Presidenti Meta: Të hetohen kërcënimet ndaj gazetarit, Ylli Rakipi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar ndaj kërcënimeve me jetë që ka marrë gazetari Ylli Rakipi. Zyra e shtypit e Presidencës njofton se kreu i shtetit, pas raportimeve në media për kërcënimin, ka pritur në një takim drejtuesin e emisionit “Të Paekspozuarit”.

Duke shprehur solidaritet me gazetarin, Presidenti Meta ka kërkuar nga institucionet që të hetojnë kërcënimet dhe autorët të marrin përgjigjen e merituar. “Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve. Presidenti Meta i bën thirrje të gjithë gazetarëve të denoncojnë çdo presion e shantazh që u bëhet në cënim të misionit të tyre i cili është vendimtar për demokracinë e sundimin e ligjit”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Deklarata e plotë e Presidencës për kërcënimet ndaj gazetarit

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta pasi u njoh nga mediat me kërcënimet e bëra ndaj gazetarit të njohur, zotit Ylli Rakipi, priti në një takim të veçantë z.Rakipi dhe u njoh me shqetësimet dhe kërcënimet ndaj tij për shkak të detyrës.

Presidenti Meta shprehu solidaritetin e tij me z.Rakipi dhe të gjithë gazetarët që me guxim e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.

Presidenti Meta apelon ndaj institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve. Presidenti Meta i bën thirrje të gjithë gazetarëve të denoncojnë çdo presion e shantazh që u bëhet në cënim të misionit të tyre i cili është vendimtar për demokracinë e sundimin e ligjit”.

Lidhur me kërcënimet ndaj gazetarit Ylli Rakipi ka reaguar dhe Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat, PD akuzoi kryeministrin Edi Rama si personin përgjegjës që indirekt ka frymëzuar sulmet dhe kërcënimet ndaj Ylli Rakipit.

SHKARKO APP