Presidenti Meta: Qeveria të jetë më e interesuar për dialog me opozitën

Në një kohë kur politika zien nga tensionet e përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës, ku “molla e sherrit” është bërë taksa për Rrugën e Kombit, vjen reagimi i Presidentit Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat Presidenti dha mesazhin e qartë se mes palëve duhet të ketë dialog.

Presidenti tha se Qeveria duhet të jetë më shumë e interesuar të ketë dialog me opozitën, por edhe opozita duhet të shfrytëzojë hapësirat ligjore për më shumë kontroll parlamentar. “Mesazhi i im ka qenë i qartë; opozita ka mundësitë për të shfrytëzuar instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar, por edhe mazhoranca duhet të jetë më e interesuar për dialog të qëndrueshëm me opozitën dhe të gjithë shqiptarët për të evituar çdo shkak për tensione të panevojshme dhe konflikte që nuk i shërbejnë as vendit dhe as qytetarëve“,- tha Presidenti.

Po ashtu Ilir Meta foli edhe për protestën e Rrugës së Kombit: “Taksa, e drejtë e komunitetit të ketë kërkesë llogarie. Protesta forcon ndjenjën e llogaridhënies së qeverisë. Shpresoj në një reflektim dhe në dialog për çështjen. Dialogu ndihmon në përmirësimin e qeverisjes së vendit”.

Prononcimi i Presidentit Meta për gazetarët:

Pyetje: A keni ju një qëndrim për atë çka ndodhi në Rrugën e Kombit?

Presidenti Meta: Besoj se jam përpjekur të jap mesazhet e duhura. Megjithatë dua të theksoj  se ne nuk e kemi luksin as ‘të këpusim një lule’ meqënëse ato kanë filluar të çelin për shkak të pranverës, dhe për shkak edhe të dëmeve që vendi ka pësuar në të kaluarën nga mungesa e dialogut dhe nga fryma e përjashtimit dhe konfrontimit.

Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëstudiuar dhe i mirëkonsultuar dhe është e drejtë e çdo qytetari, e çdo komuniteti të kërkojë dhe të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes qendrore edhe vendore për çdo taksë që paguajnë apo për çdo shërbim që duhet të udhëtohet. Megjithatë shpresoj në një reflektim të përgjithshëm dhe në vendosjen e një dialogu, i cili ndihmon në përmirësimin e mirëqeverisjes së vendit dhe besimit dhe respektimit tek institucionet e përbashkëta.

Pyetje: E cilësoni të lartë tarifën për Rrugën e Kombit? Si e gjykoni aksionin e ndërmarrë nga opozita për mosbindje civile?

Presidenti Meta: Besoj se mesazhi im ka qenë dhe mbetet i qartë. Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar ashtu sikurse maxhoranca duhet të jetë më e interesuar për diagol të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, me komunitetet, me qytetarët në mënyrë që të evitohet çdo shkak për tensione të panevojshme dhe për konflikte që nuk i shërbejnë as vendit, as qytetarëve dhe as një qeverisje më të mirë dhe as një demokracie për të cilën të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë.

Pyetje: Zoti President, si i shikoni thirrjet e opozitës për mospagim të taksave?

 Presidenti Meta: Mendoj se ky vend qëndron në bazë të kontributit të çdo qytetari në radhë të parë, por edhe të çdo taksapaguesi. Dhe në këtë drejtim edhe qeveria, por edhe opozita duhet të rrisin bashkëpunimin dhe transparencën në respekt të qytetarëve shqiptarë në radhë të parë, dhe të gjitha kërkesave dhe pretendimeve të tyre, por edhe të taksapaguesve shqiptarë, të cilët mbajnë edhe shtetin, edhe institucionet.

Pyetje: Zoti Meta, si i cilësoni lëvizjet e fundit në SHISH të bëra nga Drejtori i komanduar Helidon Bendo dhe përse nuk e keni dekretuar akoma atë?

Presidenti Meta: Ju faleminderit! Dhe shpresojmë që ky Senati i Studentëve do të jetë një mesazh pozitiv për fuqizimin e një mendimi të pavarur në vend dhe të një angazhimi më të madh të të gjithë të rinjve për një Shqipëri me të rinj dhe për të rinjtë në të ardhmen, sepse ky duhet të jetë qëllimi ynë më i madh sot: Të japim shpresë sa më shumë!

 

Ilir Meta sot duket se ka patur ditë të ngjeshur. Në fillim ishte në Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe dhe shkroi në facebook se “dua të falenderoj Komitetin Olimpik Special për organizimin e aktivitetit sportiv me fëmijët me aftësi ndryshe. Fuqia e sportit është e magjishme dhe e pakufishme sepse sporti mund të ndryshojë një shoqëri dhe të edukojë një rini të shëndetshme, larg veseve dhe të sigurtë në rrugën e saj”.

Presidenti Ilir Meta  deklaroi se Shqipëria ka nevojë për fuqizimin e shoqërisë civile.

Duke marrë shkas nga zhvillimet politike dhe jo vetëm në vend, kreu i shtetit theksoi se vendi ynë është në një klimë të papranueshme konfliktualiteti.

“Aleanca Kombëtare e Studentëve Senatorë do të adresojë problemet e arsimit. Duhet të mbështesim iniciativat e të rinjve. Jemi në një klimë të papranueshme konfliktualiteti. Merrni pjesë në reforma e në zbatimin e ligjit. Kemi nevojë për fuqizim të shoqërisë civile”, tha Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetaj/videos/1719602244752708/

SHKARKO APP