Presidenti Meta biseda telefonike me drejtuesit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot biseda telefonike me Kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, Kryetarin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, si dhe me Kryetarin e Grupit të Kuvendarëve në Komunën e Medvegjës, Muharrem Salihu.

Kreu i Shtetit u interesua për gjendjen shëndetësore të qytetarëve në Luginë, si dhe shprehu solidaritetin e plotë me ta në këto momente të vështira. Gjithashtu, Presidenti shprehu kënaqësinë që deri tani situata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë paraqitet e qëndrueshme sa i përket përhapjes së pandemisë Covid-19.

Ndërsa në mëngjes, Presidenti Ilir Meta përshëndeti vizitën e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në Komunën e Tuzit dhe mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së Malit të Zi për komunitetin shqiptar në këtë situatë të vështirë për të gjithë.

“Duke u uruar të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi shëndet të plotë, si dhe shërim të shpejtë të prekurve nga pandemia Covid-19, shpreh solidaritetin tim në këto momente për kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe për të gjithë komunitetin e dashur shqiptar. Do të jemi gjithmonë pranë jush”.

SHKARKO APP