Presidenti Meta nderon homologen kroate me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Motivacioni: ”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Kreu i Shtetit deklaroi se shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi. ”Ishte Albanologu i shquar kroat, Milan Shuflaj (Milan Šufflay), i cili u bë zëdhënësi më i besueshëm i historisë së shqiptarëve duke forcuar kështu edhe miqësinë midis dy popujve.300 vjet më parë kroatët i hapën dyert e tyre Arbanasve dhe kjo ka vijuar në forma të ndryshme deri në fund të shekullit të shkuar.Prania e tyre në Kroaci është një lidhje e fuqishme miqësie midis dy kombeve që sot po kontribuon edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik e kulturor. Falë kësaj mikpritjeje, shqiptarët në Kroaci janë ndjerë gjithmonë, si në kohë paqe ashtu edhe në kohë lufte, sa shqiptarë aq edhe kroatë. Kjo u demonstrua edhe në luftën më të fundit për pavarësi të Kroacisë. Shqiptarët sot përfaqësohen edhe me një deputete të nderuar në parlamentin e Kroacisë, zonjës Ermina Lekaj Prljaskaj”,-tha Presidenti Ilir Meta.
Presidentja e Kroacisë, e falenderoi Presidentin Meta duke theksuar se ky vlerësim ndaj saj shkon për të gjithë popullin kroat.
”Ju falënderoj zoti President për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar Dekoratën e Flamurit Kombëtar! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë”,-tha Kolinda Grabar-Kitaroviç.