Presidenti Meta në Skrapar:Rivendosim pllakën përkujtimore me emrat e 17 heronjve të rënë në betejën Tendës së Qypit
Presidenti Ilir Meta sapo është kthyer nga vizita zyrtare në SHBA, ku mori pjesë në sesionin e ri në OKB, takoi në pritjen e delegacioneve Presidentin Trump dhe më pas takim zyrtar me Presidentin e Senatit të SHBA.
Nga dje ai gjendet në Berat dhe sot në Skrapar.
Ilir Meta shkruan se “Kisha nderin sot që bashkë me kryetarin e Bashkisë të Skraparit, zotin Nesim Spahiu të rivendosnim pllakën përkujtimore me emrat e 17 heronjve të rënë në betejën madhështore të Tendës së Qypit nga 20-26 Janari i 1944, në kulmin e Operacionit të Dimrit. Kjo betejë e jashtëzakonshme deri në ndeshje trup me trup përfundoi me humbjen poshtëruese të pushtuesve falë gjakut të derdhur në betejë të partizanëve të Brigadës së parë Sulmuese dhe Grupit të Skraparit që u drejtua trimërisht nga Zylyftar Veleshnja. Kjo betejë pati një vlerë të madhe morale e psikologjike pasi tregoi se ai nuk ishte dimri i fundit i partizanëve por i pushtuesve.Të gjithë të përkujdesemi më shumë për monumentet e luftës dhe të dëshmorëve tanë”.
Me pas ai ka postuar në Facebook disa foto nga fshati Prishtë në Skrapar. Ja postimi i tij në Facebook është: Ishte kënaqësi të kaloja një mbrëmje të mrekullueshme në Prishtë këtu ku mikpritja është e rrallë. Më në fund e mbajta fjalën për të vizituar Nënë Bajamen, e cila me sakrifica pa fund ka rritur tre fëmijë të mbarë e të edukuar për të cilët është krenare me të drejtë. E falënderoj për mikpritjen e bujarinë e pafund ashtu siç dinë nënat e Skraparit.
Vizitën e tij Presidenti e ka vazhduar në Teqenë e Prishtës dhe mënjëherë ai ka postuar tekstin ku shkruan se “Kënaqësi e veçantë të vizitoja sot Teqenë e Prishtës, një nga vatrat më historike të Bektashizmit dhe atdhedashurisë, këtu ku në Janar 1921 u mbajt Kongresi i Parë Botëror i Bektashinjve”.
Ndërkohë Presidenti ka vazhduar vizitën në këtë fshat historik. Ja se ç’shkruan Meta: Kënaqësi të vizitoja Nishicën, këtë fshat tepër punëtor që i ruan të forta traditat. Këtu ku këngët e para dhe të fundit janë për Riza Cerovën e Zylyftar Veleshnjën. Nishica u shndërrua një nga fushë betejat kryesore të betejës së Tendës së Qypit ku pushtuesit në shenjë hakmarrje për humbjen nuk lanë asnjë shtëpi pa djegur. I lumtur të shihja shtëpi të rindërtuara e toka të punuara me dashuri.
Pasi bëri disa vizita në zonën e Skraparit ai ka vizituar edhe vendlindjen e tij. Ai ka shkuar në Çepan. Dhe ja teksti që poston Presidenti: Me shumë dashuri u riktheva në vendlindje, në Çepan. Një falenderim të veçantë e kam për Yllin, i cili ruan traditat më të mira të gjyshit tonë dhe gjithë familjes.