Presidenti: Informacioni për djegien e Parlamentit është mëse i vërtetë
Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për medias, pas vizitës së anëtarëve të Komisionit të Venecias, për të komunikuar me qytetarët lidhur me çështjen e votimeve të 30 qershorit.
Presidenti Ilir Meta se Komisioni i Venecias do të ketë gjithë informacionin e nevojshëm në dispozicion për 30 qershorin.
“Është koha për tu kthyer përballë mediave dhe opinionit publik, aq më tepër që kemi pasur miq të rëndësishëm, siç është Komisioni i Venecias. Dua të falënderoj Kuvendin për respektin dhe vlerësimin ndaj Komisionit të Venecias dhe tu bëjë të ditur ju dhe opinionit publik se bashkëpunimi i Presidencës me Komisionin e Venecias do të jetë i shkëlqyer”,- tha Presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit tha se aktet e ndërmarra nga Presidenti dhe komunikimi që do të kryhet me Komisionin e Venecias do të jenë publike në faqen e zyrtare të internetit të Presidencës. Presidenti tha se vlerësimi i Venecias do të shërbejë dhe si rast ndërkombëtare për çështje të tjera të ngjashme dhe institucionet shqiptare kanë detyrim të tregohen serioze dhe transparente.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve për deklaratën e bërë në Komisionin Hetimor për djegien e Kuvendit, Presidentit Meta tha se “informacioni është i vërtetë”.
“Sa i takon deklaratës sime se në datën 7 qershor se kam patur një informacion nga një institucion i lartë i sigurisë kombëtare, kjo është e vërtetë unë nuk kam thënë gënjeshtër, aq më tepër në këto momente të rëndësishme. Unë nuk mund të them diçka më shumë në respekt të ligjit. Kanë dërguar një kërkesë për tu njohur me këtë informacion, edhe presidenca do t’ja vërë në dispozicion Kuvendit. Informacioni është i vërtetë. Vendi ka përjetuar konfrontime dhe është ndriçuar më shumë sec duhet. Ka patur përplasje plagosje, por ka ndodhur para 100 vjetësh. Ajo që mund t’ju them me bindje të plotë është se në këtë dokument do ti ndiqni të gjitha shqetësimet. Këtu nuk do të ketë për publikun vetëm dokumente sekret dhe do të kuptoni që ishte një situatë tërësisht e çmendur dhe më mirë nuk mund ta përshkruante raporti final i OSBE/ ODIHR“,– tha Presidenti.
Meta: Jetojmë në dy shtete; atë të propagandës dhe në shtetin e së vërtetës
Presidenti Ilir Meta, gjatë konferencës së dhënë për mediat, ka sqaruar edhe nga pikëpamja juridike se përse zhdekretimi i datës së zgjedhjeve është një e drejtë e Presidentit të Republikës.
Për ta shpjeguar më qartë, kreu i shteti ka përmendur vendimet e Parlamentit dhe Qeverisë. “Jetojmë në dy shtete; në shtetin e propagandës dhe në shtetin e së drejtës. Unë jetoj në shtetin e së drejtës. Në shtetin e propagandës thuhet se Presidenti nuk ka të drejtë të zhdekretojë dhe më të drejt ju thoni; ore Kushtetuta vërtetë se ka zhdekretimin. Por edhe qeveria ka të drejtë të nxjerrë vendime dhe t’i anulon. Qeveria ka të drejtë të nxjerrë një vendim për të shfuqizuar një vendim të mëparshme. A nuk vlen dhe kjo për presidentin?”,- tha ndër të tjera Presidenti i Republikës.
“Venecia nuk është si ca ambasadorë që sot flasin, nesër shohin punët e tyre”
Presidenti Ilir Meta u shpreh i gatshëm të shkojë në Venecia më 11 tetor para komisionit për të sqaruar pozicionin e tij ndërkohë i kërkoi medias të mos bien pre e datës 11 tetor, pasi 18 tetori (vendimi për negociatat) ka rëndësi më të madhe për vendin. Bëhet fjalë për mbledhjen e Këshillit të Europës për të vendosur nëse do të çelen negociatat apo jo me Shqipërinë. “Jam i hapur të shkoj në Venecia më 11 tetor. Çdo përpjekje për të sajuar një datë propagandë është për të shmangur një datë më të rëndësishme që është përpara që është 18 tetori. Ftoj të gjithë të merren me 18 tetorin”,- tha Presidenti.
Kreu i shtetit vlerësoi dhe rolin që ka Komisioni i Venecias në çështjet juridike. “Venecia është një komision tejet serioz, nuk janë si ata diplomatët që rrinë ca kohë këtu, pastaj shohin punët e tyre. Vendimet që ata marrin janë raste precedentë për gjithë shtetet e tjera”,- tha Meta. Kreu i shtetit deklaroi se i ka dhënë një raport paraprak delegacionit të Komisionit të Venecias dhe nënvizoi: “Bashkëpunimi me komisionin e Venecias do të jetë jashtëzakonisht i shkëlqyer dhe transparent”.
Delegacioni i Komisionit të Venecias ishte këto dy ditë në Tiranë dhe ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës për tu njohur me pretendimet e palëve mbi nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Të parët që dhanë mendimin e tyre ishin përfaqësuesit e opozitës.
Delegacioni u ndal më pas në takimin me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla dhe më tej në presidencë ku mësohet se janë dhënë argumentet për dekretin e anulimit të zgjedhjeve vendore në 30 qershor.
Pas diskutimeve, në një deklaratë për mediat Kreu i Shtetit shprehet se nëse do të ishin respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias në të kaluarën, Shqipëria nuk do të ishte kurrë në këtë situatë. Ndërkaq në takimin me kreun e kuvendit, Gramoz Ruçi, është diskutuar si për komisionin parlamentar hetimor ndaj presidentit, ashtu dhe për reformën në drejtësi, vettingun ndaj funksionarëve të lartë apo dhe ligjin mbi pronësinë dhe të drejtën e zgjedhësve për të paraqitur një nismë ligjore. Edhe përfaqësuesit e opozitës së re kanë dhënë mendimin e tyre përsa i përket krizës politike. Ndërsa në kryeministri është diskutuar mbi krizën politike, si dhe mbi situatën e krijuar pas zhdekretimit të 30 qershorit.