Presidenti Ilir Meta në Fier dhe në Berat: Jeta e qytetarëve është e para

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ndjekur sot nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit. Kreu i shtetit është takuar me ekipet e shpëtimit të Forcave të Armatosura, të Policisë dhe të emergjencave civile që kanë përballuar situatën në terren në Qarkun e Fierit.

Kënaqësi të falenderoja sot në Ferras Forcat e Armatosura, ato të Policisë dhe ekipet e emergjencave të Kosovës për menaxhimin plot përkushtim të përmbytjeve të Vjosës në ndihmë të banorëve të rrezikuar. Mirënjohje për sakrificat e tyre sepse jeta e qytetarëve është e para”,- shprehet kreu i shtetit në një mesazh të publikuar në Facebook.

Presidenti Meta, shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku. Duke folur për mediat Meta falënderoi punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit. Një falënderim të veçantë Presidenti Meta bëri për mbështetjen e ardhur nga Kosova.

Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën, – tha z. Meta. – Megjithatë, çdo përmbytje ka dëmet e saj dhe është e rëndësishme që edhe këto të evidentohen, por dua të shpreh mirënjohjen sidomos për forcat e ushtrisë që kanë bërë operacione të vështira edhe falë këtij angazhimit të tyre të policisë dhe të pushtetit vendor ne kemi një situatë më pozitive, gjë që nuk duhet të na ulë vigjilencën pasi kemi hyrë në kulmin e dimrit dhe përballë kapriçove të kohës duhet të qëndrojmë gjithmonë syhapur për arsye sepse dihen këto eksperienca”,- tha Presidenti.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në menaxhimin e kësaj situate. “Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, – theksoi Presidenti Meta.

Me pas Presidenti Meta ka shkuar në zonat e përmbytura në Berat.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë,Ilir Meta,ka mbërritur mbrëmjen e sotme në qytetin e Beratit për t’u njohur nga afër me situatën e krijuar në këtë qark nga përmbytjet e shkaktuara 2 ditët e fundit si rezultat i daljes nga shtrati të lumit Osum.

Ndalesa e parë e Presidentit Meta ka qënë në konviktin e shkollës së mesme induatriale “Stiljano Bandilli”, ku edhe janë krijuar nga bashkia e qytetit ambientet për akomodimin dhe strehimin e personave të evakuuar nga banesat e përmbytura.

Në foto: Presidenti Meta në Berat, ora 22.00 (e shtunë)

Në këtë konvikt janë vendosur që prej mëngjesit të sotëm familjet rome, shtëpitë e të cilëve janë akoma me ujë si dhe endacakët e qytetit. Më pas Meta është ndalur në prefekturën e qarkut Berat, ku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe shtabin e emergjencave civile, ku prefekti i qarkut Harilla Dafa e ka njohur me situatën e krijuar nga përmbytjet në qarkun e Beratit.

Presidenti Meta është shprehur se edhe pse Osumi është qetësuar pasojat kanë qënë serioze dhe aktualisht kemi banorë të përmbytur që janë strehuar nga bashkia por kemi edhe dëme të shkaktuara në banesa dhe biznese. “Kjo situatë e krijuar-ka thënë Meta-kërkon kujdes të vazhdueshëm për të ardhmen sepse dimri po bëhet më i vështirë dhe i paparashimueshëm”.

Në foto: Presidenti i Republikës në qarkun e Fierit

Në foto: Presidenti i Republikës në qarkun e Fierit

SHKARKO APP