Meta: Çdo vendim për Rrugën e Kombit duhet të jetë i studiuar dhe konsultuar
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj. Temë e diskutimit ka qenë dhe çështja e taksës dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.
Në një njoftim në Facebook, Presidenti Meta shprehet se me Zëvendëskryeministrin e Kosovës “ndamë të njëjtën bindje se Rruga e Kombit është investimi më madhor që kanë bërë dy vendet tona, e cila ka ndihmuar ndjeshëm rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve dhe qytetarëve tanë”.
Duke nënkuptuar debati për vendosjen e taksës, Presidentit shprehet: “Mirëmbajtja dhe rritja e standarteve të lëvizjes dhe sigurisë është shumë e rëndësishme, por çdo vendim në këtë drejtim duhet të jetë i mirëstudiuar dhe i konsultuar, në mënyrë që ky korridor kombëtar jetik të gjenerojë edhe më shumë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët tanë”.
Zv.Kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në një koment në Facebokk, Limaj zbardh detaje nga biseda me kreun e shtetit shqiptar. Limaj shprehet se me Presidentit Meta ka ndarë të njëjtin mendim lidhur me taksën e rrugës së Kombit.
Postimi i Plotë i Fatmir Limajt në Facebook:
“Ishte kënaqësi për mua ta takoja sot presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta.
Shkëmbyem mendime rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë e Shqipëri. Si gjithmonë presidenti Meta po i përcjell me interes të veçantë zhvillimet në Kosovë. Ishte konstatim i përbashkët se bashkëupunimi Kosovë- Shqipëri duhet të thellohet në të gjitha fushat.
Presidentit Meta ia paraqita shqetësimin e qytetarëve të Kosovës për çmimin e taksës në “Rrugën e Kombit”. Ndamë të njëjtën bindje se “Rruga e Kombit” është investimi më madhor që kanë bërë dy vendet tona, e cila ka ndihmuar ndjeshëm rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve dhe qytetarëve tanë dhe është detyrë e dy qeverive tona që të kujdesemi që kjo rrugë si investim i përbashkët t’i shërbejë këtij misioni.
Krejt në fund e falëndërova presidentin për angazhimin e tij personal për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit”.