Presidenti Meta i jep autorizimin Bushatit për negociatat me Greqinë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dhënë autorizimin Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati për vijimin e negociatave me Greqinë. Kreu i shtetit ka firmosur në orët e pasdites së të kësaj të hëne vendimin që autorizon ministrin Bushati për vazhdimin e negociatave me palën greke. Autorizimi është gati për të shkuar në tryezën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, moment pas të cilit lëshohet plotfuqia dhe dy grupet e punës ulen në tryezën e negociatave me dosje dhe harta në dorë.

Në një njoftim për mediat, zyra e Presidencës njofton se: ”Në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së  Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detar. Presidenti i Republikës, Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”,-thuhet në deklaratën për mediat.

Dhënia e autorizimit të plotfuqisë për marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar është një shenjë pozitive për avancimin e bisedimeve të bllokuara me Greqinë dhe zhbllokon dhe vizitën e kryeministrit grek Aleksis Tsipras për pashkë në Korçë më 8 prill.

SHKARKO APP