Presidenti Meta dekoron Bashkim Zenelin me “Mjeshtër i Madh”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoron ish-deputetin dhe diplomatin e shquar shqiptar, ish-ambasadorin Bashkim Zeneli me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
‘Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar dhe veprimtarinë e gjatë e të spikatur në fushën e politikës së jashtme ku, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasador, u ka shërbyer me përkushtim çështjes kombëtare e integrimit euroatlantike të Shqipërisë’, u shpreh presidenti Meta.
Të pranishëm në ceremoni ish-Presidenti, Rexhep Meidani, ministrat Fatmir Xhafaj e Pandeli Majko, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ish-ministra të Jashtëm, ambasadorë e deputetë
‘Diplomat Zeneli figurë e shquar publike, kontribut te spikatur ne politiken e jashtme. Kontributi i tij për pavarësinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe historik’, tha presidenti Meta gjatë ceremonisë.
Sipas tij, ambasador Bashkim Zeneli është një mjeshtër i diplomacisë publike.
‘Titulli ‘Mjeshtër i madh’, nder i madh dhe vlerësim për të cilin falënderoj Presidentin Meta. Këtë titull të lartë e ndaj me familjen dhe me të gjithë bashkëpunëtorët e mi.
Do vijoj të kontribuoj pa u lodhur për të ardhmen europiane të Shqipërisë’, është shprehur diplomati Bashkim Zeneli.
Pas dekorimit Presidenti Meta ka shkruar në facebook: Me kënaqësi vlerësova sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, personalitetin e njohur publik, z.Bashkim Zeneli, për kontributin e tij të veçantë dhe të spikatur në fushën e politikës së jashtme, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasador në vende të rëndësishme si dhe për përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Angazhimi i tij si ambasador në Gjermani gjatë krizës së Kosovës do të mbetet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në shërbim të kësaj çështje madhore.