurën e Doktor Labovitit dhe aktivitetin e tij të jashtëzakonshëm. E paharruar vepra e Vasil Labovitit në shërbim të Gjirokastrës, veçanërisht gjatë Luftës Anti-fashiste Nacional Çlirimtare”,-tha në fjalën e tij, Kreu i Shtetit.

Gjithashtu Presidenti Meta mori pjesë në ceremoninë e çeljes së sezonit turistik në Gjirokastër. “Prania e Presidentit, shenjë e vëmendjes, dashurisë e përkujdesjes së tij për Gjirokastrën”,-tha në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës.

Kreu i Shtetit zhvilloi ecje në këmbë e takime me banorë e të shumtë në rrugët karakteristike të pazarit të Gjirokastrës.

Banorët e Gjirokastrës i kanë rezervuar një pritje entuziaste kreut të shtetit. Grupet e valltarëve dhe këngëtarëve profesioniste kanë performuar në sheshin kryesor të qytetit.

Ilir Meta shkruan në Facebook: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”. E shndërruar në një aset të pasurisë kulturore të njerëzimit, tashmë ky qytet i mrekullueshëm gjendet në çdo guidë turistike e rekomandim për t’u vizituar. Kënaqësi të merrja pjesë sot në hapjen e sezonit turistik në Gjirokastër e të takoja shumë turistë të huaj. Është dita që të ndërgjegjësohemi të gjithë e të angazhohemi për më shumë vëmendje e përkushtim në mbrojtje të vlerave e trashëgimisë unike të Gjirokastrës”.

VIDEO/PRESIDENTI META NE GJIROKASTER 

https://www.facebook.com/kohajone/videos/822691967920342/

Presidenti Meta: Deri në qershor të punojmë për një vendim pozitiv për negociatat

Gjatë vizitës në Gjirokastër, Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur dhe interesit të medieve lidhur me procesin e hapjes së negociatave.

Pyetje: Dy fjalë në fillim për sezonin turistik dhe praninë tuaj në Gjirokastër, ju lutem?

Presidenti Meta: Kënaqësi e jashtëzakonshme që jam në Gjirokastër. Është e jashtëzakonshme, sepse gjithmonë ka zhvillime të reja, pozitive dhe ngaherë ka rritje të interesit për Gjirokastrën, e cila është shndërruar në një magnet për turistët vendas e të huaj. Jam i bindur se edhe ky sezon turistik që sapo është çelur, do të jetë mjaft i suksesshëm dhe duket tepër premtues, sepse sot kemi takuar përveç qytetarëve, edhe shumë turistë të huaj, të cilët sapo kanë ardhur dhe të cilët paralajmërojnë një sezon të suksesshëm e tepër të mbarë turistik.

Ajo që doja të doja të theksoja sot në mënyrë të veçantë është një vëmendje më e madhe për të ruajtur vlerat muzeale, kulturore e historike të jashtëzakonshme që ka Gjirokastra, nga rreziku i degradimit dhe i shkatërrimit. Në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm një bashkëveprim dhe koordinim i të gjitha institucioneve vendore e qendrore, një mbështetje më e madhe, pasi këto janë vlera të papërsëritshme e të parikthyeshme. Dhe sot, më shumë se asnjëherë tjetër duhet vepruar edhe me më shumë energji, me më shumë angazhim dhe mbështetje, në mënyrë që t’ua lemë si trashëgim edhe brezave të ardhshëm. Pasi janë edhe një burim mirëqenie, përveç se një arsye e fortë për të rritur krenarinë e gjirokastritëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Pyetje: Mendoni se nuk e ka marrë vëmendjen e merituar përgjatë këtyre viteve të fundit?

Presidenti Meta: Mendoj se në Gjirokastër janë bërë mjaft ndryshime dhe zhvillime pozitive, por ka një prapambetje të konsiderueshme do të thoja të reagimit në kohë, të planifikuar, afatgjatë, në planifikimin e këtij degradimi, prandaj duhet edhe më shumë përqendrim, koordinim, bashkëveprim dhe mbështetje, sot edhe në të ardhmen, sepse e theksoj se janë vlera që nuk mund të rikthehen apo nuk mund të mbrohen më vonë.

Pyetje: Zoti Meta, si i konsideroni lëvizjet e fundit në Prokurori? Sipas jush, a janë lëvizje politike?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment përveç sezonit turistik, i cili ka filluar shumë mbarë si në Skrapar, Përmet, edhe sot në Gjirokastër.

 Pyetje: Po për integrimin e Shqipërisë? Mendoni se do të marrë dakordësinë e vendeve të Bashkimit Evropian?

Presidenti Meta: Besoj se janë të gjitha mundësitë deri në qershor duke u përqendruar të gjithë në ato kërkesat, të cilat dihen se kanë të bëjnë me përparësitë kyçe të këtij procesi. Duke bashkëpunuar të gjithë, jam i bindur se është tërësisht e mundshme që rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian të shoqërohet nga një vendim pozitiv i Këshillit të vendeve anëtare.

SHKARKO APP