Presidenti Ilir Meta, vizitë në Tropojë (VIDEO)
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në rrethin e Tropojës.
Ndalesën e parë kreu i shtetit e bëri në fshatin Fierzë, ku mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Matosh Uka”, ku ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Ky investim u realizua falë fondeve të Qeverisë Japoneze dhe Kompanisë së Sigurimeve SIGAL.
Presidenti Meta, pasi u takua me nxënësit dhe mësuesit, të cilët e pritën me këngë e valle popullore të zonës, u shpreh: “Ndihem shumë i lumtur të marr pjesë në ceremoninë e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare ‘Matosh Uka’ në Fierzë të Tropojës, që falë bujarisë së qeverisë japoneze dhe kompanisë së Sigurimeve SIGAL, ka sot kushte plotësisht moderne.
Me urimin për një vit të mbarë shkollor, jam besimplotë se këta nxënës të mrekullueshëm, duke ndjekur ëndrrat e tyre, do të jenë nesër elita intelektuale e vendit, ashtu si shumë prej të parëve të tyre që ndër vite i kanë dhënë krenari Tropojës dhe Shqipërisë.”, – u shpreh Presidenti Meta.
Mirënjohje për austriaken që ndihmoi për strehimin e 15 familjeve në Tropojë
Gjatë vizitës në Tropojë Presidenti Ilir Meta mori pjesë dhe në ceremoninë e inaugurimit të banesave për 15 familje të pastreha në këtë qytet. Projekti i ndërtesave u vu në zbatim nga Bashkia Tropojë me ndihmën e humanistes austriake,Marianne Graf.
“Me kontribut të humanistes së shquar nga Austria, znj.Marianne Graf, u vu në jetë zbatimi i projektit të Bashkisë së Tropojës për strehimin e 15 familjeve të pastreha dhe në kushte shumë të vështira ekonomike, nga të cilat 6 familje nga komuniteti Rom.
Mirënjohje znj.Graf e cila ia kushtuar jetën ndërgjegjësimit të shqiptarëve për ta dashur më shumë Shqipërinë!”,- shkruan Presidenti Meta në Facebook.
Presidenti Meta: “Kcimet e Tropojës” duhet të jenë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore
Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës në Tropojë ka marrë pjesë dhe në aktivitetin kulturorë kushtuar kërcimeve popullore të veçanta të kësaj treve.
Në një postim në Facebook, Presidenti shprehet se kjo pasuri kaq e madhe e Shqipërisë duhet të ketë vendin e nderit në trashëgimisë kulturore botërore.
“Ardhja në Tropojë është përherë një kënaqësi dhe emocion i veçantë. Sidomos kur marr pjesë në një aktivitet të spikatur kulturor kushtuar “Kcimeve të Tropojës në UNESCO”. Shumë nga thesaret e trashëgimisë kulturore e artistike të kombit tonë, sidomos “Kcimet e Tropojës” nevojitet të promovohen nga institucionet tona, nga ato lokale e deri në shtetërore, për të synuar që të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Arritjen që kemi realizuar me Iso-polifoninë e Jugut në UNESCO ta pasojmë edhe me zhanre të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës”,- shkruan Presidenti Meta në Facebook.