Presidenti Meta: Elez Biberaj, shembulli më i mirë se si një shqiptar shkëlqen falë talentit

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur sot emërimin e Elez Biberajt si drejtor i “Zërit të Amerikës”. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shprehet se “Z.Elez Biberaj është shembulli më i mirë se si një shqiptar në një sistem demokratik, falë talentit profesional dhe integritetit të lartë mund të shkëlqejë”.

Presidenti Meta ka publikuar shkrimin e gazetës “Zërit i Popullit”, të 18 nëntorit 1990, i cili ndodhet në zyrën e Elez Biberajt, në selinë e VOA-s në Uashington DC. Shkrimi i gazetës zyrtare të PS, në atë kohë Partia e Punës, e sulmon Elez Biberajn për qëndrimet e Zërit të Amerikës mbi zhvillimet në Shqipëri.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook:

“Emërimi i zotit Elez Biberaj në pozicionin tepër të rëndësishëm të Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të “Zërit të Amerikës” është një lajm i madh dhe i gëzueshëm për mua dhe të gjithë shqiptarët.

I pakompromis në mbrojtje të fjalës së lirë dhe standardeve më të mira të gazetarisë, me një karrierë brilante në këtë fushë, si analist i respektuar dhe drejtues i suksesshëm për një kohë të gjatë, z.Biberaj ka marrë një vlerësim të merituar.

Z.Elez Biberaj është shembulli më i mirë se si një shqiptar në një sistem demokratik, falë talentit profesional dhe integritetit të lartë mund të shkëlqejë.

Kush e mendonte 40 vjet më parë se i “biri i diversantit” një ditë do arrinte majat më të larta të medias së lirë!

Falënderime dhe mirënjohje të thellë “Zërit të Amerikës”, që vijon të mbetet, jo vetëm një urë e pazëvendësueshme e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe një tribunë e fjalës së lirë dhe mbrojtjes së demokracisë! ????”.

SHKARKO APP