Rrëfimi i Presidentit Meta: Me Sali Berishën kam kimi të veçantë, për çfarë e vlerësoj Veliajn (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta i ftuar në emisionin “Opinion”, në një intervistë ndryshe për jetën dhe karrierën e tij, ka rrëfyer raportet e tij politike zyrtare dhe personale me kryeministrin, Edi Rama, me ish-kryeministrin, Sali Berisha, si dhe me kryebashkiakun Veliaj dhe aktorë të tjerë të politikës në vend.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në intervistën e dhënë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka folur edhe për raportet bashkëshortore me Monika Kryemadhin, duke sqaruar edhe pyetjet nëse ndikohet ose jo në vendimet e tij nga kryetarja e LSI-së. I pyetur nga Fevziu nëse debaton ndonjëherë me të për çështje të caktuara, Meta është përgjigjur ndër të tjera se : “Sigurisht që debatojmë, por nganjëherë debati është i kotë për arsye sepse secili ka mendjen e vet pavarësisht nga debati”.

Për figurën e Alisë, Meta është shprehur se “bëri përpjekje të rëndësishme për ta ulur avionin sa më butë në pistën e pluralizmit dhe të demokracisë”. Ndërsa lidhur me figurën e diktatorit Hoxha, Meta tha se “Unë nuk kam asnjë lloj nostalgjie për Enver Hoxhën. Ajo që mund t’ju them është që gjithmonë kam pasur dhe kam një vlerësim dhe nderim për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në Shqipëri kjo rezistencë ka filluar pa u krijuar as Partia Komuniste dhe pa u njohur as Enver Hoxha. Enver Hoxha ishte një produkt i kësaj lufte dhe i mënyrës se si ajo u zhvillua apo qoftë edhe u manipulua në një mënyrë të caktuar. Kështu që nderimi im për LANÇ-in nuk ka asnjë lidhje me ndonjë nostalgji për figurën e Enver Hoxhës”, – ka sqaruar prerë Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/294145224553937/

Intervista e plotë e Presidentit Meta për emisionin “OPINION” me gazetarin Blendi Fevziu në “TV KLAN”

Blendi Fevziu: Zoti Meta, mirëmbrëma. U bë kohë që nuk jemi parë në një intervistë të tillë. Është një intervistë në fakt që nuk do të ketë lidhje drejtpërdrejt me punën me politikën, edhe pse këto kohë keni qenë në qendër të prozhektorëve politikë për arsye të raporteve me Kryeministrin dhe me dekretimin e Ministrit Lleshi. Do të doja të fokusohesha te jeta juaj si President, raportet, çfarë ndryshon dhe do rikthehemi dhe te karriera juaj. Në disa intervista që kemi bërë, kemi folur për pjesën e parë të jetës tuaj, por pothuajse asnjëherë nuk kemi folur për pjesën e angazhimit tuaj politik. Çfarë ka ndryshuar që kur jeni bërë President?

Presidenti Meta: Për mua i vetmi ndryshim është, që thjesht kam më pak kontakte të karakterit politik apo partiak dhe angazhime më të shumta institucionale dhe shumë detyrime të paevitueshme.

Gazetari: Në fakt kur një njëri mësohet prej 20 vjetësh në jetën e tij, gati 25 vjet, të takojë njerëz, të shkojë në aktivitete elektorale, të begenisë andej e këtej për të kërkuar vota, siç kërkon një politikan e shtyn dot pastaj i mbyllur në muret e ish-ambasadës së ish- Bashkimit Sovjetik?

Presidenti Meta: Absolutisht, që unë jam përpjekur të jem përsëri sa më pranë njerëzve, por në një profil tjetër dhe është një mënyrë tjetër e komunikimit.

Gazetari: Të mungon ai stili i politikanit? Që hedh dorën në qafë, përqafon çdo njeri, përpiqesh të bësh popullorin me të gjithë, stili tipik, për të fituar vota.

Presidenti Meta: Së pari, unë nuk përpiqem asnjëherë të bëhem popullor, pasi besoj se, raportet e mia me njerëzit kanë qenë gjithmonë shumë të thjeshta, kanë qenë të të drejtpërdrejta. Ashtu mbeten edhe sot dhe jam përpjekur të ndërmarr përsëri nisma të cilat më mbajnë të lidhur me njerëzit, me problemet e tyre.

Gazetari: Çdo me thënë nisëm që të mbajë të lidhur me njerëzit dhe problemet e tyre?

Presidenti Meta: Aleanca për Dhurimin e Gjakut është një nismë që, të mban të lidhur vazhdimisht me njerëzit, me shqetësimet e tyre. Nxit dhe motivon një solidaritet tepër njerëzor për shumë kategori të qytetarëve që e kanë domosdoshmëri dhurimin e gjakut apo promovimi i bukurive natyrore, i alpeve, i maleve tona është një tjetër nismë.

Gazetari: E kam vënë re, që promovoni alpet dhe malet, por e keni harruar detin edhe pse mbaj mend një thënie tuajën që e quani veten malësor.

Presidenti Meta: Deti nuk ka shumë nevojë për t’u promovuar, pasi është shumë i aksesueshëm dhe të gjithë rendin pas detit. Por ne harrojmë që 2/3-at e Shqipërisë janë male. Është një potencial i fjetur dhe për fat të keq i braktisur, por për fat të mirë i riaktivizuar.

Gazetari: Dashuria për malin është një dashuri e re, e këtyre kohëve të fundit?

Presidenti Meta: Jo, dashuria për malet është një dashuri e lindur, sepse unë kam lindur në male, por përpjekja për të promovuar bukuritë tona të maleve, të alpeve është një përpjekje e mirëmenduar. Deri tani, ne këtë punë na i kanë bërë çekët, polakët dhe austriakët, tani mendoj që duhet ta bëjmë më shumë vetë, pasi disa nga pjesët më të bukura të Shqipërisë ndodhen atje, për fat të keq janë braktisur. Disa prej tyre janë gjallëruar, por njëkohësisht, nuk i kanë shpëtuar kësaj mungesës së përgjegjësisë dhe vizionit për të ruajtur natyrën dhe peizazhin.

Gazetari: A është e vërtetë që jeni duke u ngjitur mal më mal?

Presidenti Meta: E vërteta është që, kam bërë ngjitjen më të vështirë që mund të ketë në Shqipëri, që është maja e Jezercës. Është tepër e fortë.

Gazetari: Sa metra është?

Presidenti Meta: Jezerca është 2696 metra, është maja më e lartë e alpeve tona, e dyta në Shqipëri.

Gazetari: Jeni ngjitur deri në majë të Jezercës, sa kohë merrte?

Presidenti Meta: Po, po, deri në majë. Duhet të ketë marrë nga Valbona rreth 6 orë e ca ngjitje.

Gazetarë: Jeni ngjitur në këmbë apo ju kanë mbajtur truprojat në krahë?

Presidenti Meta: Patjetër që jam ngjitur në këmbë, me këmbë, me duar, me gjithçka, sepse sidomos mbi 2200-2300 metra është ngjitje tepër e vështirë.

Gazetari: Gjashtë orë e ca ngjitje? Dhe çfarë kishte në majën e Jezercës?

Presidenti Meta: Majën e Jezercës unë e kam quajtur e bukura e qiellit, pasi atje ka çdo gjë, je i rrethuar kudo nga majat më të larta.

Gazetari: Ishte kohë e pastër që dukeshin dhe majat?

Presidenti Meta: Po, ishte kohë e pastër dhe mbi të gjitha vetëm atje mund të shikoje luginën e Plavës dhe Gucisë.

Gazetari: Nga Jezerca shikohej maja shikohej Plava dhe Gucia, lugina komplet?

Presidenti Meta: Po, po, është e pabesueshme.

Gazetari: Gjashtë orë e gjysmë ngjitja, po zbritja sa ishte?

Presidenti Meta: Zbritja ka qenë rreth 4 orë e ca, po nuk e kemi bërë zbritjen të plotë deri në Valbonë, por kemi zbritur deri poshtë qafës së Valbonës dhe aty kemi fjetur me çadra kemi kaluar shumë mirë.

Gazetari: Keni fjetur me çadra, gjysmë kampingu?

Presidenti Meta: Po aty nuk ishim vetëm ne. Aty pak më tutje ishin edhe shumë turistë të huaj francezë, austriakë.

Gazetari: Ka dhe turistë të huaj që e ngjisin majën e Jezercës?

Presidenti Meta: Po, ka turistë të huaj që e ngjisin, po janë të rrallë ata që shkojnë deri në majën e Jezercës.

Gazetari: Maja ka një vend ku mund të qëndrosh, ku mund të rrish?

Presidenti Meta: Pak hapësirë ka për të qëndruar gjatë sepse varet edhe nga koha, era, shiu nga kushtet atmosferike.

Gazetari: Ka qenë verë kur e bëtë ngjitjen?

Presidenti Meta: Ka qenë 29 gusht, sepse ne e kishim planifikuar prej kohësh, pasi duhet të jetë kohë e mirë. Kemi qene me guidë, tre persona: kishim Fatosin me Mentorin dhe Dardanin, i cili është një gjigand nga Tropoja, që e ka bërë 100 herë majën e Jezercës.

Gazetari: Kjo është ngjitja që mesa di unë, keni qenë së bashku me kryeministrin e Kosovës?

Presidenti Meta: Jo, akoma nuk kemi bërë ngjitje me kryeministrin e Kosovës. Ai më ka ftuar për në Kosovë.

Gazetari: Mesa di unë edhe zoti Haradinaj ruan të njëjtin pasion?

Presidenti Meta: Po, po, ai është legjionar në këtë drejtim. Ai e ka bërë prej kohësh dhe e bën në mënyrë të vazhdueshme. Do bëjmë diçka edhe me të besoj, në Kosovë ose në Shqipëri.

Gazetari: Ku do ngjiteni, se Jezercën e keni ngjitur? A ka një vend tjetër interesant të veçantë ku mund të ngjitesh në Shqipëri apo Kosovë?

Presidenti Meta: Patjetër që ka, Shqipëria ka shumë vende. Jezerca është më e vështira, por ka shumë vende të bukura, siç është edhe vetë Valbonë–Theth, Curraj që sapo e bëra është i jashtëzakonshëm. Curraj ka një avantazh sepse është i pacenuar, është i paprekur nga ndërtimet pa kriter. Jo vetëm kaq por Curraj ka një komunitet të mrekullueshëm, të cilët kanë financuar vetë hapjen e rrugës në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tropojës dhe kanë bërë dhe një pakt që të mos cenojnë ndërtimet karakteristike të zonës dhe te ruajnë peizazhin në mënyrë më besnike, do te jetë gjë e mrekullueshme.

Gazetari: Zoti Meta nga ju ka lindur ky pasion për hiking (ecje)? Unë e di që keni pasur një lloj sportiviteti por hiking?

Presidenti Meta: Të them të drejtën këtu ka një meritë ambasadori jonë në Kosovës, zoti Qemal Minxhozi, pasi ai është shumë i apasionuar pas këtyre ecjeve dhe ai më ka motivuar shumë për të bërë Valbonë-Theth.

Gazetari: Valbonë-Theth sa orë është?

Presidenti Meta: Ne kemi bërë për herë të parë për rreth 4 orë a diçka të tillë. Mund të bëhej ndoshta dhe me shpejt. Varet sepse kur ecën ne grup je në varësi me grupin.

Gazetari: A është e bukur si rrugë?

Presidenti Meta: Është shumë e bukur! Valbonë-Theth është jashtëzakonisht e bukur, Curraj shumë bukur, Vermoshi është gjithashtu jashtëzakonisht i bukur. Shpresoj të bëj sa më shpejt Vermosh-Lëpushë, është një destinacion i mrekullueshëm. Rruga është bërë, është një mrekulli, pastaj kemi Plavë-Guci që është e jashtëzakonshme, Vuthajn….

Gazetari: Nga mënyra si po flisni zoti Meta, dukeni sikur ju po punoni vetëm në veri tani. Jeni vendosur mes Thethit, Vermoshit, Plavës e Gucisë dhe nuk po keni shumë lidhje me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Presidenti Meta: Unë kam qenë kudo në gjithë Shqipërinë, por kjo është një pjesë e mahnitshme, ashtu sikurse shumë e bukur është Vithkuq-Voskopojë dhe kudo gjithë Shqipëria ka bukuri.

Gazetari: Pra, i bie që ju konsumoni një pjesë të pasionit, sa kohë ju merr ky pasion? Është kryesisht verior ky pasion kam përshtypjen?

Presidenti Meta: Kryesisht veror është me thënë të drejtën, sepse koha është më e lirë dhe është një mundësi dhe për të pushuar dhe për të mbajtur veten në formë fizike.

Gazetari: A është e vërtetë që edhe pushimet verore i keni kaluar në malësi?

Presidenti Meta: Po, 2 javë i kam kaluar në Prevallë. Është një vend i jashtëzakonshëm në Kosovë mes Prizrenit dhe Brezovicës. Është një klimë fantastike.

Gazetari: Prevalla është shumë e bukur në fakt, por qëndruat 2 javë?

Presidenti Meta: 12 ditë fiks.

Gazetari: Po çfarë bënit 12 ditë në Prevallë?

Presidenti Meta: Përditë ecje në natyrë, me kënaqësi me të madhe pa u lodhur për rreth gati 250-300 kilometra të llogaritura.

Gazetari: Thatë që mund të bëni ose të planifikoni një ngjitje, një ecje të gjatë edhe me Kryeministrin e Kosovës, i cili po ashtu është shumë i pasionuar pas këtyre. Kryeministrin e Shqipërisë e keni ftuar ndonjëherë?

Presidenti Meta: Me kënaqësinë me të madhe, por është shumë i dhënë pas detit…

Gazetari: Ku do të doje të ecje me Ramën për shembull, në cilën zonë?

Presidenti Meta: Për shembull në Qeparo fushë, Qeparo mal, Pilur, në këto zonat e jugut besoj.

Gazetari: Këto zonat e jugut po i zgjedh në raport më pëlqimin e tij më duket më shumë sesa me tuajin?

Presidenti Meta: Meqenëse ai kalon më shumë kohë në Jug, pasi edhe ka pasione, edhe ka ato lidhjet më të shpeshta, për të lehtësuar atë, pa për mua në çdo kohë, kudo në Veri ose në Jug.

Gazetari: Ndërkohë vazhdoni të keni lidhje më vendlindjen tuaj me Skraparin?

Presidenti Meta: Lidhjet e mia me Skraparin janë të përditshme.

Gazetari: E kisha në kuptimin, që a shkoni, e frekuentoni shpesh?

Presidenti Meta: Shkoj vazhdimisht sidomos, në festat tradicionale, në Malin e Tomorit, festa e bektashinjve.

Gazetari: A ka filluar zona e Skraparit, zoti Meta, si në shumë zona të tjera të zbrazet nga njerëzit për shkak të ikjeve?

Presidenti Meta: Kjo çështja e ikjeve mendoj që, ka arritur maksimumin e saj dhe tani ne kemi një fenomen të ri që unë e shikoj në Skrapar, por e shikoj edhe në zonat e veriut të Shqipërisë, siç ishte edhe rasti i Currajt, që është ndërgjegjësimi i njerëzve për bukurinë e zonave nga vijnë. Mundësitë për të zhvilluar turizmin familjar, dhe unë besoj se janë të gjitha mundësitë dhe ky fenomen po vihet re, që shumë njerëz të cilët dikur në vitet ‘90 ishin në moshën 30- 40 vjeç e tani janë në prag të pensionit, fëmijët e tyre janë rritur, janë bërë të pavarur dhe shikojnë mundësinë për t’u rikthyer, për të riparuar shtëpitë e vjetra, jo vetëm për të jetuar në këto zona për shkak të bukurive, të klimës, nostalgjisë, por njëkohësisht edhe në funksion të turizmit.

Gazetari: Megjithëse kam përshtypjen që Shqipëria ka ende probleme të mëdha me turizmin, që është burimi kryesor ekonomik që ne mund të kemi. E ndjeni këtë në udhëtimet tuaja?

Presidenti Meta: Patjetër, Shqipëria ka nevojë të investojë shumë më tepër se investon edhe në turizëm, edhe në bujqësi. Mendoj që këto janë dy burime kryesore të një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit tonë, ku ende ne nuk kemi shprehur dot potencialet e vërteta. Por, mundësitë janë shumë më të mëdha edhe në drejtim të krijimit të më shumë të ardhurave si shtet, si ekonomi kombëtare, por edhe të mundësive të krijimit të më shumë të ardhurave të familjeve shqiptare nga turizmi dhe nga bujqësia, mund të përfitojë shumica e familjeve në Shqipëri më mirë se sot.

Gazetari: Cila është zona, që ju ka lënë më pa mend në Shqipëri, meqenëse kaluan kryesisht në pjesën turistike që në fillim të emisionit? Ka një vend që ju ka befasuar edhe kur keni qenë për fushatë elektorale edhe në vitet e para, që nuk e keni parë?

Presidenti Meta: Shqipëria është kudo e bukur dhe këtë nuk e them, sepse duhet ta them.

Gazetari: Këtë e thonë të gjithë nga pak për politikë…

Presidenti Meta: Jo, nuk e kam politikë. Shpeshherë kur shkoj në vende të caktuara me bashkëpunëtorë, sepse më ka qëlluar për shkak të detyrës të shkoj në shumë vende të botës, u them gjithmonë që të kuptojnë se sa e bukur është Shqipëria dhe vërtetë të jesh në mes të Mesdheut është një privilegj, të cilin ne duhet ta ndjejmë më me përgjegjësi.

Gazetari: Jo, atë që na ka dhënë Zoti edhe unë besoj që është e bukur, por çështja është aty ku kemi vënë dorën ne, kemi masakruar sa kemi mundur.

Presidenti Meta: Duhet të bëjmë çdo gjë që të vëmë dorë për mirë.

Gazetari: Edhe kush është vendi që të ka pëlqyer më shumë? Një moment, ka gjithmonë në jetën e një njeriut një moment ku diçka të duket mahnitëse

Presidenti Meta: Kjo është pyetja më e vështirë, që mund të bësh jo, vetëm mua, por edhe në qoftë se pyet një të huaj që ka qenë në Shqipëri, për shembull një ish-ambasador, një diplomat që ka shërbyer që për 4 -5 vjet dhe thuaj ku të pëlqen me shumë Shqipëria, do ta ketë të vështirë të thotë një apo dy destinacione apo bukuri natyrore. Shqipëria është e bukur kudo.

Gazetari: Zoti President, kaloj nga pjesa e pasionit që ju keni për ecjet, për zbulimet e vendeve të reja. Ju thatë që veriu është ende destinacion i pazbuluar për shumë kohë për shqiptarët. Edhe emisionet televizive nuk kanë qenë kaq të fokusuar atje sa kanë qenë jug, ku jeta është edhe më normale. Si është jeta e një njeriu, i cili ku është gjithë kohës i rrethuar nga roje nga siguri? Të privon lirinë tuaj personale?

Presidenti Meta: Së pari, unë e kam bezdi këto punët e sigurisë si natyrë….

Gazetari: Ka shumë njerëz që këtë lloj e quajnë një lloj statusi, kanë qejf të rrethohen nga rojet se duken më të rëndësishëm. Por besoj që ka të tjerë të cilët liria u kufizohet nga ky stil.

Presidenti Meta: Unë kam dëshirë t’u shpëtoj rojeve.

Gazetari: U shpëton ndonjëherë?

Presidenti Meta: U shpëtoj sa herë të dua, por përpiqem të jem i kujdesshëm, sepse edhe ata kanë punën e tyre, dhe të evitojmë raste ku mund të bëhesh dhe objekt i mediave dhe të dëmtosh figurën që përfaqëson. Sepse e keqja zakonisht e shoqëruesve është që duhet të demonstrojnë që janë shoqërues të dikujt. Ky është një problem dhe unë gjithmonë përpiqem gjithmonë t’i frenoj në kuptimin e respektimit të rregullave, të mosbërjes zhurmë, të mos krijimit të shqetësimeve të panevojshme, të mosekspozimit në ambiente të ndryshme, por jo gjithmonë e arrijmë këtë gjë me sukses.

Gazetar: Vetë të privojnë, të krijojnë një lloj privimi qoftë edhe ky pozicion?

Presidenti Meta: Ky është një pozicion, që ka ato privimet e tij, sepse në çdo rast ti edhe kur bën një shaka përsëri të tjerët të shohin pozicionin tënd apo gjithçka, por unë mundohem përsëri përpiqem të jem spontan dhe t’i bëj gjërat siç më pëlqejnë dhe siç i ndjej.

Gazetari: Zoti Meta, si mund ta zgjidhësh pozicionin e Presidentit të Republikës, pra drejtuesit të një institucioni kaq të rëndësishëm, shtetari numër një i Shqipërisë, ndërkohë që jeni midis Kryeministrit, bashkëpunimit mes institucionit, ndërsa në darkë ktheheni në shtëpi ku keni bashkëshorte, kryetaren e njërës prej dy partive më të mëdha të opozitës?

Presidenti Meta: Për mua kjo është tërësisht e zgjidhur…

Gazetari: Po të ishte kjo kaq lehtësisht e zgjidhur kjo do ishte…

Presidenti Meta: Unë e kam të zgjidhur, sepse nuk ndikohem nga asnjë lloj raporti në vendimet e mia dhe në sjelljen time si President.

Gazetari: Po të kthehesh në darkë në shtëpi të ankohet gruaja gjithë ditën për mënyrën si qeveriset Shqipëria do ndikohesh vetvetiu. Burrat ndikohen nga gratë.

Presidenti Meta: Së pari, gjëja që ka ndryshuar më shumë në jetën time si President është për arsye, sepse tani nga një kontakt dhe nga një takim i vazhdueshëm me Monikën për shkak të angazhime të mëparshme në të njëjtën forcë politike apo të dy në Parlament e kështu me radhë, tani janë dy axhenda krejtësisht të ndryshme. Aq sa ju ndoshta edhe nuk do ta besonit që kishim disa javë pa qenë bashkë për drekë apo për darkë, edhe falë ambasadorit të OSBE-së u takuam një ditë që hëngrëm darkë së bashku. Kështu që nuk është se jemi në një kontakt të vazhdueshëm përveç rasteve të ditëve të festave.

Gazetari: Nuk po flasim për përditshmëri, por po flasim për momente të tensionuara, momente që janë delikate në politikë, ku angazhimi i LSI-së së bashku me PD-në është shumë i ndryshëm nga ai i PS-së dhe i Kryeministrit.

Presidenti Meta: Kjo është një çështje e tyre.

Gazetari: Debatoni ndonjëherë për çështje për të cilat ju nuk jeni dakord me qëndrimin e saj?

Presidenti Meta: Sigurisht që debatojmë, por nganjëherë debati është i kotë për arsye sepse secili ka mendjen e vet pavarësisht nga debati.

Gazetari: Dhe pas thuajse 25 vjetësh që jeni bashkë, akoma më shumë, nuk keni arritur që njëri t’i imponojë mendjen tjetrit dhe e kundërta?

Presidenti Meta: Jo, ne e pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç është. Secili ka individualitetin e tij dhe jemi mësuar me këtë.

Gazetari: A ishit ju dakord që zonja Kryemadhi të bëhej kryetare e LSI-së ose a ndikuat ju që të bëhej kryetare e LSI-së?

Presidenti Meta: Nuk besoj se ka qenë e nevojshme që unë të ndikoj për një gjë të tillë. Përkundrazi ashtu siç kam bindjen që nuk ka qenë një pozitë që edhe Monika vetë e ka kërkuar apo që e ka planifikuar.

Gazetari: Po si, ia bën dhuratë? Sepse ajo kandidoi për kryetare.

Presidenti Meta: Nuk besoj se në politikë bëhen dhurata të tilla, aq më tepër dhuratë për të qenë kryetar i një partie në opozitë.

Gazetari: Megjithatë për shumicën e vendimeve a është dakord me ju? Qëllon që ju konteston? Flasim për pjesën private.

Presidenti Meta: Monika, në qoftë se nuk konteston nuk është më Monika, kështu që frymën kontestuese edhe rebeluese e ka pjesë të karakterit të vet që nga koha që unë e kam njohur.

Gazetari: Ka njerëz që mendojnë se ju jeni një lloj prapavije pak më e kamufluar e LSI-së apo edhe opozitës në raport me mazhorancën. Pra, që do të thotë mbani postin e Presidentit, detyroheni të respektoni detyrimet kushtetuese të Presidentit, por në thelb jeni një njeri që vazhdoni të drejtoni Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Presidenti Meta: Mendoj që kjo është thjesht një përrallë, për arsye sepse kjo është jashtë dëshirës dhe vullnetit tim së pari dhe së dyti është jashtë çdo mundësie.

Gazetari: Pse është jashtë dëshirës suaj?

Presidenti Meta: Sepse nuk kam asnjë dëshirë që unë të vazhdoj të drejtoj një forcë politike, në kundërshtim me vullnetin tim për të përmbushur plotësisht detyrën që unë kam pranuar si Presidenti i Republikës. Dhe së dyti, unë kam bërë gjithçka për Lëvizjen Socialiste për Integrim, nga dita e projektimit, e themelimit edhe deri në ditën e largimit zyrtar përfundimtar nga kjo forcë politike.

Gazetari: Jeni bërë deputet në 22 mars të vitit 1992, jeni larguar nga Parlamenti nëse mund ta quaj kështu në vitin 2017. 25 vjet një karrierë aktive si politikan, si një nga liderët e rëndësishëm të Partisë Socialiste, më pas i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pse e lë njeriu një karrierë të tillë me shumë më adrenalinë për t’u bërë President, që shumë veta e konsiderojnë një lloj pensioni politik? Edhe pse ju nuk keni shumë çeren e pensionistit, por gjithsesi…

Presidenti Meta: Unë jam i sigurt se nga ky institucion do të dal shumë më i ri se sa kam hyrë. Kështu që nuk e kam këtë shqetësim.

Gazetari: Po mund të rrezikoni që ditën që dilni mos të keni ku të futeni, zoti Meta. Mund të mos keni vend te LSI-ja, mund të mos keni vend te partitë e tjera, dhe ju nuk mund të bëheni alpinist profesionist në moshën 50 e ca vjeçare.

Presidenti Meta: Unë nuk jam duke menduar se ku do të punoj pasi të përfundoj detyrën e Presidentit. Nuk është ky shqetësimi im. Angazhimi im është ta përmbush me përgjegjshmëri të plotë këtë mandat dhe këtë detyrë ta bëj më përkushtimin maksimal dhe në këtë drejtim janë përqendruar të gjitha energjitë e mia. Natyrisht të jesh President i vendit, është gjithmonë një kënaqësi. Është një përgjegjësi dhe nuk është një mundësi që mund t’i jepet kujtdo. Kushdo mund të ketë dëshirë edhe ka shumë, që e meritojnë, por fakti që unë jam zgjedhur në këtë detyrë më krijon një përgjegjësi të veçantë.

Gazetari: Ju dëgjoj vazhdimisht që thoni këtë mandat. Në fakt unë mesa di, çdo njeri që nis një mandat, gjithmonë mendon dhe për një mandat pasardhës. E mendoni dhe një mandat pas këtij, atë që vjen në vitin 2022?

Presidenti Meta: Nuk e mendoj një mandat të dytë për arsye sepse kjo mund të më çojë në gabime dhe kalkulime të karakterit politiko-partiak që mund të dëmtojë përmbushjen e këtij mandati.

Gazetari: Por ndërkohë nuk është se e përjashtoni një mandat të dytë?

Presidenti Meta: Unë as nuk e përjashtoj dhe as nuk e planifikoj. Thjesht jam duke përqendruar të gjitha energjitë e mia për realizimin me sukses të këtij mandati

Gazetari: Për të marrë një mandat të dytë, a duhet të luajë një rol edhe Lëvizja Socialiste për Integrim zoti Meta, apo bashkëshortja mund t’ju lërë në baltë?

Presidenti Meta: Kjo nuk është aspak e rëndësishme për mua dhe nuk kam asnjë arsye, dhe e theksoj edhe një herë, që të hyj në kalkulime partiako, politike dhe elektorale.

Gazetari: Gjatë këtij një viti e pak muaj që ju jeni në krye të Presidencës së Shqipërisë, cili ka qenë momenti më i vështirë që keni pasur?

Presidenti Meta: Vazhdimisht ka momente nga më të ndryshmet.

Gazetari: Që janë të parashikueshme apo që vijnë dhe në mënyrë të paparashikueshme?

Presidenti Meta: Momentet varet domethënë. Ka momente të parashikueshme, të paparashikueshme apo të shpikura, por unë të gjitha përpiqem t’i përballojë me qetësi maksimale.

Gazetari: Dhe ndërkohë në këtë pozicion që jeni, a keni pasur tensione për shembull në raportet me Kryeministrin, me kreun e Opozitës? Por po i marrim një më një. Me Ramën keni patur tensione?

Presidenti Meta: Unë përpiqem që çdo raport ta menaxhoj në mënyrën më të përgjegjshme, më bashkëpunuese.

Gazetari: Është pak e çuditshme. Ju jeni njohur me Ramën shumë më përpara sa njeri apo tjetri të hynte në politikë. Kur ju merreshit me ekipin e Dinamos në atë kohë në peshëngritje dhe ai me Dinamon në basketboll apo jo?

Presidenti Meta: Kanë qenë njohje të papërfillshme.

Gazetari: Ndërkohë ka një komunikim pak më normal përveçse zyrtar mes jush? A fliste ndonjëherë përtej pjesës zyrtare?

Presidenti Meta: Unë dallohem gjithmonë për komunikime normale. Jam i hapur gjithmonë.

Gazetari: Kjo do të thotë që është Rama që nuk ka komunikim normal?

Presidenti Meta: Nuk e thashë këtë gjë. Thashë që unë dallohem gjithmonë për komunikime normale. Por e rëndësishme është në detyrën që unë kam si President është sjellja institucionale. Kjo është e rëndësishme për publikun, për të gjithë faktorët e tjerë.

Gazetari: Dhe institucionalisht jeni korrekt në raportet tuaja?

Presidenti Meta: Pa modesti mund të them që jam në mënyrë perfektë korrekt me të gjithë në bashkëpunimin institucional. Jam transparent dhe konstruktiv.

Gazetari: A ua rikthen edhe Rama po e quaj këtë korrektesë në stilin e tij si Kryeministër? Për shembull a u ndjetë keq kur morët vesh që Sandër Lleshi ishte propozuar për ministër nga Twitter-i i Kryeministrit?

Presidenti Meta: Absolutisht, nuk jam shqetësuar për këtë gjë. Kjo është një mënyrë, një formë që i takon Kryeministrit ta zgjedhë. Nuk ka asnjë problem.

Gazetari: Dhe mes jush ka pasur ndonjëherë bisedim normal, po e quaj pak më miqësor? Ju keni pasur në 20 vjet, raporte shumë të tensionuara dhe raporte të mira. Pra keni qenë shumë mirë kur ishit Kryeministër dhe Rama ministër i Kulturës, më pas kur u bë Kryetar i Bashkisë së Tiranës me mbështetjen tuaj dhe ju ishit sërish Kryeministër?

Presidenti Meta: Raportet e mia nga ana institucionale kanë qenë dhe janë perfekte gjithmonë. Unë kam qenë Kryeministër dhe z. Mejdani ka qenë Presidentit. Nuk besoj se z. Mejdani si President ka pasur raporte më të mira bashkëpunimi me ndonjë Kryeministër se sa Kryeministrin e asaj kohe kur unë kam qenë në atë post.

Gazetari: Sepse në stilin tuaj politik nuk është përplasja…

Presidenti Meta: Unë përplasjen e bëj dhe e bëj si askush tjetër, kur duhet për të mbrojtur institucionet apo kur duhet për të mbrojtur një çështje të madhe për të cilën përplasja është e paevitueshme. Unë nuk nxi asnjëherë konfliktin dhe nuk jam i apasionuar pas përplasjes, por po të jetë për përplasje këtë e bëj si askush tjetër kur vjen fjala për një çështje të madhe.

Gazetari: Personalisht a keni pasur ndonjëherë raporte me Ramën? A keni biseduar ndonjëherë jo si Kryeministri me ministrin apo me Kryetarin e Bashkisë, jo si dy kryetarë partie, jo si Kryeministri me Presidentin apo me Kryetarin e Kuvendit?

Presidenti Meta: Kjo është diçka e parëndësishme. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar.

Gazetari: Dhe ndërkohë e keni të vështirë të vendosni raporte personale me të apo refuzoni ta bëni këtë gjë?

Presidenti Meta: Nuk është ky prioriteti. Prioriteti im në raport me të gjithë në këtë detyrë është bashkëpunimi institucional.

Gazetari: Iu pyeta jashtë detyrës, më shumë si një raport. Vë re për shembull që pak ditë më parë ka qëndruar për një orë e gjysmë në një takim me ju. Nuk besoj që për një orë e gjysmë është folur për çështjen e Lleshit?

Presidenti Meta: Çfarëdolloj çështje që të diskutohet nuk ka rëndësi. Kjo nuk i intereson askujt se çfarë pimë ne, kafe apo kakao në kuptimin personal, apo se çfarë shakaje bëmë.

Gazetari: Po marrëdhëniet me z. Basha si janë?

Presidenti Meta: Raporte normale, institucionale.

Gazetari: Nuk ka raporte të tjera përtej këtyre?

Presidenti Meta: Nuk ka ndonjë raport të veçantë.

Gazetari: Po me z. Berisha?

Presidenti Meta: Këtu ka një dallim. Kuptohet që marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta.

Gazetari: Kur ka lindur kjo “dashuri” e juaja për Berishën, z. Meta? Ju keni qenë kundërshtar politik për një periudhë të gjatë kohe, nga viti 1992 të paktën deri në vitin 2009, kur u bashkuat në një koalicion me të

Presidenti Meta: Të gjitha në kompleksin e tyre kanë krijuar një marrëdhënie të veçantë. Është një kimi tjetër.

Gazetari: A keni pasur një mllef ndaj Berishës në vitet 1992-93-94?

Presidenti Meta: Sa të duash.

Gazetari: Që vinte nga?

Presidenti Meta: Kuptohet që vitet 1992-1997 kanë qenë vite të vështira dhe padyshim unë kam qenë dhe një nga përfaqësuesit e parë të opozitës, të cilit i është hequr imuniteti, që është kërcënuar me burg e kështu me radhë dhe sigurisht që nuk kanë qenë vite të lehta dhe për demokracinë.

Gazetari: Jeni deputeti i parë i parlamentit pluralist, që i është hequr imuniteti në shtator të vitit 1992 që ka qenë edhe hera e fundit që Nano dhe Berisha kanë komunikuar në telefon në atë moment për ju. Për një 23-vjeçar duket një e ardhme e ndritur, që dy liderët kryesorë të vendit të flisnin në telefon për të zgjidhur mandatin tuaj. Më pas kur e keni njohur mirë keni ndryshuar mendim? Kishte një gjë që ndryshoi në perceptimin tuaj?

Presidenti Meta: Patjetër. Kushdo që e njeh Berishën më nga afër dhe punon me të, krijon një mendim tjetër nga mendimi, që mund të krijojë nga media apo duke e perceptuar thjesht si kundërshtar.

Gazetari: Dhe gjatë kohës që keni bashkëpunuar si Kryetar i LSI-së me të si Kryeministër, a ka qenë korrekte marrëdhënia juaj zyrtare?

Presidenti Meta: Shumë korrekte.

Gazetari: Vazhdoni të keni komunikim tani me të?

Presidenti Meta: Komunikojmë herë pas here.

Gazetari: Z. Meta, zakonisht ka një precedent, edhe pse në Presidencë është shumë më i pakët se në vende të tjera, që çdo person që një detyrë krijon një lloj shpërfillje ndaj paraardhësve. Çfarë raportesh keni ju me ish-Presidentët e tjerë të Shqipërisë?

Presidenti Meta: Kam respektin më të madh për të gjithë Presidentët e Shqipërisë, jo vetëm për shkak të funksionit të tyre që kanë pasur, por edhe për shkak të raporteve personale që kemi pasur në të gjithë kohën. Unë të vetmin problem si President kam pasur me Doktorin kur ka qenë President, por jo më pas. Pastaj me të gjithë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira, edhe shoqërore, edhe njerëzore, edhe me z. Mejdani marrëdhënie të shkëlqyera. Edhe me z. Moisiu kemi punuar, sepse unë kam qenë Ministër i Jashtëm në atë kohë dhe Kryeministër në kohën e z. Mejdani, edhe me z. Topi, edhe me z. Nishani.

Gazetari: Po me ish-Presidentin e parë pluralist që ka pasur Shqipëria, Ramiz Alinë, edhe pse ai qëndroi thuajse një vit në atë detyrë në vitin 1991-92? A e keni njohur Ramiz Alinë?

Presidenti Meta: Po, Ramiz Alinë e kam njohur dhe kam pasur herë pas here mundësi për t’u takuar me të, sidomos më 5 maj takoheshim herë pas here te motra e Margarita Tutulanit. Takoheshim ndonjë herë dhe ai ishte një njeri me shumë eksperiencë dhe do të thosha shumë i kthjellët në reflektimin që kishte bërë për të kaluarën.

Gazetari: A mendoni se Ramiz Alia në fund të viteve ‘80 bëri ç’të mundej që të krijonte një kalim më të butë të pushtetit? Dhe e dyta, a ishte ai po aq fanatik sa Hoxha?

Presidenti Meta: Me ç’na kanë parë sytë pas 1990-s nuk mund të themi se ai nuk bëri përpjekje të rëndësishme për ta ulur avionin sa më butë në pistën e pluralizmit dhe të demokracisë. Sepse ne shohim një nivel të jashtëzakonshëm të intolerancës edhe sot pas 28 vitesh, është e papranueshme, jo më në atë kohë kur Shqipëria ka qenë në një situatë mjaft të rëndë, edhe ekonomike, edhe sociale për të cilën nuk mund të bëhet përgjegjës thjesht Ramiz Alia si individ, pasi kjo situatë dramatike kishte nisur që me prishjen me Kinën. Kuptohet që në një situatë kaq të polarizuar për shkak të luftës së klasave dhe pasojave mjaft të rënda të saj te një shtresë e madhe e popullsisë dhe te situata ekonomike e tmerrshme, po të kemi parasysh kohën e tollonit e të 80 % dhe të gjithë fenomeneve të tjera, ka qenë mjaft e vështirë për të ecur drejt hapjes dhe drejt demokracisë, pasi ishte akumuluar me të drejtë një mllef shumë i madh.

Gazetari: Z. Meta, herë pas here kam parë t’ju akuzojnë ose kam parë edhe të jeni në qendër të vëmendje për një lloj nostalgjie, po e quaj, ndaj Enver Hoxhës sidomos pranisë së përdorimit të portreteve të tij. Një person që është rritur në Tiranën e viteve ‘80 ku shumicën e rasteve ishin të paushqyer për arsye të tollonit, ku shihej që vendi ishte në një marrëzi të madhe, kur bota po zhvillohej ndërsa Shqipëria ishte krejt e mbyllur, ku parullat absurde dominonin mbi logjikën normale, si mund të ketë nostalgji për Enver Hoxhën?

Presidenti Meta: Së pari, nuk e di se ku është shprehur këtë nostalgji për Enver Hoxhën. Unë nuk kam asnjë lloj nostalgjie për Enver Hoxhën. Ajo që mund t’ju them është që gjithmonë kam pasur dhe kam një vlerësim dhe nderim për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare…

Gazetari: E cila nuk ka qenë vetëm e Enver Hoxhës padyshim…

Presidenti Meta: Jo vetëm që nuk ka qenë e Enver Hoxhës, por kur më pyetën një herë dhe fola për De Gaulle-n, që Franca sidoqoftë e kishte De Gaulle-n simbol të rezistencës, dhe më thanë: “Po këtu kush ishte De Gaulle?” Unë thashë: “Ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Më pyetën sërish: “Mos ishte Enver Hoxha? Jo, – i thashë – , nuk ishte Enver Hoxha, për arsye sepse nëse rezistenca e Francës ndaj Gjermanisë naziste fillon me De Gaulle, me një figurë mjaft të njohur, që krijoi frontin e rezistencës, në Shqipëri kjo rezistencë ka filluar pa u krijuar as Partia Komuniste dhe pa u njohur as Enver Hoxha.

Gazetari: Ka filluar që ditën që italianët zbarkuan në Shqipëri….

Presidenti Meta: Dhe më pas Enver Hoxha ishte një produkt i kësaj lufte dhe i mënyrës se si ajo u zhvillua apo qoftë edhe u manipulua në një mënyrë të caktuar. Kështu që nderimi im për LANÇ-in nuk ka asnjë lidhje me ndonjë nostalgji për figurën e Enver Hoxhës.

Ashtu sikurse unë jam i bindur që çdo figurë historike e Shqipërisë duhet parë në kuadër të kohës dhe duhet gjykuar me objektivitet, pasi përndryshe do të fshijmë gjithmonë historinë tonë pa qenë në gjendje për të ruajtur, për të vlerësuar ato gjëra të cilat vërtetë kanë qenë pozitive dhe për të mos përsëritur ato tragjeditë.

Gazetari: Dhe mbi të gjitha nuk ka nevojë për pasione politike kur gjykohet historia…

Presidenti Meta: Unë për këtë kam qenë dhe për këtë jam. Edhe për figurën e Zogut, edhe për çdo figurë tjetër.

Gazetari: Po, ju keni pasur një kontribut sidomos për rivlerësimin e figurës së Mbretëreshës Geraldinë apo të mbretit Zog….

Presidenti Meta: Edhe Zogu është një figurë që duhet vlerësuar me shumë realizëm, sepse përndryshe do të ishim tepër të njëanshëm dhe nuk do të mësojmë asnjëherë nga historia.

Gazetari: Por bëhet fjalë për figura që ishin anatemuar për 50 vjet dhe gati ishin fshirë nga historia dhe kjo është absurde…

Presidenti Meta: Sepse ne këtë zakon e vazhdojmë edhe sot, që gjithmonë përpiqemi të fshijmë çdo gjë të mirë të paraardhësve dhe gjithmonë të krijojmë idenë se çdo gjë fillon nga ne.

Gazetari: Ndërkohë që 2 javë më parë erdhën në atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit, i cili e kishte lënë amanet në një testament, ku kishte dhuruar gjithçka që kishte përfshirë edhe reliket e familjes Frashëri për Shqipërinë dhe kërkonte vetëm të varrosej në oborrin e institutit të albanologjisë, për të cilin ai do të kontribuonte për t’u ndërtuar. Si e shihni kthimin e eshtrave të z. Frashëri?

Presidenti Meta: Mendoj se kjo është një gjë shumë pozitive, sepse çdo shqiptar në fund fare ka të drejtë të prehet në vendin e vet, në atdheun e tij. Në rastin konkret është një figurë komplekse e cila ka kontribute të jashtëzakonshme. Ne pak ditë më parë festuam 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ai ka qenë një ndër 2-3 figurat kryesore, kryetari i kongresit dhe nënkryetar i komisionit për alfabetin së bashku me Fishtën dhe me Luigj Gurakuqin, por edhe me figura të tjera. Jo vetëm kaq, por edhe në Pavarësinë e Shqipërisë ka kontributet e tij, edhe më pas. Sigurisht që angazhimi tij politik apo partiak me Ballin Kombëtar është një angazhim që krijon ndarje, por unë prandaj e theksova më parë që ne duhet t’i vlerësojmë figurat me objektivitet dhe të ruajmë e të çmojmë atë që ata kanë bërë për të mirën e Shqipërisë.

Gazetari: Në thelb z. Meta kam përshtypjen se kjo është një gjë që sot mund ta shohësh më qartë, gjithsecili është angazhuar me idenë se po i shërbente më mirë Shqipërisë, pavarësisht se rrugët që zgjodhën shpeshherë dikush i pati të gabuara ose dikush jo…

Presidenti Meta: Unë nuk mendoj se angazhimi i tij ishte një angazhim i nisur me qëllimin negativ për të dëmtuar vendin, pasi vinte nga një familje me tradita të jashtëzakonshme patriotike. Rrallë gjenden familje si familja Frashëri, që mund të ketë luajtur një rol të këtyre përmasave në historinë e Shqipërisë dhe që luan edhe sot dhe na frymëzojnë me atë trashëgimi të jashtëzakonshme që kanë lënë: filozofike, politike, por edhe në fushën e letërsisë, poezisë e kështu me radhë.

Kështu që është një figurë që vërtetë u angazhua me Ballin Kombëtar, por duhet të kemi parasysh ose bindja ime është që ishte një lexim i gabuar i rrjedhave të historisë dhe e theksoj edhe një herë, LANÇ ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për ekzistencën e Shqipërisë, pasi Shqipëria dha gjithë atë kontribut dhe ne e dimë shumë mirë se pas lufte përsëri pati përpjekje të jashtëzakonshme për të mos e njohur kontributin e Shqipërisë si një vend që u rreshtua në koalicioni antifashist, por për ta paraqitur atë si një vend humbës duke shfrytëzuar faktin që…

Gazetari: Kjo ishte kryesisht nga fqinjët, kanë qenë grekët që kanë luajtur një rol…

Presidenti Meta: Fqinjët gjithnjë kanë patur ndikim të rëndësishëm pasi ata kanë pasur aleanca shumë më të forta se ne.

Gazetari: Edhe për momentin duket që kemi një tension me grekët për çështjen e ndarjes së detit dhe kam përshtypjen se pala greke ka drejtuar gishtin nga ju si njeriu që po e pengoni këtë marrëveshje.

Presidenti Meta: Unë do të theksoj edhe një herë se kam qenë dhe jam tepër i vendosur për marrëdhënie sa më të ngushta sa më miqësore me të gjithë fqinjët dhe padyshim edhe me Greqinë. Dhe unë do t’i bëj shërbimin tim me përkushtimin maksimal kësaj marrëdhënieje edhe me Greqinë, duke marrë përgjegjësitë e mia në radhë të parë në respekt të Kushtetutës së vendit tim dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu që nuk shikoj asnjë arsye…

Gazetari: Atëherë pse vjen ky pretendim z. Meta që ju po e pengoni marrëveshjen me Greqinë?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të merrem me pretendimet e askujt, pasi nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve dhe as e përpjekjeve për të kompleksuar Presidentin e Shqipërisë, që të respektojë Kushtetutën e vendit të tij dhe interesat kombëtare të vendit tim.

Gazetari: Jeni i bindur deri në fund për të respektuar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e detit?

Presidenti Meta: Më duket se jam tepër i qartë. Unë prirem në këto raporte për të qenë gjithmonë bashkëpunues dhe për të respektuar reciprokisht interesat e përbashkëta.

Gazetari: Ditët e fundit ju keni marrë pjesë në një sërë eventesh historike, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shkuat në përurimin e shtatoreve të tre themeluesve, shkuat në 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Ka një tentativë tuajën për të rivlerësuar historinë e Shqipërisë apo janë thjesht aktivitete që ju ftojnë dhe shkon për të marrë pjesë?

Presidenti Meta: Së pari, këto janë aktivitete të rëndësishme. Janë aktivitete të cilat kanë të bëjnë me përkujtimin e ngjarjeve madhore në historinë e formimit të shtetit tonë dhe të arritjeve më të mëdha të tij. Kështu që është detyrë e Presidentit t’i respektojë këto ngjarje dhe të japë mesazhet e tij, jo vetëm në nderim të këtyre ngjarjeve dhe këtyre figurave që i kanë krijuar ato, por njëkohësisht edhe të aktualitetit për t’ju përgjigjur sfidave që ne kemi sot si vend apo që kemi si komb. Natyrisht, kur je i ftuar je i detyruar të bësh çdo gjë për të respektuar një kërkesë dhe për të dhënë një mesazh.

Gazetari: Përse e firmosët vetëm pas një viti e ca dekretimin e kreun të Shërbimit Informativ Shtetëror? Përse duhet ta mbanit një vit? Po verifikonit, ishte kapriço apo thjesht kështu menduat?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të kthehem pas por nuk mund të bojkotoj pyetjen tuaj, që do të thotë se më duket se kam qenë i qartë, që nuk më ka pëlqyer mënyra se si është bërë dorëheqja e ish-kreut të SHISH-i si një fakt i kryer dhe kam pritur me qetësi për të parë se si do të performonte nëndrejtori, i cili ishte i propozuar për t’u bërë drejtor.

Gazetari: Dhe keni qenë i vëmendshëm ndaj aktivitetit të tij?

Presidenti Meta: Patjetër, shumë i vëmendshëm.

Gazetari: Dhe ju ka rezultuar që ka qenë korrekt?

Presidenti Meta: Besoj se po dhe dëshiroj që me këtë dekretim të përmbushi edhe më mirë ky institucion detyrat e tij në një kohë kur duhet të shtojmë mprehtësinë, ndjekjen dhe parandalimin e gjithçkaje, që mund të na cenojë.

Gazetari: Ndërkohë ju e dekretuat propozimin e dytë të Kryeministrit për të njëjtin emër, Sandër Lleshin. A keni ndonjë lloj pendimi që nuk e bëtë që herën e parë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë pendim sepse nuk e kam pasur të mundur ta bëj këtë gjë herën e parë.

Gazetari: Ishte Kushtetuta ajo që ju pengonte?

Presidenti Meta: Sigurisht që Kushtetuta ka qenë dhe është shumë e qartë për pajtueshmërinë e një funksioni të tillë civil dhe politik me të qenurit ushtarak aktiv.

Gazetari: Personalisht a kishit ndonjë vërejtje për emrin e z. Lleshi apo kjo nuk kishte lidhje me atë?

Presidenti Meta: Unë nuk nisem në përmbushjen e detyrës sime nga mendime apo nga vlerësime personale për askënd, por nga përmbushja e detyrimeve kushtetuese.

Gazetari: I keni bërë thirrje qeverisë disa ditë më parë që të negociojë, pra të vendosë dialog me banorët e Unazës së Re pas përplasjeve në protesta. Çfarë keni kuptuar më saktë me këtë?

Presidenti Meta: Sepse mendoj që dialogu është i domosdoshëm aq më tepër kur bëhet fjalë për një vepër publike, që është në interes të publikut të gjerë, por njëkohësisht edhe kur bëhet fjalë edhe për pronën, për investimet e qindra familjeve dhe të banorëve. Në këtë drejtim kam bërë thirrje për transparencë të plotë sa i takon projektit dhe për një dialog….

Gazetari: Transparencë të plotë për financimin e projektit, pra për shumën e projektit, apo dhe për projektin në vetvete?

Presidenti Meta: Transparencë të plotë për gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e këtij projekti me të gjitha fazat dhe etapat e miratimit të tij dhe me të drejtat e banorëve të cilat cenohen për shkak të këtij projekti. Të gjendet një zgjidhje e drejtë.

Gazetari: I rikthehem edhe njëherë raportit tuaj kur thatë se tani keni më shumë impenjime institucionale, më pak impenjime të përditshme politike si një politikan që bën fushatë. Në fakt a ju mungon pjesa e fushatës? Është një adrenalinë më vete fushata.

Presidenti Meta: Jo, jam mësuar tani pa fushatë…

Gazetari: A nuk ju duket dita shumë e qetë?

Presidenti Meta: Dita ime nuk është kaq e qetë në kuptimin e angazhimit, sepse është e mbushur me takime, me lëvizje, me mesazhe, me kontakte nga më të ndryshmet, por është një angazhim tjetër.

Gazetari: Në një intervistë disa vite më parë më keni thënë se një nga pengjet, nëse mund të quhet i tillë, për arsye të impenjimeve, keni qenë më pak pranë fëmijëve. Tani që keni më pak impenjime, të paktën impenjime me më pak presion me atë që lidhet me votën, sepse fundja fundit ju jeni President i shtetit, keni një axhendë institucionale, jo kaq shumë të asaj sfidës së garës që kanë zgjedhjet, a kaloni kohë me fëmijët?

Presidenti Meta: Po, natyrisht që tani jam shumë më i vëmendshëm se më përpara. Pra, sa herë që kam mundësi përpiqemi sidomos për festa të ndryshme apo për gëzime familjare të planifikojmë gjithmonë kohën për të qenë së bashku, dhe përpiqem sa më shumë të rri me fëmijët.

Gazetari: A janë të lidhur fëmijët me ju?

Presidenti Meta: Janë, sidomos vajza e vogël është më shumë.

Gazetari: Vajza e vogël është më shumë. Dhe ju zgjodhët ta kishit edhe si Zonjë të Parë. Për cilën arsye?

Presidenti Meta: Nuk është se këtu është diçka e përcaktuar, por mua më pëlqen shumë të shoqërohem me Erën, sepse ajo i merr me shumë përgjegjësi këto ngjarjet apo eventet.

Gazetari: I merr seriozisht?

Presidenti Meta: Është shumë e përgjegjshme.

Gazetari: Dhe ju ndiheni mirë me të?

Presidenti Meta: Po, ndihem shumë mirë. Është shumë patriote në kuptimin më të mirë të fjalës.

Gazetari: Çfarë pasionesh kanë? Djali është i madh…

Presidenti Meta: Po, djali 18 vjeç, vajza e madhe 20 vjeç, kurse vajza e vogël po bën 13 vjeç.

Gazetari: Çfarë të ardhmeje mendojnë se duan të kenë? Çfarë kanë zgjedhur? A iu intereson politika?

Presidenti Meta: Nuk jam i sigurt për këtë gjë dhe asnjëherë nuk do të doja t’i nxisja për diçka për të cilën ata nuk janë të motivuar.

Gazetari: Më keni thënë që nuk do të kishit shumë qejf të merreshin me politikë. Pse?

Presidenti Meta: Nuk mund ta them këtë gjë, por do të ishte një gabim i madh kur prindërit përpiqen t’i nxisin fëmijët në një drejtim të caktuar, pasi edhe politika nuk është diçka që trashëgohet…

Gazetari: Që fitohet nëpërmjet karizmës personale…

Presidenti Meta: Është një dhunti që e ke apo që e fiton. Çdo përpjekjeje për t’i futur në një rrugë të sforcuar fëmijët, në çdo lloj profesioni, jo vetëm në këtë drejtim, është e gabuar.

Gazetari: Në fakt ju kur keni qenë i ri, keni provuar shumë gjëra. Keni provuar të merreni me sport, sfida normale që ka qenë ajo e shkollimit. Keni provuar të merreni me komentimin sportiv, me gjithçka. Duket që ju ishit vazhdimisht në kërkim të kësaj gjëje. A janë edhe fëmijët në këtë tip?

Presidenti Meta: Nuk mund ta them, por është ende herët…

Gazetari: Për të parë se çfarë drejtimi do të marrin?

Presidenti Meta: E rëndësishme për mua është që të jenë profesionistë shumë të mirë në profesionet që ata do të zgjedhin. Kjo është kryesorja. Pastaj përsa u takon aspekteve të tjera të karakteri social, shoqëror ajo mbetet për t’u parë.

Gazetari: Zoti Meta, a ndiheni keq në këto raste, që i quajnë evente pak më të gjera në nivel ndërkombëtar, kur ju shkoni si president pa Zonjën e Parë?

Presidenti Meta: Nuk jam i vetmi, ka plot raste të tilla. Nuk ka asnjë arsye.

Gazetari: Po për këto raste, moszgjedhja e Zonjës së Parë, a ka qenë një zgjidhje e zonjës Kryemadhi për ta ndarë nga posti i saj si kryetare e LSI-së?

Presidenti Meta: Po sigurisht që ka qenë një zgjidhje e saj dhe është normale, është e natyrshme, sepse kjo gjë nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë. Së dyti, mendoj që rasti ynë me rastet e vendeve të tjera nuk është e njëjta gjë, pasi kuptohet që këtu angazhimi si Zonjë e Parë është një angazhim i karakterit përfaqësues apo shoqërues, por nuk është ai angazhim që është në disa vende të tjera, që kanë një traditë tjetër dhe që ky përfaqëson një institucion të përveçëm.

Gazetari: Këtu është më pak formale, po thoni, se sa në vendet e tjera?

Presidenti Meta: Domethënë që nuk është një gjë e domosdoshme.

Gazetari: Ndërkohë që ju keni hyrë në politikë në moshën 22-vjeçare. Sot ju keni 26 vite në politikë. Pra edhe më herët se mosha 22-vjeçare. Pra keni 26 vite i angazhuar në politikë. Duket sikur nuk keni pasur jetë tjetër përveç politikës? Pasi 23 vjeç keni qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë. 22 vjeç keni qenë një nga themeluesit e FRESSH-it. Keni qenë një person i njohur që në moshë të re. Duket sikur nuk keni pasur një jetë private tuajën. Gjithmonë në qendër të vëmendjes së publikut. A ndikon pozitivisht apo negativisht te një njeri kjo gjë?

Presidenti Meta: Kjo është relative, varet se si e shikon. Sigurisht që gjithmonë që njeriu ka preferencat e tij, ka botën e tij shpirtërore, pasionet e tij, dhe unë i kam këto pavarësisht nga jeta publike dhe nga kufizimet e privatësisë. Fakti që ende vazhdoj do të thotë që nuk dua të ankohem.

Gazetari: Në moshën 22-vjeçare kur ju hytë në Partinë Socialiste që të gjithë ishin të rinj në politikë. Nuk është se kishin ndonjë karrierë të madhe, me përjashtim të dikujt që mund të kishte bërë një lloj karriere në Partinë e Punës, por edhe ajo nuk mund të quhej karrierë, sepse ishte një parti e vetme. Kush ka qenë nga më të moshuarit, por i quaj tani, që ka ndikuar më shumë në fillimet tuaja?

Presidenti Meta: Mendoj se një ndikim të veçantë ka pasur Dritëro Agolli, për arsye se ishte një figurë shumë e madhe dhe unë duke qenë se isha edhe deputeti më i ri dhe rrija pranë tij…

Gazetari: Një figurë që ishte më e relaksuar për politikën se sa të tjerët?

Presidenti Meta: Jo, jo! Ishte një figurë që kishte një filozofi krejt tjetër dhe ishte sa i mençur e i ditur, aq edhe lojtar, në kuptimin e përshtatjes me të gjitha palët, me situatat e reja. Kishte një pragmatizëm të paparë dhe thellësi mendimi, gjykimi. Në mandatin e parë 1992-1996 pothuajse të gjithë kohën rrinim bashkë, jo vetëm në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit. Dilnim bashkë nëpër rrethe, kudo nëpër takime, në Sarandë, në Skrapar, në Korçë, në mbarë Shqipërinë, dhe me Dritëroin mësoje në çdo moment, edhe kur rrije në makinë. Mënyra se si bisedonte me njerëzit, se si këndonte, se si e ç’tensiononte situatën…

Gazetari: E kishte të mirë komunikimin?

Presidenti Meta: Ai ishte brilant në të gjitha komunikimet. Domethënë edhe me gangsterin dinte si të sillej. Me intelektualë, me fshatarë, me ekstremistë politikë të njërit krah apo të tjetrit. Ishte një figurë jashtëzakonisht krijuese, ishte spontan, ishte i jashtëzakonshëm.

Gazetari: Pra ky ishte po e quajmë një nga personat që luajti një rol ndikimi në fillimet e juaja?

Presidenti Meta: Po. Ka pasur një rol të veçantë për arsye sepse edhe emri i tij, plus që unë kur kam qenë i ri kam qenë shumë i dhënë edhe pas letërsisë dhe ai ka qenë një shkrimtar e një poet shumë i dashur për mua. Dhe shpesh unë i recitoja poezitë e tij. Ai kënaqej, por nga ana politike për mua ai ishte një shkollë e veçantë.

Gazetari: Cila ishte poezia e Dritëro Agollit që ju ka ngelur në mendje?

Presidenti Meta: Ajo që më ka ngelur më shumë është “Devoll, Devoll”, por më ka ngelur më shumë, jo kur e kam mësuar në shkollë, sepse e kam mësuar të plotë, por sidomos kur kam qenë një herë në Devoll, në muajin nëntor dhe po shkonim në fshatin Arrëz. Kishim një makinë “Land Rover” – makina shumë të forta kanë qenë ato në ato kohë, – dhe aty kam parë baltën e Devollit, dhe kam kuptuar që kjo çështja e baltës, të cilës ai i referohesh aq shpesh nëpër poezitë e tij, nuk ishte një krijim, por ishte një gjë shumë e vërtetë…

Gazetari: E prekshme.

Presidenti Meta: Po. Dhe e lamë makinën, sepse makina ecte dhe duke qenë se ishte një baltë e madhe, rrëshqiste dhe ishte e pamundur që të ngjitej. Kështu që e përmenda këtë për të thënë se Dritëroi ka qenë i vërtetë edhe në poezitë e tij.

Gazetari: Po raportet me Fatos Nanon, si i keni pasur? Raporti juaj ka qenë kur ai ishte kryetar i partisë, kur ju u bëtë nënkryetar, edhe pse në burg… Më pas ka pasur shumë ulje-ngritje. Si do ta përcaktonit sot?

Presidenti Meta: Raportet e mia me Nanon gjithmonë kanë qenë shumë të sinqerta nga ana ime. Unë kam pasur vlerësimet e mia shumë pozitive për të. Kam pasur kritikat e mia për të në aspektin që nuk kam qenë në një raport…

Gazetari: Por ju kështu më thatë edhe për Ramën, që i keni pasur të sinqerta? Për Berishën të sinqerta. Për Nanon të sinqerta? Po ndonjë njeriu a ua keni “futur”? Se në politikë gjithmonë ka…

Presidenti Meta: Unë nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo?!

Gazetari: “Futur” në kuptimin politik të fjalës?

Presidenti Meta: Ajo që po theksoja është se kanë qenë shumë të sinqerta. Mund të kem pasur ato mendimet e mia të kundërta për shumë çështje. Këto ia kam shprehur hapur.

Gazetari: Si ishte Fatos Nano si personazh? Dhe si kryetar i Partisë Socialiste?

Presidenti Meta: Mendoj se ai ishte një politikan, i cili kishte vizion. Kur ishte i qetë mund të bënte analiza të shkëlqyera, të kapte thelbin e çështjeve, të problemeve.

Gazetari: Ishte inatçor?

Presidenti Meta: Po, edhe ishte, edhe s’ishte në kuptimin që…

Gazetari: Harronte shpejt?

Presidenti Meta: Ishte sa inatçor, aq edhe tolerant në kuptimin e reflektimit.

Gazetari: Kur i ktheheni sot mbrapa, në vitin 2004 nuk shihnit ndonjë zgjidhje tjetër veç largimit nga Partia Socialiste? Ju kishit qenë kryeministri, zëvendëskryeminstri i kësaj partie?

Presidenti Meta: Së pari, nuk mu la një alternativë tjetër dhe së dyti, unë jam shumë i lumtur që kam ndërmarrë një nismë të tillë, pavarësisht se ajo nuk ka qenë një gjë e lehtë dhe e thjeshtë, pasi përmes krijimit të LSI-së unë u dhashë shumë mundësi shumë njerëzve, shumë të rinjve që do ta kishin të pamundur që t’i kishin këto mundësi për të treguar aftësitë e tyre në jetën politike.

Gazetari: Ndërkohë sot, çfarë raportesh keni me Nanon? Komunikoni?

Presidenti Meta: Kur shihemi, përshëndetemi.

Gazetari: Pra, është një raport relativisht korrekt?

Presidenti Meta: Për mua është një raport korrekt.

Gazetari: Thonë që ju keni një dobësi – po e quaj në thonjëza “dobësi”, – për Erion Velinë. A është e vërtetë?

Presidenti Meta: Se çfarë thonë, nuk e di.

Gazetari: Unë e kam për detyrë t’ju them ato që thonë.

Presidenti Meta: Kam raporte tepër korrekte me të gjithë. Dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës është një bashkëpunim institucional.

Gazetari: Përtej institucionalit, a mendoni se është duke punuar më mirë apo keni një raport më të afërt me të se sa me Kryeministrin?

Presidenti Meta: Këtë e gjykojnë qytetarët. Unë për aq sa më lidh kjo punë, mund them se Bashkia e Tiranës ka bërë një punë shumë të mirë për “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”. Ka pasur një angazhim shumë të mirë, si asnjë bashki tjetër mund të them, deri tani. Dhe kjo për mua është shumë pozitive. Për çështjet e tjera le të gjykojnë qytetarët, nuk është e drejta ime.

Gazetari: Zoti Meta, cili ka qenë momenti më i vështirë në politikë, në 26 vite?

Presidenti Meta: Ka pasur shumë. Është si puna e bukurive të Shqipërisë.

Gazetari: Mirë, por ato dy-tre më kryesorët, nëse ju kujtohen? Një moment kur vërtet jeni ndierë se do të donit ta lini politikën? Që keni dashur t’i lini të gjitha e të ikni? Ka gjithmonë një moment të tillë në jetën e njeriut.

Presidenti Meta: Më duket pak e vështirë, sepse unë e kam filluar me vështirësi politikën. Gjithmonë, sepse nuk ishte normale që një i ri si puna ime, i cili kishte qenë edhe në Lëvizjen Studentore, në nëntor të 1991-it të angazhohej me rininë euro-socialiste…

Gazetari: Jo, ishte një kontrasens në raport me të rinjtë, të cilët angazhoheshin të gjithë te Partia Demokratike.

Presidenti Meta: Po, por unë e bëra këtë kundërsens. Pra, zgjodha diçka të vështirë dhe nuk e zgjodha, sepse doja të bëhesha deputet apo të bëhesha Kryeministër apo çdo gjë tjetër, por e zgjodha sepse mendova se kjo punë nuk ka logjikë që të gjithë tani të bëheshin me PD-në dhe Shqipëria të ketë vetëm një rrugë apo vetëm një alternativë kur gjithmonë ka nevojë të paktën për dy alternativa serioze. Dhe nuk është se këtë investim unë e bëra për karrierë, se po të ishte për të përfituar e kisha shumë më kollaj te Partia Demokratike, atje ku kisha shumë nga miqtë e mi, profesorët e mi, e kështu me radhë.

Gazetari: Po momenti kur jeni ndierë më i kënaqur në politikë?

Presidenti Meta: Momentin që jam ndier i kënaqur në politikë?! Kam plot momente.

Gazetari: Dhe në fakt kam një pyetje që ua kam bërë shumë njerëzve: edhe zotit Nano, edhe zotit Berisha. Një njeri i pushtetshëm, një njeri që ishte kryeministër i vendit, me pozicione, me mundësi për të bërë shumë ndere, ato që ne i quajmë ndere, sepse mund të jenë edhe detyra institucionale, a ka pasur momente kur jeni zhgënjyer me njerëzit? Dhe a e keni ndierë këtë zhgënjim, këtë lloj braktisjeje në momentet kur u jeni dukur i dobët? Të tjerëve u jeni dukur i dobët.

Presidenti Meta: Së pari, kjo nuk ka ndodhur me mua, për arsye sepse në çdo moment kam qenë i rrethuar nga njerëzit. Gjithmonë kam pasur dhe kam një parim: ‘Bëje të mirën, hidhe në det! E kthen Zoti mbrapa.’ Që do të thotë se vërtetë unë mund t’u kem dhënë besim shumë njerëzve dhe një pjesë e kanë shpërdoruar atë dhe e kanë keqpërdorur. Që natyrisht ka qenë një kosto në raportin tim me publikun, sepse shumë prej tyre, njerëzit i kanë respektuar dhe u kanë besuar për shkak të besimit që unë u kam dhënë e të cilin ata e kanë keqpërdorur. Megjithatë raporti im ka qenë i sinqertë me të gjithë, sepse edhe në qoftë se dikujt nuk i jep një mundësi, ti nuk mund ta provosh. Por ajo që gjithmonë ka qenë karakteristike në raportet e mia me njerëzit është që unë gjithmonë me njerëzit e thjeshtë, ata me të cilët në fund të ditës është raporti i çdo përfaqësuesi, ka qenë korrekt dhe ka qenë i pandryshueshëm.

Gazetari: Ndërkohë, nga politika keni humbur miq?

Presidenti Meta: Sigurisht që mund të humbasësh, për arsye sepse po ta thjeshtojmë çështjen, ti mund të bësh dhjetë gjëra të mira për dikë, dhe atij në qoftë se nuk i bën të njëmbëdhjetën të cilën ai mendon se e ke për detyrë, harrohen të gjitha. Por kjo do të thotë se nuk kemi pasur të bëjmë me një miqësi të sinqertë, pasi duhet të kuptojmë se miqësia është diçka tjetër dhe politika është diçka tjetër. Natyrisht që ato kanë lidhje, por miqësia nuk duhet të cenojë vendimmarrjet publike, politike dhe miqtë e vërtetë gjithmonë të mirëkuptojnë.

Gazetari: Është shumë e vështirë që të të mirëkuptojnë miqtë e mirë e të vërtetë. A ruani akoma miq nga fëmijëria? Nga koha kur njeriu nuk ka interesa në mes?

Presidenti Meta: Po, patjetër që i ruaj këto miqësi si nga lagjja ime, që është pak a shumë edhe lagjja juaj, e “Pazarit të Ri”. Gjithashtu edhe nga shkolla, që nga “Kongresi i Lushnjes”, “Fan Noli”, gjimnazi “Sami Frashëri”, universiteti, nga sporti i peshëngritjes kam ruajtur tërë ato miqësi.

Gazetari: Vazhdoni t’i ruani edhe me impenjimet që keni?

Presidenti Meta: Po. Po, patjetër! Vazhdimisht në kontakte, në takime. Pra unë përpiqem t’i ruaj raportet dhe miqësitë e mia me të gjithë ata me të cilët më ka lidhur jeta, sepse kjo është diçka shumë e natyrshme dhe njerëzore.

Gazetari: Në një intervistë të mëparshme, ju më keni thënë se babai juaj e kishte vazhdimisht shqetësim impenjimin tuaj në politikë. Sidomos angazhimin në ditët e para. Është penduar tani që merreni me politikë apo ndihet krenar?

Presidenti Meta: Nuk e di këtë gjë.

Gazetari: Flisni me të?

Presidenti Meta: Flasim, po për mua është e rëndësishme që në këto vendime dhe në këto sjellje të mos ndikohemi nga asnjë lloj raporti.

Gazetari: Ndërkohë keni thënë që në ato kohë donit të largoheshit nga Shqipëria. Kishit gati-gati një tundim për t’u larguar në kohën e ambasadave. Tani jeni penduar që s’u larguat apo mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur?

Presidenti Meta: Kam pasur dy momente për t’u larguar. Njëri ka qenë në kohën e ambasadave.

Gazetari: Kur të gjithë donin të iknin?

Presidenti Meta: Një miku im shumë i ngushtë hyri në ambasadën gjermane, Arjan e kishte emrin. Dhe unë pata atë tundim që të hyja apo jo, por ndërkohë kisha edhe shqetësimin që të përfundoja shkollën sa më mirë. Kisha edhe shqetësimin, sepse kuptohet që babai ishte komunist i flaktë dhe kjo do të kishte pasoja për të tërë familjen duke u nisur nga parametrat e asaj kohe.

Ndërsa tundimi i dytë ka qenë pasi unë jam zgjedhur deputet, sepse deputet nuk kam kërkuar të zgjidhem. Më shumë si të thuash se kam qenë i detyruar të pranoj të zgjidhem në vitin 1992.

Gazetari: Të thoni që kam qenë i detyruar dhe nuk doja të zgjidhesha, do u dukej çudi!

Presidenti Meta: Në qoftë se ju duket çudi, mund të pyesni…

Gazetari: Jo, jo, mua nuk më duket çudi!

Presidenti Meta: Mund të pyesni zotin Ruçi, i cili në atë kohë është marrë me listat e deputetëve. Unë kam bërë çdo gjë që të mos zgjidhesha deputet, sepse doja që atë vit të mbaroja shkollën e lartë, dhe të shkoja jashtë për të vazhduar studimet. Dhe bëra çdo gjë që në zonën ku u zgjodha deputet, të pranonte Xhevahir Spahiu apo dikush tjetër, të cilët nuk pranuan të kandidonin. Dhe pastaj u detyrova, sepse ishte një kohë shumë e vështirë për Partinë Socialiste. Ajo mori vetëm gjashtë mandate nga njëqind zona që ishin në mazhoritar dhe dy i mori në Skrapar. Mua më vendosën në zonën më të vështirë, që ishte zona e Tomoricës, nga ku nuk isha me origjinë, por për shkak të ndikimit që kishte pasur gjyshi im nga mamaja, i cili kishte qenë një njeri me shumë autoritet dhe kishte bërë mirë për banorët e asaj zone.

Gazetari: Duke u zgjedhur deputet, ju mbetët në Shqipëri?

Presidenti Meta: Ngela dhe prapë doja të ikja. Këtu do t’ju tregoj diçka të bukur me Spiro Deden. Një nga arsyet që unë ngela ishte se më hoqën imunitetin, për shkak se më dukej pak e vështirë…

Gazetari: Pse, edhe pasi ishit zgjedhur, donit të iknit?

Presidenti Meta: Po, po, doja të ikja patjetër. Më hoqën imunitetin dhe një vit isha pa imunitet dhe nuk ikja dot, në kuptimin se do të dukej sikur po ikja nga frika.

Dhe e dyta, kam pasur këto dilemat dhe këto përpjekjet për të ikur jashtë, duke bërë aplikimet nëpër universitete nga më të ndryshmet. Një ditë takohem me Spiro Deden para kafe ‘Europës’ dhe po i thoja kështu e ashtu. Ai më thotë: ‘Çfarë do të bëhesh, profesor apo politikan?’ Unë i thashë: ‘Po, të dyja.’ Më tha: “Shiko, nëse do të bëhesh profesor, ik! Po deshe të bëhesh politikan, mos ik! Ato gjëra që do t’i mësosh në Shqipëri, në këtë situatë, nuk do t’i mësosh në asnjë shkollë jashtë në botë’. Mendoj që kjo pati një ndikim deri diku, përveç ngjarjeve të vrullshme që më përfshinë. U bëra nënkryetar i PS-së në moshë të re, kur Nano u fut në burg. Në moshën 24 vjeç dhe e kisha vështirë pastaj të largohesha.

Gazetari: Dhe sot jeni nga të paktët politikanë, në të gjithë historinë e Shqipërisë që i keni pasur pothuajse të gjitha postet: kryeministër, kryetar Kuvendi, president i Shqipërisë, zëvendëskryeministër dhe ministër në disa raste, kështu që besoj se Spiro Dede ka pasur të drejtë dhe ju nuk duhet të jeni penduar sot?

Presidenti Meta: Ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme e gjithë këtyre zhvillimeve…

Gazetari: Por edhe një mundësi që të rinjtë sot nuk mund ta kenë aq kollaj?

Presidenti Meta: Është e vërtetë, por të mos harrojmë se sakrificat tona gjithashtu kanë qenë shumë më të mëdha. Dhe vështirësitë me të cilat jemi ndeshur, aq sa mua më vjen shumë keq ndonjëherë që të rinjtë e sotëm kanë mundësi shumë të mëdha, dhe kanë mbështetje shumë më të madhe, nuk bëjnë maksimumin për t’u rritur e për të marrë përgjegjësi. Nuk kanë shumë besim te vetja.

Gazetari: Zoti President, ju falënderoj për këtë intervistë dhe shpresoj se do të kemi mundësi të shihemi sërish!

Presidenti Meta: Ju faleminderit! Ju dhe të gjithë teleshikuesve!

Gazetari: Ju faleminderit zoti Meta!

SHKARKO APP