Presidenti Meta në OKB: Krenar për kontributin e Shqipërisë në forcimin e paqes dhe sigurisë (VIDEO)

Presidenti i Republikës Ilir Meta mbajti sot një fjalim në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kreu i shtetit paraqiti qëndrimin e Shqipërisë lidhur me rajonin dhe çështjet kryesore ndërkombëtare.

Në fjalim e kreut të shtetit shqiptar, një nga pikat kryesore ishte çështja e Kosovës. Presidenti Meta u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB që të vijojnë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, me qëllim anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Gjithashtu, Presidenti u ndal dhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kreu i shtetit u shpreh se marrëveshja mes dy vendeve duhet t’i shërbejë stabilitetit të rajonit. “Është shumë e rëndësishme që kjo Marrëveshje të shënojë një ndarje nga historia dhe e kaluara, si dhe të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve në të dyja shtetet. Le të sjellim ndërmend se e kaluara historike e Ballkanit, në mënyrë famëkeqe, lidhej me ndryshime kufijsh, pastrimin etnik dhe shpërngulje të dhunshme masive”,- deklaroi Presidenti Meta.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit u ndal në rolin e Shqipërisë në rajon, si një vend që është i angazhuar për stabilitetin dhe integrimin e gjithë Ballkanit në strukturat euro-atlantike.

Presidenti Ilir Meta u shpreh se Shqipëria nuk është vetëm një vend që punon për paqen në rajon, por edhe në arenën ndërkombëtare. Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në shumicën e misioneve të NATO-së në vendet e konflikteve, si në Irak, Afganistan, etj.

Fjalimi në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në diplomacinë ndërkombëtare, cilësohet si moment i rëndësishëm për shtetet dhe liderët botërorë. Pjesëmarrja në debatin vjetor është moment kulmor ku krerët e shteteve paraqesin qëndrimin vendeve që përfaqësojnë për çështjet e ndryshme ndërkombëtare.

Video/Fjala e Presidentit Ilir Meta në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/143530846596996/

Fjala e Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Ilir Meta, në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Nju-Jork, SHBA:

“Shndërrimi i OKB-së në një organizatë të lidhur e të përshtatshme për të gjithë popujt: Udhëheqja botërore dhe përgjegjësitë e përbashkëta për shoqëri paqësore, të paanashme dhe mbështetëse”.

“Zonja Presidente,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni së pari që t’iu bashkëngjitem të gjithëve ju, për të përgëzuar e për t’i uruar suksese Zonjës Presidente Espinosa Garcés, duke e siguruar Shkëlqesinë e Saj rreth mbështetjes së plotë të Shqipërisë në detyrat dhe misionin që ka ndërmarrë!

Tema e këtij Debati të Përgjithshëm “Shndërrimi i OKB-së në një organizatë të lidhur e të përshtatshme për të gjithë popujt” na shpie në zemër të multilateralizmit; të atij lloji që kanë ndërtuar kombet tona nëpërmjet udhëheqjes globale dhe përgjegjësive të përbashkëta në dobi të shoqërive tona paqësore, të barabarta e të qëndrueshme.

Teksa ndajmë nevojën e ndjekjes së vazhdueshme të reformës, ne u mbetemi besnikë parimeve themelore të kësaj organizate.

Vazhdojmë ta shohim OKB-në si një instrument shumëpalësh, përmes të cilit ruhet më së miri rendi paqësor ndërkombëtar.

OKB-ja u krijua me anë të një sërë përpjekjejesh të vullneteve sovrane, të cilat kanë prodhuar një trup rregullash të kodifikuara dhe praktikash të mira si zgjidhje e përbashkët për problemet e përbashkëta.

OKB-ja as nuk ka një jetë të sajën, jashtë vullnetit të anëtarëve të saj, as nuk është imune ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve që ndodhin.

OKB-ja është rritur ndërsa bota jonë është bërë gjithnjë e më shumë globale.

Demokracia, siguria, çështjet ekonomike, zhvillimet teknologjike dhe World Wide Web, çështjet mjedisore dhe shumë të tjera, janë gjithnjë e më shumë të pranishme në axhendën e OKB-së, ashtu siç dominojnë edhe në politikat tona të brendshme.

Shqipëria ndan dhe mban përgjegjësinë e saj për të qenë aktive në këtë debat, duke i shtuar e dhënë rëndësi pjesës sonë të rruzullit.
Në këtë frymë, ne mbështesim plotësisht vizionin e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për reforma dhe arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Ne besojmë fuqishëm se Axhenda 2030 është universale, pasi ajo është e rëndësishme dhe e zbatueshme në të gjitha vendet e botës.

Kemi ndërmarrë një qëndrim të qartë me një rezolutë unanime të miratuar nga Parlamenti Shqiptar duke shprehur angazhimin tonë të vendosur për zbatimin dhe arritjen e këtyre qëllimeve.

Shqipëria paraqiti Raportin e saj Vullnetar Kombëtar në muajin korrik, duke përfshirë në të, një kombinim të mirë të objektivave të Axhendës së saj Europiane me ato të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Dëshiroj të theksoj se këto dokumente strategjike janë plotësisht të pajtueshme dhe koherente me projektin tonë kombëtar strategjik të Integrimit Europian.

Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Zhvillim dhe Integrim përmban të njëjtin vizion strategjik dhe objektiva për zhvillim: atë të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, të një ekonomie konkurruese e të qëndrueshme, promovimit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ndërsa presim një vendim pozitiv në të ardhmen për të hapur negociatat e pranimit me Bashkim Europian, ne mbetemi të përkushtuar për të ecur përpara dhe pa vonesë me reformat e brendshme në fusha kyçe.

Ne gjithashtu e konsiderojmë përparësinë e Bashkimit Europian për bashkëpunim të hapur rajonal si një politikë të domosdoshme.

Me proceset e vazhdueshme të paqes e të integrimit në Ballkan, besojmë se çdo arritje dypalëshe në gjirin e vendeve tona kontribuon drejtpërsëdrejti edhe për një paqe, siguri, qëndrueshmëri dhe zhvillimin ekonomik më të madh.

Ne konsiderojmë se Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë, e arritur kohët e fundit, ka mundësinë të shndërrohet në një arritje historike.

U kemi bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni, duke përfshirë edhe udhëheqësit vendorë shqiptarë, që të angazhohen në mënyrë aktive për të siguruar e arritur suksesin e referendumit të 30-të shtatorit, duke përkrahur votimin pro kësaj Marrëveshjeje.

Politika e dyerve të hapura të NATO-s e shtrirë drejt Ballkanit Perëndimor mbetet e rëndësishme dhe jetike për të ankoruar rajonin nën çadrën e vet të sigurisë si dhe për autorësin e përgjegjshme vendore.

Në këtë kontekst, unë i mirëpres fuqimisht mesazhet e fundit që partnerët tanë strategjikë i dërguan qytetarëve maqedonas.

Këto mesazhe i bëjnë jehonë vendosmërisë së tyre në mbështetje të investimeve të mëdha të bëra për krijimin e stabilitetit dhe sigurisë në dy dekadat e fundit në Ballkan.

Angazhimi i kombinuar i NATO-s dhe Bashkimit Europian përbën garantuesin më të mirë për të gjitha vendet dhe qytetarët e rajonit tonë.

Ky moment i vrullshëm pozitiv mund të ushqejë e nxisë gjithashtu një përparim të mëtejshëm në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ka hyrë në fazën e tij të fundit, dhe pritet që të përfundojë me një Marrëveshje të detyrueshme ligjore mbi normalizimin tërësor të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe që kjo Marrëveshje e pritshme të mishërojë energji pozitive, duke nxitur e ushqyer vlerat europiane të bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike.

Është shumë e rëndësishme që kjo Marrëveshje të shënojë një ndarje nga historia dhe e kaluara, si dhe të përmirësojë jetën e përditshme të njerëzve në të dyja shtetet.

Le të sjellim ndërmend se e kaluara historike e Ballkanit, në mënyrë famëkeqe, lidhej me ndryshime kufijsh, pastrimin etnik dhe shpërngulje të dhunshme masive.

Megjithatë, në dy dekadat e fundit, Ballkani ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, falë mbështetjes dhe përfshirjes së Kombeve të Bashkuara si dhe investimeve serioze politike dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Ne u bëjmë thirrje dhe mirëpresim çdo përpjekje të shteteve anëtare të OKB-së për vazhdimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës si dhe mbështetjen e mëtejshme të anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Bazuar në stabilitetin dhe zhvillimet pozitive në Kosovë, Shqipëria mbështet reduktimin e seancat që mbahen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi raportet e UNMIK-ut.

Të nderuar delegatë,

Shqipëria mbështet plotësisht një axhendë më efektive të OKB-së përmes një arkitekture më të integruar të paqes dhe sigurisë, me operacione paqeruajtëse që janë instrumente jetësore dhe veprimtaria kryesore e Kombeve të Bashkuara.

Ne mbështesim nismën e fundit të ndërmarrë nga Sekretari i Përgjithshëm – Veprimi për Paqeruajtjen (A4P), dhe e kemi përkrahur Deklaratën për këtë nismë.

Shqipëria mbështet plotësisht Rezolutën 2242 si dhe rezolutat e ngjashme substanciale për shqyrtimin e arkitekturës së ndërtimit të paqes, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Këshilli i Sigurimit.

Jemi të sigurt se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres do të ruajë ritmin e momentit për një rol të ripërtërirë të Kombeve të Bashkuara, të përqendruar veçanërisht te ruajtja e paqes dhe sigurisë në botë.

Platforma e tij në rigjallërimin e OKB-së është premtuese dhe ne e mbështesim atë.

Më lejoni të theksoj se më shumë se 6500 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe civilë shqiptarë kanë marrë pjesë në operacione paqeruajtëse ndërkombëtare duke nisur që nga viti 1996.

Ata kanë kontribuar në operacionet e zhvilluara në Bosnje dhe Hercegovinë, Çad, Sudanin e Jugut, Afganistan dhe vende të tjera.

Ne kemi premtuar dhe jemi zotuar që të vazhdojmë kontributin tonë modest, por të vendosur njëkohësisht.

Shqipëria u është bashkëngjitur të gjitha nismave të Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit, duke ratifikuar 12 nga 19 Konventat dhe Protokollet e Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria u bashkua me reagimin e menjëhershëm të Koalicionit Global kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe veçanërisht në luftën kundër ISIS-it.

Si anëtare e NATO-s, vitn e shkuar, kemi trefishuar kontributin e trupave tona në Afganistan.

Kontributi ynë për përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër migracionit të paligjshëm në Mesdhe, është i rëndësishëm dhe domethënës.

Jemi pjesë e misionit detar të NATO-s në Egje, duke i ardhur në ndihmë FRONTEX-it për të ndaluar emigrantët e paligjshëm.

Shqipëria beson se mbrojtja e civilëve, grave dhe fëmijëve është me rëndësi vendimtare në operacionet paqeruajtëse, sepse jeta e çdo personi është shumë e çmuar.

Mirëpresim vëmendjen në rritje lidhur me rolin e organizatave rajonale në çështjet e sigurisë.

Në këtë kuadër, vlerësojmë pamasë dhe mirëpresim bashkëpunimin e ngushtë midis Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, mbi platformën e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP).

Që të kemi një planet sa më shumë të sigurt e në paqe nevojitet të ndërmerren hapa konkrete.

Në këtë drejtim Shqipëria përshëndet përparimin e shënuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për denuklarizimin e gadishullit korean, duke e konsideruar atë një hap të hedhur para, jo vetëm për rajonin në fjalë, por për mbarë planetin tonë gjithashtu.

Një çështje tjetër që na shkakton shqetësim serioz e që kërcënon paqen dhe sigurinë, është edhe konflikti i vazhdueshëm në Siri.

Ne mbështesim të gjitha veprimet e ndërmarra nga aktorët ndërkombëtarë për t’i dhënë fund konfliktit si dhe për t’i dhënë fund përdorimit të armëve kimike.

Situata humanitare është përkeqësuar akoma më shumë dhe kjo tragjedi ka shkaktuar miliona refugjatë lufte të shpërngulur, duke dëmtuar gjithashtu edhe sigurinë e vendeve fqinje dhe të kontinentit europian.

Situata në Libi gjithashtu, na shqetëson seriozisht, dhe ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të vendosur ndaj unitetit dhe integritetit territorial të Libisë, dhe theksojmë nevojën për të ulur përshkallëzimin e dhunës në atë vend, si dhe përhapjen e terrorizmit po ashtu.

Kemi mbështetur përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të pasur një dialog politik gjithëpërfshirës ndërmjet palëve mbi të ardhmen e Libisë, si mënyra e vetme për të ndalur konfliktin dhe zgjidhur krizën libiane, e cila kërcënon seriozisht, jo vetëm fqinjët e drejtpërdrejtë.

Konflikti mes Izraelit dhe Palestinës po dëmton ende paqen dhe qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

Zgjidhja me Dy-Shtete do t’i lejonte realisht të dyja palët të përmbushnin aspiratat e tyre, t’i jepnin fund konfliktit dhe të arrinin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët.

Gjithmonë kemi mirëpritur dhe mbështetur përpjekjet e bëra nga të gjitha palët dhe ato të bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje nëpërmjet negociatave.

Pak ditë më parë, në emër të Shqipërisë shpreha mbështetjen e plotë për parimet dhe zbatimin e Deklaratës mbi Apelin Global për Problemin të Drogës në Botë, një nismë e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara.

Të gjithë duhet të ndërmarrim veprime të guximshme dhe të veprojmë së bashku për të çrrënjosur drogat nga jeta e të rinjve dhe fëmijëve tanë si dhe për të shpëtuar shoqëritë, sigurinë tonë kombëtare dhe shëndetin tonë publik.

Për këtë arsye, na duhet të forcojmë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të ndërtojmë një bazë të përbashkët për të kuptuar problemin duke ndërmarrë masa efektive kundër tij.

Në këtë kontekst, do të doja të theksoja gjithashtu se Shqipëria gëzon një bashkëpunim të shkëlqyer me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).

Shqipëria, si vend me kontribute të vlefshme në vendosjen dhe ruajtjen e paqes, qëndrueshmërisë, përparimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave universale të njeriut dhe duke besuar fort në multilateralizmin, synon të zgjidhet e të jetë një anëtare jo e përhershme i Këshillit të Sigurimit për mandatin gjatë viteve 2022-2023.

Për të arritur këtë qëllim, ne jemi të gatshëm të angazhohemi në mënyrë konstruktive në parandalimin e konflikteve dhe në operacione të ndryshme paqësore, si në kuadër të OKB-së, ashtu dhe në organizata të tjera të sigurisë rajonale, në zbatimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të kontribuuojmë në respektimin universal të të drejtave të njeriut.

Shqipëria është e angazhuar për të mbrojtur dhe promovuar të gjitha të drejtat e njeriut si dhe mbështet integrimin e dimensionit të të drejtave të njeriut në axhendën e Kombeve të Bashkuara.

Në përfundim, dëshiroj të trajtoj çështjen e ndryshimit të klimës, e cila prek çdo vend në secilin kontinent.

Ajo është duke shkatërruar ekonomitë kombëtare e duke ndikuar jetët, duke u kushtuar së tepërmi njerëzve, bashkësive dhe vendeve tona.

Marrëveshja historike e Parisit e vitit 2015, e mbështetur në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Protokollin e Kiotos, paraqiti dhe na dha angazhimin ligjor të detyrueshëm ndërkombëtar për t’u angazhuar me veprime konkrete.

Shqipëria ka miratuar strategji dhe plane veprimi të lidhura me të dhe po merr masat e nevojshme për të mbrojtur mjedisin si dhe për të zvogëluar emetimet e gazrave.

Është shumë e qartë se pasojat e ndryshimeve klimatike po lëvizin e po rriten më shpejt se sa ne.

Na duhet t’i parandalojmë ato dhe të shpëtojmë gjallesën e planetit tonë e të brezave të ardhshëm.

Duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta për të përballur e kapërcyer sfidat e përbashkëta!

Ju faleminderit!”.

Foto galeri nga fjalimi i Presidentit në OKB

Takimet kryesore nga vizita e kreut të shtetit në SHBA:

SHKARKO APP