Presidenti Meta: Dekretimi i ministrit të ri të Jashtëm varet nga përgjigja e institucioneve

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot për mediat nga qyteti i Kavajës se emrat e ministrave që ende nuk janë dekretuar, po verifikohen sipas ligjit.

I pyetur nga gazetarët Meta u përgjigj se “për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues.”

I pyetur konkretisht për dekretimin e emrit të kandidatit për Ministër të Jashtëm, Gent Cakaj, Presidenti vendimi i Presidencës do të varet nga koha kur institucionet zyrtare që janë pyetur për informacion do të kthejnë përgjigjet. “Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”,- deklaroi Presidenti Meta.

Kreu i shtetit vizitoi sot Kavajën në kuadër të nismës së ndërmarrë së bashku me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.

Prononcimi i plotë i kreut të shtetit për gazetarët në Kavajë:

Pyetje: Zoti President, Kushtetuta ju jep një rol një rol të rëndësishëm si pikë reference për politikën e jashtme. Ngurrimi juaj për të mos dekretuar shkarkimin e Bushatit dhe për të mos dekretuar zëvendësimin e tij, a është kjo pjesë e një ridimensionimi të rolit të Presidentit të Republikës në politikën e jashtme të vendit?

Presidenti Meta: “Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues.”

Pyetje: “Kushtetuta thotë: Ministri mishëron cilësitë e deputetit. Kandidati i propozuar për ministër të Jashtëm, si ju rezulton deri tani?”

Presidenti Meta: “Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale.”

SHKARKO APP