Presidenti Meta dekreton Ramën ministër të Jashtëm
Presidenti Ilir Meta ka marrë vendimin për të dekretuar kryeministrin Edi Rama edhe si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Me anë të një njoftimi për mediat Presidenca bën me dije se ky dekret është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Kreu i shtetit thekson se përmes këtij veprimi ka arritur të shmang krijimin e një krize institucionale që do të dëmtonte pozitën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Njoftim i Zëdhënësit të Shtypit të institucionit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi
Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.
Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që: Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.