Presidenti Meta: Gratë në shkencë, modele të shkëlqyera të shoqërisë shqiptare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një veprimtari të posaçme në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë në Bibliotekën “Musine Kokalari” të Njësisë Vendore Nr. 7, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i UNWomen në Shqipëri Giuseppe Belsito, pedagoge, shkencëtare, nxënëse të shkëlqyera të shkollave të mesme, studente si dhe gra që kanë dhënë kontributin e tyre ndërë vite në shkencë.

Gjithashtu në këtë takim ishin të pranishëm dhe përfaqësuese të Rrjetit Shqiptarë të Grave në Shkencë dhe të Akademisë së të Rinjve në Shkenës .

Me këtë rast Presidenti Meta i dhuroi Bibliotekës duke pasuruar fondin e saj tri libra të autorëve shqiptarë Kristo Frashëri, Virgjil Muçi dhe Marin Barleti për Heroin tonë Kombëtar, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, si dhe zhvilloi një bashkëbisedim të zgjeruar me të pranishmet lidhur me arritjet, problematikat dhe sfidat  dhe sukseset e grave dhe vajzave shqiptare në shkenca të ndryshme.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta:

 Dëshiroj të shpreh kënaqësi për praninë në këtë mjedis kaq të këndshëm, shumë interesant në këtë bibliotekë, që mban emrin e një personaliteti të shquar të të gjithë përpjekjeve për emancipimin e shoqërisë sonë dhe disidentes së parë, Musine Kokalari dhe me këtë rast t’ju bëj të ditur që kam sjellë dhe tre vepra, meqënëse jemi në Vitin e Skënderbeut për këtë bibliotekë, Gjergj Kastriot Skënderbeu “Kryqtari i Fundit” është një vepër e gazetarit të njohur Virgjil Kule; “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit dhe një vepër tjetër e Kristo Frashërit, për jetën dhe veprën e Skënderbeut. Është kënaqësia ime që si President t’ia dhuroj këto tre vepra kësaj biblioteke mjaft interesante dhe me një emër tepër frymëzues për të gjitha vajzat dhe gratë e Shqipërisë.

Njëkohësisht, dua të shpreh kënaqësinë që jemi sot këtu në këtë auditor të veçantë dhe me kaq shumë personalitete të shkencës, por edhe me kaq shumë vajza të reja gjimnaziste, që i kanë sytë dhe ëndrrat e tyre të drejtuara drejt shkencës, bashkë dhe me zotin Belsito, Përfaqësuesi i OKB në Shqipëri.  Sigurisht që kjo është një ditë e veçantë, ‘Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë’. Është e veçantë sepse vetë shkenca është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe që nuk u takon atyre që i marrin gjërat lehtë, por u takon atyre të cilët zgjedhin të punojnë, të studiojnë, të sakrifikohen, t’i dedikohen shkencës dhe të fitojnë mundësinë për të qenë dijetare apo shkencëtare, gjë që nuk mund ta arrijë kushdo thjeshtë. Ndaj, ndonjëherë dhe mësueset e matematikës nuk janë më të pëlqyerat dhe jo për fajin e tyre.

Unë dëshiroj të shpreh dhe një herë tjetër rëndësinë e madhe që ka përfshirja e të gjithëve më me pasion drejt shkencës, teknologjisë, inovacionit sidomos vajzave dhe grave, për arsye sepse ju përfaqësoni gjysmën e shoqërisë dhe pa dyshim që dhe pesha që duhet të mbani për të gjithë zhvillimin e shoqërisë, të zhvillimit të ekonomisë kombëtare, të përmirësimit të ekonomisë familjare duhet të jetë sa më e barabartë. Vetëm në këtë mënyrë edhe ju do të jepni kontributin tuaj, dhe nuk flas thjesht për ju që jeni këtu, flas për të gjithë ato që ju përfaqësoni dhe që duhet të angazhohen më shumë në këto fusha për të realizuar disa nga objektivat më të rëndësishme edhe të Kombeve të Bashkuara, por edhe të vetë vendit tonë, në ato që quhen si objektivat e mijëvjeçarit që kanë të bëjnë me reduktimin e pabarazisë, që kanë të bëjnë me një edukim më cilësor dhe sigurisht dhe me një barazi të plotë gjinore.

Në këtë drejtim mendoj që gratë dhe vajzat nuk duhet ta konsiderojnë dhe nuk duhet ta pranojnë që të jenë faktor plotësues apo sekondarë si në shoqëri, ashtu edhe në familje. Ndaj, një angazhim edhe më i plotë, edhe më i vendosur, dhe më frymëzues në të gjithë fushat profesionale sidomos ato të shkencave, pa dyshim që do të rrisë ndjeshëm dhe në mënyrë të merituar protagonizmin e tyre në shoqëri, në zhvillimin e ekonomisë kombëtare, në zhvillimin e ekonomisë familjare dhe gjithë të drejtat ekonomike, sociale që ato do të gëzojnë.

Ne e dimë që në ekonominë e sotme botërore që ecën në mënyrë të pandalshme drejt globalizimit, pa dyshim që zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit është një faktor determinues për vendin që ka çdo shoqëri në kuadër të kësaj ekonomie. Pa dyshim që pa një përfshirje më të madhe të vajzave, të grave edhe në vendin tonë, në këto fusha dhe në këto shkenca përcaktuese për të rritur vlerën e shtuar, për të rritur aftësitë konkurruese të një vendi, për të rritur numrin e vendeve të punës më cilësore dhe më të mirëpaguara, nuk do të ketë as një qëndrueshmëri më të madhe dhe as dhe një progres shoqëror më të drejtë.

Ne jemi këtu për të bërë këtë apel sepse jemi të ndërgjegjshmë që ekziston një dispropocion ipërfaqësimit të grave dhe vajzave jo vetëm në nivel botëror, por njëkohësisht edhe në nivel kombëtar në fusha të tilla si inxhinieritë, gjeologjitë, shkencat natyrore, të cilat përfaqësojnë profesione të vështira, por jetikë dhe përcaktuese për ritmin e zhvillimit të ekonomisë dhe të vet shoqërisë.

Besoj se një përfshirje dhe një kontribut më i plotë i grave dhe i vajzave në këto fusha do t’i japë një hop tjetër më cilësor gjithë perspektivës së tyre, dhe në këtë drejtim unë shpresoj në këtë apel, në këtë angazhim dhe sidomos në sjelljen në qendër të vëmendjes të modeleve më pozitive që kemi ne të grave, të personaliteteve, të vajzave në këto fusha, të promovimit të tyre në të gjithë shoqërinë që të jenë një model për vajzat më të reja dhe për të gjithë fëmijët tanë.

Në një këndvështrim më ekonomik, kjo përfshirje e grave dhe vajzave në shkencat e sakta inxhinierike, të teknologjisë, të inovacionit, do të sillte jo vetëm një përmirësim të gjithë ekonomisë në nivelkombëtar, por edhe stabilitet ekonomik më shumë për kompanitë që i punësojnë, dhe një përfitim dhe më të madh ekonomik për vet gratë duke sjellë të ardhura më të larta për shkak të këtyre profesioneve, edhe për familjet e tyre, pasi në këto profesione diferenca në pagesë midis gjinive të ndryshme është pothuajse inekzistente.

Që të kemi një zhvillim të plotë dhe cilësor të shkencave të teknologjisë dhe ekonomisë,  është vitale investimi arsimor dhe profesional i grave dhe i vajzave njëkohësisht dhe mundësi për të garantuar dhe barazinë e tyre më të plotë, sociale në të ardhmen. Kjo kërkon një investim të edukimit që në fëmijëri dhe nxitjes së mbështetjes së vazhdueshme në këto fusha për zgjedhjet që do të bëhen gjatë gjithë jetës së tyre arsimuese. Rruga dhe mënyra për t’i nxitur vajzat të zgjedhin rrugën e shkencës dhe për të arritur një arsimim të tyre të plotë në shkencë janë të shumta. Unë do të veçoja disa. Ne sot, sikurse u përmend këtu, kemi të pranishme fituese të çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare; kemi autore të shumë teksteve shkencore në fushat e kimisë, bioteknologjisë, biologjisë, fizike, informatikë, fizikë e aplikuar, gjeologji, inxhinieri, dhe askush më mirë se ju nuk mund ta bëjë këtë nxitje, këtë sensibilizim ndaj vajzave të reja për të dhënë kontributin e tyre në fusha të konsideruara si ‘domain’ të burrave, në të kaluarën.

Po kështu, me punën dhe kontributet tuaja, ju mund të shërbeni si modele të shkëlqyera për të gjithë të rinjtë dhe të rejat duke i sensibilizuar për zgjedhjen e degëve të sakta dhe për vazhdimin e studimeve pasuniversitare, master apo doktoraturë në një fokus të dedikuar të drejtimit shkencor.

Gjithashtu sistemi arismor duhet të luajë një rol më thelbësor për nxitjen e vajzave drejt degëve të konsideruara jokonvencionale për to. Pedagogët dhe profesorët që e bëjnë lëndën shkencore të kuptueshme dhe interesante duhet të ndikojnë pozitivisht mbi përzgjedhjet e tyre të studimeve në të ardhmen. Besoj se ky ndikim është më i madh mbi të rejat tona kur pedagogja e shkencave të sakta është një grua. Kjo ndikon edhe tek djemtë. Unë kam qenë i shkëlqyer në fizikë dhe këtë ia dedikoj shumë mësueseve të mia. Tek shkolla “Fan Noli” kam pasur Dolores Cipon, tek shkolla “Sami Frashëri” kam pasur Nafije Ciun. Ishin mësuese të tilla që të impononin dhe ta bënin lëndën shumë të të lehtë. Ka të bëjë shumë dhe ky element për të tërhequr fëmijët dhe për t’i bërë që t’i duan këto lëndë dhe për t’i mos i kenë frikë edhe me këtë rast të mos i kenë frikë as mësueset.

Ndaj, duhet të kemi prezencë akoma më të madhe të musueseve dhe pedagogeve femra, duke i mbështetur ato më shumë veçanërisht në fushat dhe lëndët e konsideruara gjoja si ‘mashkullore’ në mënyrë që modeli i tyre t’u shërbejë vajzave tona për të zgjedhur këto fusha në të ardhmen.

Roli i mediave pa dyshim që është i rëndësishëm për të promovuar këto fusha dhe rëndësinë e edukimit dhe thellimit në to. Në këtë drejtim, edhe ne duhet të punojmë akoma më shumë edhe si shtet, edhe si institucione. Sigurisht që edhe Presidenti i Republikës duhet t’i vlerësojë më shumë si Institucion, gratë dhe vajzat e dalluara në shkencë. Besoj që do ta bëjmë këtë gjë dhe në bashkëpunim me ju, në mënyrë që t’i bëjmë një jehonë, një promovim sa më të gjerë në të gjithë shoqërinë, këtyre rasteve, siç promovojmë gra të shquara në art, kulturë apo sport, duhet akoma më shumë në shkencë. Ndoshta shkenca nuk ka ndonjë impakt të madh në media, sepse nuk është aq popullore sa është sporti, kultura, sepse audienca është më e kufizuar që e kupton këtë gjë. Por, në drejtim të zhvillimit të shoqërisë, ekonomisë ka një rol të jashtëzakonshëm edhe tepër jetik.

Natyrisht që këto janë shkenca të vështira dhe kanë nevojë për një motivim më të madh jo vetëm moral, edhe shoqëror, edhe mbështetje mediatike, por dhe motivim më të madh financiar, në mënyrë që njerëzit që kanë më shumë kapacitete për të ecur në këto shkenca, t’i motivojmë që të ecin në këtë drejtim dhe të mos shkojnë në fusha më të lehta, apo ndoshta që janë më praktike dhe për momentin mund të krijojnë të ardhura më të larta.

Në të gjitha këto drejtime, unë besoj në këtë takim të parë, por që s’është i fundit me ju duke qenë i vëmendshëm lidhur edhe me idetë dhe mendimet që ju do të jepni. Jam për të forcuar këtë  dialog edhe t’i mbëstesim sa më shumë gratë dhe vajzat në fushën e një edukimi më cilësor, sepse jam i sigurt që në këtë mënyrë e fuqizojmë gruan dhe vajzën realisht dhe i japim atë pozitë plotësisht të barabartë dhe që meriton në shoqëri edhe në familje”.

SHKARKO APP