Presidenti Meta: Arsim dhe kualifikim për gratë dhe vajzat në zonat rurale

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në veprimtarinë e zhvilluar në Gjinar të Elbasanit kushtuar grave dhe vajzave nga zonat rurale, të organizuar nga “United Nations Women Shqipëri” e që u zhvillua në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Presidenti Meta u përshëndet dhe u takua përzemërsisht me një numër grash dhe vajzash të zonave rurale, të cilat ua kanë kushtuar veprimtaritë e tyre prodhimit të mjaltit, kultivimit, mbledhjes dhe përpunimit të bimëve mjekësore, etj.

Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe promovimit të grave në zonat rurale, Presidenti Meta, duke i përshëndetur të pranishmit me të cilëve ishin Giuseppe Belsito, Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Imzot Andoni Metropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Ervin Saraçi Zëvendëskryetari i Bashkisë së Elbasanit, Janaq Male Drejtor Ekzekutiv i CNVP Shqipëri, etj., theksoi: “Jam shumë i kënaqur që kam ardhur sot këtu në këtë aktivitet të veçantë për të shprehur së pari respektin dhe mirënjohjen për duart e arta të këtyre zonjave dhe vajzave këtu dhe kudo në të gjithë vendin që punojnë kaq shumë, që mundohen kaq shumë, që ruajnë traditat e zonave tona, por njëkohësisht bëjnë gjithçka për të kontribuar për familjet e tyre.

Pavarësisht se kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm, ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë njëherë e përgjithmonë në histori ato vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave. Unë besoj se përmes aktiviteteve të tilla jo vetëm evidentojmë këto vlera që krijohen në bazë të traditave, jo vetëm mban gjallë këto zona, të cilat për fat të keq janë shpopulluar në mënyrë të ndjeshme për shumë arsye që kuptohen, por edhe për një arsye të thjeshtë, sepse nuk kanë patur mbështetjen e duhur që të realizohen ato shërbime jetike ndaj banorëve sidomos ndaj fëmijëve, grave, moshës së tretë në mënyrë që një pjesë e konsiderueshme e njerëzve të vazhdojnë të jetojnë në këto zona sepse 2/3 e Shqipërisë është kodra edhe male.”

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa më shumë e mbështesim turizmin, sa më shumë të mbështesim bujqësinë, sa më shumë të mbështesim agro-biznesin, aq më shumë ndihmojmë gratë në këto zona dhe në të gjithë Shqipërinë, ndihmojmë luftën kundër varfërisë dhe bëjmë të mundur që nga rritja ekonomike e vendit të përfitojnë gjithnjë e më shumë njerëz. Mendoj që kjo është vendimtare edhe për një shoqëri më të drejtë, edhe për një ekonomi më të shëndetshme, por sidomos edhe për të luftuar varfërinë.” – vuri në dukje Presidenti Meta.

“Kemi nevojë t’i përforcojmë disa  mesazhe që të gjithë i dimë që, gruaja është fuqia dhe motori i emancipimit të shoqërisë. Ndaj, kjo mbështetje për gratë dhe për vajzat edhe në zonat rurale dhe kudo është një mbështetje për vetë emancipimin e shoqërisë sonë, edhe për të patur një familje të shëndetshme.

Është një sfidë të cilën e dimë që, të drejtat dhe nevojat e grave dhe vajzave në zonat rurale mbeten ende të pa-adresuara ashtu siç duhet, me vëmendjen e duhur dhe suksesin e duhur. Përveç varfërisë dhe nivelit problematik arsimor në këto zona, shqetësues mbetet niveli i lartë i informalitetit dhe puna e papaguar e grave dhe vajzave në mënyrë të veçantë. Gratë dhe vajzat në këto zona kanë nevojë për një akses më të plotë në arsimimin dhe kualifikimet profesionale. Ndaj, strategjitë e zhvillimit rural duhet të synojnë rritjen e të ardhurave për familjet për rritjen e prodhimit bujqësor, për zhvillimin e turizmit familjar me qëllim kryesor reduktimin e varfërisë.

Duhet të kemi në konsideratë këto strategji gjithashtu, shumëfishimin e skemave të granteve dhe subvencioneve dhe indiskriminimin sa më pozitiv sidomos kur bëhet fjala për sipërmarje të grave dhe vajzave. Promovimi i skemave të mikrofinancës së kredive agrare me interesa të buta për sipërmarjet e vogla dhe të mesme të grave dhe vajzave në zonat rurale do të ishin një kontribut i çmuar për gjallërimin e ekonomive të këtyre zonave. Njëkohësisht përmirësimi i kapaciteteve institucionale të administratës qendrore dhe vendore në orientimin e sektorëve prioritarë për përfitimin e vendeve të punës në këto zona mbetet mjaft kyç.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social duke rrëzuar barrierat që pengojnë aktivizimin aktiv të gjysmës së popullsisë në jetën ekonomike, politike dhe sociale të vendit, duhet të jetë një objektiv i përbashkët i të gjithë aktorëve institucionalë, shtetërorë, qeveritarë, vendorë edhe shoqëror.” – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Në përfundim të fjalës së Tij Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që u rikthye në këtë zonë me mjaft tradita dhe i uroi suksese komunitetit, si dhe në veçanti të gjithë grave dhe vajzave që kanë thurur këto vepra kaq të bukura dhe që kanë gatuar edhe këto produkte të mrekullueshme.

SHKARKO APP