Presidenti Meta: Nxitja e konflikteve nuk i shërben reformës në drejtësi
Presidenti Ilir Meta ka komentuar sot debatet e mazhorancës dhe opozitës lidhur me ngërçin e krijuar në institucionet e drejtësisë për shkak të Ligjit të Magjistraturës. Gjatë vizitës që zhvilloi në Pustec, Presidenti tha se nxitja e konfliktit politik nuk i shërben reformës në drejtësi. Ai bëri thirrje për dialog mes palëve, si e vetmja mënyrë për të garantuar transparencë dhe integritet për institucionet e reja.
“Nxitja e konfliktit nuk i shërben reformës në drejtësi. Vendi ka nevojë për reformë që të bazohet tek pavarësia e institucioneve të reja dhe integriteti i krijimit te tyre. Dialogu, mënyra e vetme për të zgjidhur çdo çështje në mënyrën me transparente dhe me integritet”, tha Meta.
I pyetur për komentet e kryebashkiakut Erion Veliaj pas kthimit të ligjit të Teatrit në Kuvend, Meta tha se kushdo që ka vërejtje ti referohet faqes zyrtare të Presidencës.
“Nuk kam asnjë koment për reagimin e Veliajt. Cilido që ka vërejtje për kthimin e ligjit të Teatrit, e ftoj ti referohet faqes zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi jam i sigurt se argumentat e dhëna bazohen vetëm në Kushtetutë, marrëveshjet ndërkombëtare, të detyruara për zbatim, si dhe legjislacionin në fuqi, duke vënë në plan të parë interesin kombëtar dhe publik”, deklaroi Presidenti, Ilir Meta.
Komunikimi i plotë i kreut të shtetit, Ilir Meta me gazetarët:
Pyetje: Një koment për vizitën tuaj sot në Pustec?
Presidenti Meta: Ishte një kënaqësi që të merrja pjesë sot në festën e Shën Marenës të zhvilluar në Manastirin dhe Kishën e Shën Marenës. Një festë mjaft e veçantë jo vetëm e bashkësisë këtu në Pustec, por edhe mjaft miqve e të ftuarve edhe nga zona të tjera të Shqipërisë, edhe nga Maqedonia. Një festë që i bashkon njerëzit dhe që u jep shpresë dhe forcë për të ardhmen, por njëkohësisht edhe një festë që i forcon themelet tona të bashkëjetesës.
Pyetje: Zoti President, pas mosdekretimit të ligjit mbi teatrin, ka ardhur reagimi i disahershëm i kryebashkiakut Veliaj. Ai thotë se pas dyzet ditësh mazhoranca do ta rivotojë këtë ligj. A keni një koment?
Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment, përveç faktit se cilido që ka kontestime apo vërejtje për kthimin e ligjit, e ftoj që t’i referohet gjithmonë faqes zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi jam i sigurt që argumentet, të cilat janë dhënë nga Institucioni i Presidentit, bazohen vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në marrëveshjet ndërkombëtare ku ne jemi palë dhe të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe padyshim në të gjithë legjislacionin tonë në fuqi, dhe gjithmonë duke vënë në plan të parë interesin tonë kombëtar dhe publik.
Pyetje: Shkolla e Magjistraturës duket sikur ka ndezur një tjetër luftë politike në vend. Partia Demokratike është kundër, ndërsa Partia Socialiste kërkon miratimin e saj?
Presidenti Meta: Unë jam i bindur se nxitja e konfliktit as nuk i ka shërbyer deri më tani Reformës në Drejtësi, dhe as nuk do t’i shërbejë në të ardhmen. Vendi ka nevojë për një Reformë në Drejtësi, e cila bazohet fort te pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë, te integriteti i krijimit të tyre. Dhe në këtë drejtim unë inkurajoj vetëm dialogun për të zgjidhur çdo çështje në mënyrën më transparente dhe me integritet.
Pyetje: Zoti President, vettingu e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, madje pa thënë, edhe pa Gjykatën e Lartë? Ku po shkojmë kështu?
Presidenti Meta: Besoj se duhen të ndërmerren sa më parë të gjitha ato hapa, që përforcojnë efektet pozitive të Reformës në Drejtësi, por pa krijuar kurrsesi boshllëk apo paralizë të institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë.
Pyetje: Ndërkombëtarët kanë bërë me dije se pa një reformë drejtësie të çuar deri në fund, nuk mund të ketë negociata në qershorin e vitit të ardhshëm? A jemi të gatshëm ne për ta çuar këtë reformë deri në fund?
Presidenti Meta: Është për të ardhur keq që po kalojnë dy muaj nga përfundimet e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe ende nuk kanë vullnet të përbashkët për të lexuar në mënyrë objektive të gjitha ato kërkesa, të cilat vendi duhet të plotësojë në mënyrë që mos të kërkojnë përsëri fajtorë qershorin e ardhshëm për çdo dështim në të ardhmen.
Pyetje: Duke qenë mbi palët, ju keni një sugjerim për Reformën në Drejtësi, për klasën tonë politike? Çfarë do t’i sugjeronit?
Presidenti Meta: Jam i bindur se reforma mund të ecë përpara vetëm kur të gjithë përpiqen të respektojnë Kushtetutën, frymën e Kushtetutës, dhe njëkohësisht larg çdo tentative për ta politizuar atë në ekstrem, pasi çdo cenim i integritetit të ecurisë së krijimit të institucioneve të reja nuk i shërben besueshmërisë dhe efektshmërisë së kësaj reforme.