Presidenti Meta: Hetim dhe ndëshkim për autorët e sulmit ndaj prokurorit Albert Kuliçi

Në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi tritoli ka shpërthyer në makinën e Albert Kuliçit, zv/drejtues në Prokurorinë e Vlorës. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Presidenti Meta ku dënon me forcë sulmin ndaj prokurorit Kuliçi.

Dënoj me forcë sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi! Kërkohet hetim dhe ndëshkim për autorët! Askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit!“,- thuhet në reagimin e kreut të shtetit.

Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas shpërthimit me tritol të makinës së zv/drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Albert Kuliçi, mëngjesin e sotëm. KLP në deklaratën e saj shkruan atentati duket si një sulm i shenjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mësoi me indinjatë të thellë për aktin kriminal që ka ndodhur sot, në orët e para të mëngjesit, kundër pronës të prokurorit Albert Kuliçi, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar reagimin ndaj ngjarjes. Pa dashur të paragjykojmë përfundimet e hetimit, të cilat i presim me padurim, ajo që ka ndodhur sot në Vlorë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën nr. 1 të Këshillit”,- thuhet në reagim.

Këshilli i Lartë shton se do ti sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme si dhe ju bënë thirrje dhe një herë organeve ligjzbatuese për të zbardhur ngjarjen e sotme në mënyrë sa më të shpejtë. “Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme. Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”,- thuhet në reagimin e KLP.

SHKARKO APP