Presidenti Meta: Harmonia fetare, pasuri e çmuar e kombit shqiptar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti 95-vjetorin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Presidenti Meta vlerësoi edhe revistën “Zani i Naltë” me Titullin “Naim Frashëri “Në vlerësim të kontributit të saj të gjithanshëm në promovimin e dijes, historisë dhe besimit, duke u ofruar gjithë besimtarëve, krahas dijeve fetare, edhe mesazhe atdhedashurie, paqeje e mirëkuptimi në dobi  të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare mes shqiptarëve”.

 Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

 “…Gëzuar 95-vjetorin e themelimit të Komunitetit  Mysliman të Shqipërisë si dhe të revistës së parë zyrtare të tij, ‘Zani i Naltë’!

Duke ju falënderuar për ftesën, dëshiroj të shpreh kënaqësinë që kam rastin e lumtur për të përshëndetur gjithë Komunitetin Mysliman Shqiptar në këtë datë historike.

Komuniteti Mysliman u themelua prej rilindësve dhe patriotëve më të ndritur të kohës si një kërkesë shpirtërore për të kompletuar lirinë e shqiptarëve të shpallur 10 vjet më parë.

Është një fakt kuptimplotë që disa prej themeluesve të tij ishin pikërisht ndër firmëtarët kryesorë të Aktit të Pavarësinë së Shqipërisë në vitin 1912!

Ndaj ne sot vlerësojmë dhe  kujtojmë me nderim  klerikët  dhe atdhetarët myslimanë të prirë nga Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Sali Korça, Dervish Hima, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe shumë drejtues të shquar, që themeluan dhe iu përkushtuan besimit islam në vendin tonë.

Kontaktet e botës shqiptare me besimet fetare janë shumë shekullore. Përgjatë këtij rrugëtimi shqiptarët myslimanë kanë luajtur një rol vendimtar në të gjitha proceset shtet-formuese që ka kaluar vendi ynë duke përmendur në mëyrë të veçantë Lidhjen e Prizrenit, gjithë periudhën e Rilindjes Kombëtare, Kongresin e Manastirit, dhe madje ata kanë qenë ndër frymëzuesit kryesorë dhe mbështetësit e kryengritjeve të mëdha, të cilat sollën edhe Pavarësinë e vendit.

Klerikët e nderuar myslimanë, 95 vjet më parë duke u mbështetur në trashëgiminë më të mirë atdhetare dhe fetare ia dolën të ngrenë jo vetëm institucionet drejtuese, por u kujdesën të reformonin praktikën e tyre religjioze mbi një vizion bashkëkohor.

‘Ne jemi një vend evropian, shkruhej në revistën ‘Zani i Naltë’, dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetërimi perëndimor gjithçka është e mirë’. Kjo vlen edhe sot.

Në këtë mënyrë liderët mysliman vendosën në themel të institucionit të tyre të kultit baza të shëndosha në organizim, arsimin, kulturën dhe shtypin e shkruar.

Ne vlerësojmë këtë traditë të shkëlqyer dhe jemi të vetëdijshëm për rrugën e vështirë plot sakrifica të Komunitetit Mysliman.

Regjimi ateist komunist e goditi dhe e ndaloi fenë! Shkatërroi xhami e kisha. Persekutoi klerikë dhe besimtarë, por nuk mundi të mposhtte besimin e shqiptarëve te Zoti.

Me ndryshimet demokratike në Shqipëri, myslimanët  rifituan dhe liritë fetare dhe me në krye të nderuarin Hafiz Sabri Koçi, ringritën nga hiri institucionet e kultit.

Bashkëjetesa, harmonia dhe toleranca midis feve të ndryshme është një karakteristikë e veçantë si për të kaluarën, ashtu edhe për të sotmen e shqiptarëve.

Populli ynë pa dallim fetar, gjithmonë ka ruajtur në vetëdijen e vet parësore dhe mbi të gjitha vlerat kombëtare dhe atdhedashurinë.

Modeli shqiptar i harmonisë dhe mirëkuptimit midis komuniteteve fetare është një pasuri e çmuar për ne shqiptarët dhe një shembull për mbarë botën.

Ky model shqiptar është unik dhe një realitet pozitiv në një rajon të mbushur  me histori të dhimbshme përplasjesh etnike e fetare, jo larg në të kaluarën.

Respektimi i ndërsjellë i kulturave fetare është kontributi më i mirë që Shqipëria jep për gjithë ato pjesë të botës të përfshira në vorbulla konfliktesh dhe sjellje radikale fetare.

Toleranca fetare te shqiptarët është një trashëgimi e të parëve tanë dhe ne do të jemi përjetë mirënjohës brez pas brezi. Është një atribut i konstruksionit tonë shpirtëror dhe nevojës për ruajtjen e identitetit dhe unitetit kombëtar.

Në këtë aspekt dua t’ju inkurajoj të vazhdoni të jeni në lartësinë e kësaj tradite të ndritur të këtij Komuniteti!

Të nderuar miq, në misionin e tij për rrënjosjen e dashurisë për fenë dhe atdheun, Komuniteti Mysliman është mbështetur e ndihmuar prej botimit të revistës së mirënjohur ‘Zani i Naltë’.

Kjo revistë me karakter filozofik, fetar, kulturor, patriotik dhe historik përbën një ushqim shpirtëror për të gjithë shqiptarët që te besimi për Zotin synojnë lumturinë, qytetarinë, përkushtimin ndaj Atdheut si dhe dashurinë për njëri-tjetrit.

Shpreh vlerësim tim maksimal për punën dhe devocionin e botuesve, teologëve, themeluesve dhe gjithë intelektualëve të saj që kontribuojnë edhe sot duke i akorduar revistës Titullin e lartë ‘Naim Frashëri’.

Duke qenë plotësisht dakord me Kryetarin e Komunitetit Mysliman, i cili u shpreh se: “në këtë kohë globalizimi, ndeshemi edhe fenomene, të cilat mund të cenojnë themelet e atdheut, të familjes, të shoqërisë, të komunitetit”, është e domosdoshme që t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë edukimit të gjithë shoqërisë, sidomos të më të rinjve, me vlerat më të mira njerëzore, shoqërore, familjare, dhe mbi të gjitha, kombëtare.

Ndaj në këtë 95-vjetor të themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar dua t’i uroj suksese këtij institucioni jashtëzakonisht të rëndësishëm të besimit në vendin tonë, por njëkohësisht edhe të edukimit me vlerat më të mira njerëzore, shoqërore dhe atdhetare.

Suksese dhe mbarësi!”

SHKARKO APP