Presidenti Ilir Meta merr pjesë në Festën e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në festën e shenjtë të Zojës së Shkodrës, duke marrë pjesë në meshën solemne të mbajtur në Kishën katolike të “Zojës së Këshillit të Mirë”.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare në vend, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, besimtarë, etj.
Duke përkujtuar gjithashtu edhe 25-vjetorin e vizitës apostolike të Papa Shën Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti i Republikës në fjalën e rasti, iu drejtua Arqipeshvit të Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafras si dhe besimtarëve të shumtë, duke theksuar se dita kur Ati i Shenjtë, Papa Shën Gjon Pali II shkeli për herë të parë tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë, ka mbetur, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën mbarë, një tablo biblike, prekëse e madhështore, që nuk mund të shuhet kurrë nga kujtesa historike e kombëtare.
“Ndjenja e hakmarrjes është një ndjenjë që rrënon, këshilloi Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite dhe ndjenja e atdhetarizmit nuk duhet të degjenerojë në një nacionalizëm agresiv. Ky mesazh i madh ushqen brenda nesh ndjenjën e faljes, të tolerancës dhe të harmonisë, të dashurisë për njëri-tjetrin dhe të vetëpërmbajtjes.Koha provoi se nacionalizmi agresiv do të përgjakte popujt e Ballkanit duke lënë pas frikë, urrejtje dhe armiqësi të mëdha e plagë ende të pashëruara”, – tha Presidenti Meta gjatë fjalës së tij, duke shtuar se Ati Shenjtë u bëri thirrje të gjithë popujve të Ballkanit për të hequr dorë nga intoleranca fetare, e cila jo shumë larg nga Shqipëria po përgjakte besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë ndërmjet tyre.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta
I nderuar Monsinjor Anxhelo Masafra,
I nderuar Imzot Frendo,
I nderuar Nunci Apostolik në Shqipëri
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore.
Të dashur besimtarë,
Data 25 prill 1993, dita kur Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II shkeli për herë të parë tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë, ka mbetur, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën mbarë, një tablo biblike, prekëse e madhështore, që nuk mund të shuhet kurrë nga kujtesa njerëzore e as nga kujtesa historike e kombëtare.
Vizita e parë e Atit të Shenjtë në Shqipëri ndodhi në momentet e shndërrimeve dhe transformimeve të mëdha politike dhe shpirtërore të vendit tonë.
Vendi sapo kishte dalë nga izolimi i gjatë dhe nga vitet e diktaturës, për të ecur drejt demokracisë, një shoqërie të lirë, të drejtave të njeriut, drejt lirisë së besimit e ekonomisë së tregut, koncepte të cilat ishin jo të huaja, por edhe armike të sistemit të mëparshëm.
Vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri ishte një rreze drite drejt paqes, ishte një shpresë për një jetë më të mirë, ishte një mbështetje e fuqishme për të gjithë shqiptarët, ishte një shenjë e Zotit për dheun e një populli të lashtë dhe martir, dheun e Gjergj Kastriotit Skënderbeut – Heroit tonë Kombëtar, vendin e Papa Domeniko Xhovani Albanit dhe atdheun e Shenjtores së mbarë njerëzimit “Nënës Tereza”.
Shkodra përjetoi ato ditë çastet kulmore të kësaj vizite.
Qytetarët e saj me krenari festojnë sot këtë përvjetor historik.
Shkodra dhe gjithë Shqipëria nderojnë sot me mirënjohje të thellë ikonat e besimit dhe shërbimit të shenjtë.
38 martirët katolikë shqiptar që dhanë jetën e tyre për besimin në Zot dhe dashurinë për Atdhe rigjetën rrugën e shugurimit dhe të lartësimit falë bekimit të kësaj toke nga Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, 25 vite më parë.
“Ndjenja e hakmarrjes është një ndjenjë që rrënon” këshilloi Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite dhe “Ndjenja e atdhetarizmit nuk duhet të degjenerojë në një nacionalizëm agresiv”.
Ky mesazh i madh ushqen brenda nesh ndjenjën e faljes, të tolerancës dhe të harmonisë, të dashurisë për njëri-tjetrin dhe të vetëpërmbajtjes.
Koha provoi se nacionalizmi agresiv do të përgjakte popujt e Ballkanit duke lënë pas frikë, urrejtje dhe armiqësi të mëdha e plagë ende të pashëruara.
Ai u bëri thirrje të gjithë popujve të Ballkanit për të hequr dorë nga intoleranca fetare, e cila jo shumë larg nga Shqipëria po përgjakte besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë ndërmjet tyre.
Intoleranca fetare prodhon ksenofobi.
Ksenofobia fetare sjell izolim, ndarje, frikë, urrejtje dhe armiqësi mes komuniteteve fetare dhe popujve të ndryshëm.
Këtë mesazh Ati i Shenjtë e bëri pikërisht nga Shqipëria, modeli i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare, të trashëguar brez pas brezi, thesar të cilin të gjithë ne duhet ta ruajmë e ta përsosim gjithnjë e më shumë.
Jam këtu njëkohësisht për të përgëzuar dhe mbështetur mesazhin shembullor dhe shumë të rëndësishëm të krerëve të Bashkësive fetare të Shkodrës ndaj Institucioneve tona shtetërore e veçanërisht ndaj komunitetit për të reaguar fuqishëm e pa vonesë kundër fenomeneve dhe veseve që rrezikojnë fëmijët tanë, të rinjtë tanë, familjen dhe shoqërinë.
Për të gjithë është detyrë morale, shoqërore e qytetare që, si një zë i vetëm dhe një forcë e fuqi e përbashkët të luftojmë kundër degjenerimit, shthurjes, imoralitetit, drogës, kumarit korrupsionit, krimit dhe të gjitha veseve që venë në pikëpyetje jo vetëm vlerat tona por edhe dëmtojnë rëndë kohezionin social të familjes dhe atdheut.
Në këtë përvjetor të vizitës së parë të Papa Gjon Palit II në Shqipëri ne kujtojmë njëkohësisht edhe 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, marrëdhënie të cilat kanë një të ardhme dhe perspektivë të shkëlqyer.
Ne i mbetemi mirënjohës thellësisht Shtetit të Vatikanit, Papa Shën Gjon Palit II dhe Atit të Shenjtë, Papa Franceskut për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve e njëkohësisht nga ky vend i shenjtë dëshiroj të garantoj se Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur në rrugën e tyre të integrimit në familjen evropiane, nga e cila vijmë dhe të cilës i përkasim.
E paharruar qoftë vepra e Papa Shën Gjon Palit II,
Mirënjohje të thellë për Atin e Shenjtë, Papa Franceskun,
Zoti i bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!